
Në rast se SHBA-ja dëshiron të sprapsë Iranin, do të duhet t’ia nisë ose duke u tërhequr ose duke përforcuar trupat e saj në Irak dhe Siri për t’i bërë ato të sigurta.
Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara goditën 85 objektiva në Irak dhe Siri, në kuadër të një kundërpërgjigjeje të paralajmëruar ndaj vrasjes një javë më parë të 3 ushtarakëve amerikanë në një sulm me dron nga milicitë e mbështetura nga Irani.
Nuk u desh të kalonte shumë kohë para se kritikët ta deklaronin reagimin e administratës Biden si shumë të dobët për të penguar sulmet e mëtejshme. Dhe ata kanë të drejtë në këtë aspekt, por nga ana tjetër besimi se kundërpërgjigja e duhur është bombardimi i vetë Iranit, është shumë më i lehtë të thuhet sesa të realizohet, duke pasur parasysh edhe pasojat që do të vinin më pas.
Parandalimi si një strategji, cilësohet shpesh vetëm si një çështje e të qenit mjaft të ashpër me kundërshtarin: sa më i fortë të jetë kërcënimi apo goditja, aq më i madh është edhe parandalimi. Por kjo qasje ka të ngjarë ta detyrojë kundërshtarin që t’i përshkallëzojë sulmet e tij.
Sepse që të funksionojë strategjia e parandalimit, ajo që bëni nuk është më e rëndësishme sesa ajo që mendon pala tjetër. Ose siç thotë një studim i fundit i “Rand Corporation” mbi këtë çështje, duhen kuptuar “interesat, motivet dhe detyrat e domosdoshme” të kundërshtarit dhe më pas të veprohet në bazë të tyre.
Në rastin e Iranit, këto detyra janë të qarta dhe në krye është mbijetesa e regjimit aktual. Pra, për t'u tërhequr pas çdo sulmi të SHBA-së, duhet që klerikët në Teheran të besojnë se sundimi i tyre ishte më i rrezikuar nga kundërpërgjigjja sesa nga shfaqja e dobët ndaj një popullsie që e urren atë. Dhe kjo gjë nuk është aspak e qartë.
Po ashtu, ne e dimë se Ayatollah Ali Khamenei dëshiron që SHBA-ja dhe Izraeli të heqin dorë nga ndikimi i tyre në Lindjen e Mesme, duke i dhënë mundësi Iranit të marrë atë që ai e sheh si rolin e tij të ligjshëm si fuqia dominuese e rajonit, pasi ai ia ka thënë këtë botës për dekada.
Nga këndvështrimi i Teheranit, Irani ka bërë një përparim të madh në këtë aspekt, që kur SHBA-ja i bëri favorin e madh duke pushtuar Irakun dhe rrëzuar Sadaam Hussein, diktatorin e një regjimi të dominuar nga sunitët, ndaj të cilit zhvilloi një luftë rraskapitëse në vitet 1981-1988.
Përgjigja e Izraelit dhe SHBA-së ndaj sulmit të Hamasit kundër Izraelit Jugor më 7 tetor 2023, ka qenë një tjetër dhuratë për Iranin. Me largimin e Sadamit dhe me aleatët shiitë në krye të Bagdadit, prioriteti i parë i Iranit, sot është dëbimi i SHBA-së nga Iraku dhe vendosja nën kontroll e një fqinji që prodhon dhe eksporton më shumë naftë sesa vetë Irani.
Në këtë aspekt, është shumë pranë suksesit. Pavarësisht humbjes së zgjedhjeve në vitin 2021 përballë një koalicioni shumë-etnik dhe një qeverie të prirur nga Perëndimi, Irani dhe grupimet pranë tij e përdorën kontrollin e tyre mbi Gjykatën e Lartë dhe institucionet e tjera irakiane për të rrëzuar qeverinë dhe për të rimarrë pushtetin vetëm një vit më vonë.
Sikurse e kanë dokumentuar Michael Knights dhe një ekip që monitoron Irakun për Qendrën e Luftimit të Terrorizmit në Akademinë Ushtarake West Point në SHBA, që nga ajo kohë milicitë e mbështetura nga Irani kanë vendosur njerëzit e tyre tek organet e shërbimeve sekrete, sigurisë dhe shërbimeve të tjera kyçe, por edhe tek të ardhurat përmes kontrollit të plotë ndaj Ministrisë së Naftës.
Kryeministri Mohammed Shia’Al-Sudani përfaqëson një koalicion partish shiite kryesisht pro-iraniane. Dhe përpara se Hamasi të rindizte rajonin më 7 tetor 2023, ai po bëhej gati të negociuonte largimin e trupave të mbetura amerikane nga Iraku.
Grupimi që mori përgjegjësinë për sulmin me dron të 28 janarit ndaj forcave amerikane në kufirin midis Jordanisë dhe Sirisë, Rezistenca Islamike në Irak, përfshin edhe Khatai’b Hezbollah, një nga milicitë irakiane më të afërta me Iranin. Të paktën disa nga luftëtarët e saj marrin paga nga Teherani por edhe komandantë në Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), ose Al- Hashd al- Shaabi, një konsolidim i milicive kryesisht pro-iraniane që tashmë janë pjesë e ushtrisë së rregullt irakiane.
