TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Shkurt 2026, 15:37

Sulmet ndaj Iranit “trembin” Vuçiçin, e krahason situatën me sulmet ndaj Serbisë në 1999

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet ndaj Iranit “trembin” Vuçiçin, e krahason
Aleksandar Vuçiç

Sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit duket se kanë alarmuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili paralajmëroi “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe theksoi nevojën që Serbia të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse.

Në një intervistë për televizionin Informer, media e afërt me qeverinë, Vuçiç tha se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të çojnë në përmbysje politike në Iran, duke sugjeruar se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”.

Reagimi i tij vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi nisjen e sulmeve dhe u zotua për eliminimin e “kërcënimit nga regjimi iranian”. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se Irani ka nisur kundërpërgjigje me raketa drejt Izraelit dhe disa vendeve të tjera në rajon. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.

Vuçiç e krahasoi situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Sipas tij, ndërhyrja e atëhershme kishte si qëllim ndryshimin e regjimit në Beograd dhe sigurimin e pavarësisë së Kosovës.

“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi”, tha Vuçiç, duke shtuar se edhe në rastin e Iranit, sipas tij, synimi është orientimi i vendit drejt “vlerave perëndimore”.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u ndërmor pas përndjekjes dhe krimeve të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, të cilat janë dokumentuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Pas përfundimit të bombardimeve, forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj.

Gjatë intervistës, presidenti serb theksoi se Serbia do të investojë në sisteme të reja të mbrojtjes ajrore.

“Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë, kemi mbrojtje shumë-shtresore”, deklaroi Vuçiç.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar ndërkombëtar, ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon të ndjekë një politikë të balancuar mes Perëndimit dhe partnerëve të tjerë globalë.

vucic kosove iran

Lini një Përgjigje