TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Prill 2024, 10:35

Disa miq, të tjerët armiq: Marrëdhënia e çuditshme e Moskës me organizatat terroriste islamike

Shkruar nga Yuriy Matsarsky
Disa miq, të tjerët armiq: Marrëdhënia e çuditshme e
Vladimir Putin /

Për disa, është urrejtje ndaj ukrainasve. Për të tjerët, urrejtje ndaj Izraelit në mënyrë specifike, ose ndaj të gjithë jobesimtarëve në përgjithësi. Megjithatë, vetëm ISIS ndjek rrugën e urrejtjes së pastër, i pa shqetësuar nga ndonjë motivim tjetër...

Televizionet kryesore në Rusi po i bëjnë çdo ditë jehonë thirrjeve për vrasjen masive të ukrainasve paqësorë dhe shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës. Forcat e sigurisë torturojnë dhe gjymtojnë para kameras të dyshuarit si të përfshirë në sulmin terrorist të Moskës, ndërsa media shtetërore nuk heziton t’i transmetojë këto regjistrime.

Ky terror shtetëror i pacipë, jo vetëm që po e lidh Rusinë me vende të tjetra diktatoriale si Koreja e Veriut dhe Irani, por edhe me organizatat terroriste jo-shtetërore. Shumë nga këto grupime janë bërë vërtet aleatë zyrtarë të Rusisë. Në vitin 2015, Rusia ndërhyri në luftën civile në Siri në anën e forcave të presidentit vendas Bashar Al-Assad.

Pala qeveritare ishte rraskapitur nga vitet e luftimeve por edhe nga dezertimet e shumta. Rrjedhimisht, formacione të ndryshme shiite të sponsorizuara dhe të armatosura nga Irani u bënë aleatët kryesorë të Rusisë në luftën për të mbajtur Asadin në pushtet. Një fitore e rebelëve në luftën civile siriane, do ta kishte kërcënuar Iranin me humbjen e aleatit të tij kryesor në botën arabe.

Prandaj, Teherani nuk kurseu asnjë shpenzim, duke shfrytëzuar shiitët irakianë të ndikuar nga propaganda fetare iraniane, refugjatët shiitë nga Afganistani të kthyer me dhunë në “mish për top”, vullnetarët iranianë që i ishin nënshtruar lavazhit të trurit nga ideologjia zyrtare e regjimit të tyre, por edhe ushtarë profesionistë në luftën për të mbështetur regjimin aleat të Asadit.

Disa miq, të tjerët armiq: Marrëdhënia e çuditshme e

Më i shquari ndër këto formacione shiite ishte grupi libanez Hezbollah. Edhe pse njihet si një organizatë terroriste në shumë vende demokratike, Hezbollahu konsiderohet një partner i besueshëm në Moskë. Grupi angazhohet në vrasje diplomatësh, rrëmbime avionësh, sulme me bomba në vende të populluara me njerëz, marrje pengjesh dhe me gjasë edhe në trafik droge.

Hezbollahu vendosi lidhje të ngushta me Rusinë që nga fillimi i pranisë ushtarake ruse në Siri. Tani këto lidhje shtrihen shumë përtej bashkëpunimit ushtarak dhe përfshijnë operacione të përbashkëta me një flotë hije cisternash, që transportojnë në mbarë botën naftën e sanksionuar ruse dhe iraniane, pastrojnë paratë e përfituara në mënyrë kriminale dhe angazhohen në aktivitete të tjera të hapura të stilit mafioz.

Edhe grupi jemenas Ansar Allah, i njohur më mirë si Houthi, financohet përmes skemave të transfertave monetare të krijuara nga Rusia dhe Hezbollahu. Ansar Allah angazhohet në rrëmbime, dëbime, tortura dhe ekzekutime të individëve të paarmatosur, duke lavdëruar aktet e tij terroriste si pjesë e një besimi të deklaruar në misionin e tyre të supozuar special.

Rusia i bllokon rregullisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Houthi. Madje së fundmi u përpoq të sfidonte përfshirjen e grupit në një listë të organizatave terroriste të përpiluar nga Amerika. Ndërsa agresioni ushtarak i Moskës e ka izoluar më tej vendin nga bota e qytetëruar, lidhjet e tij me regjimet diktatoriale dhe aktorët jo-shtetërorë vetëm sa janë forcuar.

Houthi janë cilësuar tashmë nga propaganda ruse si një nga aleatët kryesorë të Moskës gjoja në “luftën për një botë shumë-polare”. Një pjesë e kësaj “lufte” përfshin përgjigjen asimetrike të Houthi ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit kundër Hamasit.

Në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj vendeve perëndimore që të tërheqin mbështetjen për Izraelin, raketat e furnizuara nga Irani dhe të lëshuara nga territori i kontrolluar nga Houthi në Jemen kanë shenjestruar disa anije tregtare që kalojnë tranzit në Detin e Kuq.

Ndërkohë grupi është zotuar të mos godasë anijet ruse, duke treguar edhe një herë thellësinë e lidhjes së tyre me Moskën. Që nga epoka sovjetike, Moska u ka dhënë një mbështetje të gjerë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike kundërshtarëve të Izraelit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë lojtarët kryesorë në anën palestineze të konfliktit.

