
Çmimi i naftës bruto u rrit me mbi 2% menjëherë pas nisjes së sulmeve në Iran. Nafta Brent arriti në rreth 73 dollarë për fuçi këtë të shtunë, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se, nëse përshkallëzimi vijon, çmimi mund të shkojë në 80 dollarë për fuçi në afat të shkurtër.
Tregjet globale të energjisë po përballen me pasiguri të lartë, për shkak të frikës nga ndërprerje të mundshme në furnizim. Irani ka paralajmëruar më herët se mund të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në rast sulmi, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Ngushtica e Hormuzit përbën një nyje kyçe të tregtisë globale, pasi përmes saj kalon rreth 20% e konsumit ditor botëror të naftës. Një bllokim i mundshëm i kësaj rruge do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe do të ushtronte presion të fortë mbi ekonominë globale.
Sipas analistëve të tregut, në një skenar ekstrem ku Irani ndërhyn në qarkullimin e naftës përmes Hormuzit, çmimi i Brent mund të ngjitet në nivelet 100–130 dollarë për fuçi.
Përveç tregut të energjisë, zhvillimet kanë ndikuar edhe në asetet virtuale. Pas sulmit të koordinuar të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Bitcoin ra në rreth 60 mijë dollarë, duke humbur rreth 5% të vlerës së tij në një kohë të shkurtër.
Lini një Përgjigje