
Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, Lloyd Austin ka thënë se nuk ka prova se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës në luftën e tij kundër grupit palestinez Hamas.
“Ne nuk kemi asnjë provë për këtë,” i tha Austin Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, duke shtuar se “një zi buke masive në Rripin e Gazës ka të ngjarë të përshpejtojë dhunën dhe sigurisht të çojë në një konflikt të zgjatur”.
Gjashtë muaj pas fillimit të operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza, enklava e shkatërruar palestineze po përballet me urinë dhe sëmundjet dhe pothuajse të gjithë banorët janë tani të pastrehë. Agjencitë e ndihmave ankohen se Izraeli nuk po siguron akses në ushqim, ilaçe dhe gjëra të tjera thelbësore, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell akuzoi qeverinë izraelite se përdor urinë si armë.
Sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor vrau rreth 1200 njerëz, sipas shifrave izraelite. Ofensiva e mëvonshme ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e enklavës prej 2.3 milionë banorësh, duke nxitur akuza për gjenocid, të cilat Izraeli i mohon.
SHBA-ja është mbështetësi më i madh ushtarak i Izraelit, por i ka bërë presion qeverisë izraelite që të bëjë më shumë për të ndihmuar civilët në Gaza.
Lini një Përgjigje