Zyrtarët sovjetikë e shihnin shtetin hebre si një kanal për zgjerimin e ndikimit perëndimor në territoret arabe, ndaj e konsideruan armiqësor atë. Kështu BRSS furnizoi me mijëra tanke, avionë dhe artileri Sirinë dhe Egjiptin, rivalët kryesorë rajonalë të Izraelit.

Pas fitores së Izraelit mbi forcat egjiptiane, siriane, jordaneze dhe irakiane në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967, Moska i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe nuk i rifilloi ato deri në rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991. Megjithatë, zbutja e marrëdhënieve me Izraelin nuk e prishi miqësinë e Moskës me kundërshtarët palestinezë të Jeruzalemit, ku ndër ta kryesori është Hamasi.

Pavarësisht aktiviteteve terroriste të këtij të fundit, Rusia ka nguruar ta kategorizojë këtë grupim si terrorist. Që nga mesi i viteve 2000, delegacionet e Hamasit kanë bërë vizita të rregullta në Moskë dhe gjatë presidencës së tij, Dmitry Medvedev u takua personalisht me anëtarin kryesor të Byrosë Politike të organizatës, Khaled Mashal, në Damask.

Sipas shërbimit sekret ukrainas, rusët e kanë furnizuar Hamasit me armë që u përdorën edhe në sulmin e tetorit 2023 ndaj Izraelit. Këtu përfshiheshin dhe armët perëndimore të sekuestruara si trofe në fushat e betejës së Ukrainës.

Kur trupat sovjetike u tërhoqën nga Afganistani në vitin 1989, Talebanët nuk ekzistonin ende. Ndërkohë gjatë viteve 1990 dhe deri në vitin 2001, ata kontrollonin pothuajse të gjithë territorin e Afganistanit. Kur regjimi i tyre ra pas pushtimit amerikan, kjo nuk shkaktoi emocione të forta në Moskë.

Për vite me radhë, Rusia i kishte kushtuar pak vëmendje Afganistanit, një vend i largët me ndikim minimal në çështjet globale dhe vendi i një disfate ushtarake poshtëruese për Moskën. Por kjo nuk e pengoi Moskën të hynte në negociata me ta në vitin 2018.

Largimi i amerikanëve nga Afganistani në vitin 2021, nxiti besimin e Rusisë se SHBA nuk do të luante më rolin e një xhandari global, një perceptim që mund ta ketë shtyrë Kremlinin drejt pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës. Së dyti, gjatë pranisë së SHBA-së në Afganistan, u kuptua se vendi ishte i pasur me minerale të vlefshme, që thjesht prisnin nxjerrjen dhe eksportin.

Tani Talebanët kontrollojnë tokën me vlerë triliona dollarë, por atyre u mungojnë mjetet për ta shfrytëzuar atë. Rusia është e prirur të sigurojë lëshime nga Talebanët për zhvillimin e burimeve minerale të Afganistanit. Kundërshtarët kryesorë të talebanëve në Afganistan njihen si “Wilayat Khorasan” ose ISIS-Khorasan.

Khorasani i referohet një rajoni të gjerë historik që përfshin Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, duke përfshirë pjesë të Iranit të sotëm, Pakistanit, Taxhikistanit, Afganistanit dhe Turkmenistanit. ISIS-Khorasani u shfaq disa vite më parë kur grupet xhihadiste që veprojnë në disa prej këtyre vendeve u zotuan për besnikëri ndaj liderit të ISIS, Abu Bakar al-Baghdadi, i cili në qershor 2014 shpalli themelimin e një kalifati mbarëbotëror përpara se të vdiste në një sulm të forcave speciale amerikane në vitin 2019.

Qëllimi i ISIS-Khorasan është të krijojë një shtet islamik në Afganistan bazuar në një interpretim të rreptë të ligjit të Sheriatit. Megjithatë, talebanët nuk janë aleatë në këtë përpjekje. Në dallim nga organizatat terroriste me të cilat bashkëpunon Rusia, ISIS-i drejtohet vetëm nga ideologjia, ndaj Moska e mban larg.

Kjo e vendos atë në një kategori të veçantë nga Hezbollahu, i cili jo vetëm grumbullon raketa për të shenjestruar Izraelin, por merr pjesë në zgjedhje, duke emëruar deputetë në parlamentin libanez dhe ministra në qeveri. Ai ndryshon nga oportunizmi i Hamasit, sunitë radikalë, të cilët pranojnë lehtësisht fonde dhe armë nga rusët jo-myslimanë dhe heretikët shiitë iranianë. Por ka një parim unifikues. Në zemër të ideologjisë moderne të Rusisë, së bashku me ato të të gjitha grupeve terroriste të listuara më sipër, qëndron një tipar kyç: urrejtja.

Për disa, është urrejtje ndaj ukrainasve. Për të tjerët, urrejtje ndaj Izraelit në mënyrë specifike, ose ndaj të gjithë jobesimtarëve në përgjithësi. Megjithatë, vetëm ISIS ndjek rrugën e urrejtjes së pastër, i pa shqetësuar nga ndonjë motivim tjetër./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”

Marrë me shkurtime

yuriy matsarsky organizata terroriste islamike

Lini një Përgjigje