TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Janar 2026, 22:59

"Do ketë pasoja nëse varni protestuesit", Trump kërcënon Iranin, Ambasada e SHBA-së në Teheran thirrje amerikanëve për t'u larguar

Shkruar nga Pamfleti
"Do ketë pasoja nëse varni protestuesit", Trump
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse autoritetet iraniane ekzekutojnë protestuesit e arrestuar gjatë demonstratave të fundit.

Në një intervistë për CBS News mbrëmjen e sotme, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin “masa shumë të forta” në rast se Irani vijon me dënimet me vdekje ndaj protestuesve.

Grupi për të drejtat e njeriut Hengaw, me seli në Norvegji, raportoi se një protestues 26-vjeçar, Erfan Soltani, pritet të ekzekutohet ditën e nesërme në Iran. Sipas organizatës, Soltani, nga qyteti Fardis, u arrestua gjatë protestave në zonën e tij.

Në një deklaratë të publikuar një ditë më parë, Hengaw theksoi se i riu “po përballet me ekzekutimin e menjëhershëm të një dënimi me vdekje pas një procesi gjyqësor të shpejtë dhe të errët”, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të rënda të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Paralajmërimi i Trump pritet të shtojë presionin diplomatik mbi Teheranin, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vëzhgon nga afër zhvillimet dhe fatin e protestuesve të arrestuar.

Nga ana tjetër Ambasada Amerikane në Iran u ka bërë thirrje shtetasve amerikan që të largohen sa më parë nga Irani, kryesisht nëpërmjet rrugëve tokësore.

Qytetarët amerikanë duhet të largohen nga Irani tani. Merrni në konsideratë nisjen me rrugë tokësore për në Turqi ose Armeni, nëse është e sigurt. Protestat në të gjithë Iranin vazhdojnë të përshkallëzohen. Masat e shtuara të sigurisë, mbylljet e rrugëve, ndërprerjet e transportit publik dhe bllokimet e internetit janë duke vazhduar. Qeveria e Iranit ka kufizuar aksesin në rrjetet mobile, fikse dhe kombëtare të internetit. Kompanitë ajrore vazhdojnë të kufizojnë ose anulojnë fluturimet për në dhe nga Irani, me disa që kanë pezulluar shërbimin”, thuhet në njoftimin Ambasadës Amerikane në Iran.  

trump irani kërcënim

Lini një Përgjigje