Prandaj nuk duhet të jetë ndonjë befasi, që siç raportoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, PMF-ja ishte ndër objektivat që bombardoi të premten SHBA-ja. Në fakt, ai është një version irakian i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Grupet irakiane të cilat SHBA-ja i konsideron organizata terroriste, dhe janë të armatosura dhe të lidhur ngushtë me Iranin, janë shumë pranë kontrollit të gjithë strukturave shtetërore në Irak.
Në këto rrethana, mijëra trupa amerikane të mbetura në Irak janë në thelb të pambrojtura. Dhe qindra të tjera në Siri. Është naiv supozimi se Teherani dhe milicit pro-iraniane nuk do të shfrytëzojnë avantazhin që kanë derisa të zhduket prania e SHBA-së në rajon. Fushata e tyre vetëm sa u përshpejtua nën pretekstin e luftës në Gaza, nën të cilën çdo akt dhune kundër SHBA-së ose Izraelit mund t’i shitet pjesës më të madhe të botës si një kauzë e drejtë. Nuk ka dyshim se sulmet do të vazhdojnë, sapo të ndalen sulmet aktuale ajrore të SHBA-së, ose në një kohë të mëvonshme të përshtatshme për Teheranin.
Sepse ato i shërbejnë një synimi thelbësor të politikës së jashtme iraniane. Dhe ky fakt e bën të duket si një alternativë e natyrshme goditjen direkte ndaj Iranit. Disa kanë rikujtuar ditët e fundit shembullin e operacionit “Praying Mantis” në vitin 1988, kur marina amerikane goditi anijet detare iraniane dhe platformat e saj të naftës, për ta penguar atë nga vendosja e minave detare, pasi njëra prej tyre dëmtoi një anije luftarake amerikane.
Ai ishte një shembull i shkëlqyer i funksionimit të një politike të ashpër parandaluese. Por s’do të thotë se do të funksiononte sërish sot, kundër një Irani shumë më të fortë dhe në një situatë gjeopolitike rrënjësisht të ndryshme. Në vitin 1988, Irani ishte i rraskapitur nga lufta me Irakun dhe i izoluar ndërkombëtarisht.
Për shkak të ateizmit dhe luftës në Afganistanin fqinj, Ajatollah Ruhollah Khomeini e konsideronte si një “Satan” më të vogël Bashkimin Sovjetik që shumë shpejt do të shpërbëhej. Kina ishte e varfër, pa ndikim në Lindjen e Mesme, dhe nuk kishte një Bosht të Rezistencës që Irani ta përdorte si një shumëfishues të forcës jashtë vendit.
Ndërkohë, SHBA ishte pranë kulmit të fuqisë së saj. Sot Irani ka ndërtuar një arsenal të madh dronësh dhe raketash balistike, me rreze veprimi prej 1500 kilometrash e ndoshta më shumë, si dhe një sistem ende të pa testuar por në letër të sofistikuar të mbrojtjes ajrore.
Ai ka jo pak grupime militante që mund t’i thërrasë në një fushë beteje të mundshme që shtrihet nga Jemeni në jug, në Gaza, Liban, Siri dhe Irak. Ai është e izoluar ndërkombëtarisht vetëm në imagjinatën e Perëndimit. Kina ka hyrë në vend për të zëvendësuar investimet evropiane, ndërsa Rusia është bërë një partnere kyçe në fushën e sigurisë, duke e furnizuar me avionë luftarakë të nivelit të lartë dhe me teknologji të tjera.
Në Irak, një ekonomi prej 264 miliardë dollarësh, që e tejkalon atë të Libanit dhe Sirisë të marra së bashku, IRGC po përpiqet të kopjojë për përfaqësuesit e saj, perandorinë industriale dhe energjetike që ndërtoi në shtëpi. Në këtë kontekst, sulmi direkt i Iranit do të kishte më shumë gjasa të vriste trupat amerikane të ekspozuara në Irak dhe Siri.
Në rast se SHBA-ja dëshiron të sprapsë Iranin, do të duhet t’ia nisë ose duke u tërhequr ose duke përforcuar trupat e saj në Irak dhe Siri për t’i bërë ato të sigurta. Ndërkaq ka edhe mjete të tjera, më pak të kënaqshme financiare, kibernetike etj që mund të përdorë SHBA-ja për të ushtruar presion mbi regjimin iranian.
Nëse ata do të jenë në gjendje të ndryshojnë sjelljen e tij pas më shumë se 40 vjetësh përpjekje kjo është e pasigurt. Por së bashku me një fushatë të vazhdueshme sulmesh ajrore kundër milicive pro-iraniane në të gjithë rajonin, dhe një marrëveshje që solli një reduktim të ndjeshëm të viktimave në Gaza, ia vlen që të provohen këto masa.
Ato do të ishin një mundësi më të mirë për sukses sesa bombardimi direkt i Iranit, dhe me një rrezik shumë më të ulët për të ndezur një lloj lufte që asnjëra palë nuk mund ta përballojë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje