Falja presidenciale për Nicole Minetti vë nën presion Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë Meloni...
Nicole Minetti, ish-ndihmësja e njohur e Silvio Berlusconit dhe një figurë qendrore në skandalin famëkeq “bunga bunga” në Itali, është rikthyer në një tjetër polemikë politike që po tërheq vëmendjen e vendit.
Ajo është rikthyer në qendër të debatit politik pasi një falje presidenciale, e dhënë më herët këtë vit, është kthyer në lajm kryesor dhe në një problem të madh juridik dhe politik për qeverinë e Giorgia Melonit.
Magjistratët italianë po rishqyrtojnë nëse arsyet humanitare të paraqitura në kërkesën për falje janë paraqitur saktë, pas raportimeve që kanë ngritur dyshime mbi elementë kyç të çështjes.
Këto zhvillime e shtynë presidentin italian, Sergio Mattarella, i cili kishte miratuar faljen në muajin shkurt, të ndërmarrë hapin e pazakontë për të kërkuar publikisht nga ministria e drejtësisë që të verifikojë sërish dosjen.
“Presidenti ka urdhëruar që të merren me urgjencë informacionet e nevojshme për të verifikuar saktësinë e asaj që është raportuar nga media,” thuhet në një letër të zyrës së tij drejtuar ministrisë së drejtësisë.
Rasti i Minettit lidhet me skandalin që shënoi vitet e fundit të pushtetit të Berlusconit.
Në çështjen e ashtuquajtur “bunga bunga”, një term që u përdor për festat private të ish-kryeministrit, gjykatat konstatuan se ajo kishte ndihmuar në rekrutimin e grave për aktivitete ku pjesëmarrëset paguheshin për të marrë pjesë dhe, në disa raste, për të ofruar shërbime seksuale.
Ajo u dënua përfundimisht me 2 vjet e 10 muaj burg për ndërmjetësim prostitucioni, si dhe me 13 muaj të tjerë për shpërdorim të fondeve publike.
Falja u bazua në nevojën për t’u kujdesur për një fëmijë të adoptuar në Uruguai, i përshkruar si i sëmurë rëndë dhe që kërkonte kujdes të vazhdueshëm jashtë vendit. Ky pretendim është tani në qendër të hetimit.
Raportimet sugjerojnë se fëmija, një djalë, mund të mos ketë qenë jetim, me indikacione se prindërit e tij biologjikë ishin ende gjallë dhe kishin kundërshtuar adoptimin. Spitalet e përmendura në kërkesë thuhet se nuk kanë të dhëna për trajtimin e fëmijës, ndërsa mediat uruguaiane kanë ngritur dyshime për parregullsi në procedurën e adoptimit.
Vetë adoptimi është nën shqyrtim, me mediat uruguaiane që theksojnë mundësinë e shkeljeve gjatë procesit.
Në një plan më të gjerë, rasti po nxjerr në pah mangësi në procesin e verifikimit. Elementë kyç duket se janë vlerësuar kryesisht mbi bazën e dokumenteve të paraqitura nga ekipi ligjor i Minettit, pa verifikime të drejtpërdrejta me autoritetet uruguaiane. Tashmë, prokurorët e Milanos po kryejnë kontrolle të reja përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Minetti ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se informacioni i paraqitur në kërkesë ishte i saktë dhe duke i cilësuar pretendimet kundër saj si “të pabazuara”. Rasti po e vendos sërish ministrinë e drejtësisë nën presion, vetëm pak javë pas dorëheqjes së një zëvendësministri dhe të shefit të kabinetit.
“Ne kemi dokumente që tregojnë se kemi respektuar të gjitha procedurat në 101%,” deklaroi ministri i drejtësisë, Carlo Nordio. Partitë e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e tij, ndërsa Meloni ka mbështetur ministrin e Drejtësisë.
“Kjo procedurë ka ndjekur të njëjtën rrugë si të gjitha të tjerat dhe është zbatuar në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikën e vendosur,” deklaroi ajo në një konferencë për shtyp, duke theksuar besimin ndaj Nordios dhe duke përjashtuar çdo dorëheqje. /Përshtatur nga Euractiv/
Lini një Përgjigje