TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Maj 2025, 22:38

Dëmi i pariparueshëm nga tarifat e Trump

Shkruar nga Alessio Marchionna

Dëmi i pariparueshëm nga tarifat e Trump

Shenjat e një krize të mundshme në ekonominë amerikane janë kudo, dhe Shtëpia e Bardhë po përpiqet të mbyllë boshllëqet.

Administrata Trump, i ka kaluar javët e fundit duke u përpjekur të zhbëjë ose të paktën të zbutë pasojat ekonomike të luftës tregtare të nisur në fillim të prillit, dhe më pas të pezulluara brenda pak ditësh.

Shenjat e një krize të mundshme në ekonominë amerikane janë kudo, dhe Shtëpia e Bardhë po përpiqet të mbyllë boshllëqet. Disa ditë më parë, duke folur për mundësinë që konflikti tregtar të shkaktojë mungesë të disa produkteve, Trump tha se “ndoshta vajzat e vogla do të duhet të kënaqen me 2 kukulla në vend të 30”.

Ditë më parë, ai i kishte telefonuar personalisht Jeff Bezos. për t’iu ankuar mbi vendimin e tij për të shfaqur koston e tarifave amerikane pranë çmimit të produkteve në shitje nga Amazon, duke e bindur atë të tërhiqej nga ky hap.

Dhe më 30 prill, ai nënshkroi një urdhër tjetër ekzekutiv, që uli disa nga tarifat të vendosura ndaj prodhuesve të makinave që operojnë në vend (industria amerikane e automjeteve është shumë e varur nga vendet e huaja, dhe ka shumë për të humbur nga një luftë tregtare).

Ndërkohë, ndihmësit e Trump po përpiqen çdo ditë t’i sigurojnë konsumatorët, tregjet, bizneset, mbajtësit e obligacioneve dhe këdo tjetër që ka arsye të jetë i shqetësuar për perspektivën e mirë ekonomike të SHBA-së.

Por në këtë pikë që janë gjërat, është njëlloj si të përpiqesh ta fusësh sërish në tub pastën e dhëmbëve që ka dalë jashtë. Për shkak të shqetësimeve për tarifat, besimi i konsumatorit është në nivelin më të ulët që nga pandemia e Covid-19.

Pritshmëria për ecurinë e ekonomisë gjatë 6 muajve të ardhshëm, është më e ulëta në një dekadë. Në 3-muajt e parë të këtij viti, PBB-ja e SHBA-së ka rënë me 0.3 për qind krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit 2024, pasi kishte regjistruar një rritje prej 2.4 për qind në atë periudhë, një shifër e shkaktuar edhe nga frika e kompanive amerikane për tarifat.

Por pasojat realisht negative të menaxhimit ekonomik të Trump, nuk kanë ardhur ende. Bloomberg shpjegon: “Që kur Shtetet e Bashkuara i rritën tarifat ndaj Kinës në masën 145 për qind në fillim të prillit, dërgesat e mallrave nga vendi aziatik kanë rënë ndjeshëm, deri në 60 për qind sipas disa vlerësimeve. Ulja dramatike e eksporteve nga njëri prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, nuk është ndjerë ende nga shumë amerikanë, por gjërat do të ndryshojnë. Sepse nga mesi i këtij muaji, mijëra kompani, të mëdha dhe të vogla, do të duhet të rimbushin inventarët e tyre. Gjigantët e shitjes me pakicë si Walmart dhe Target, i thanë Trumpit në një takim të zhvilluar javën e kaluar, se konsumatorët mund të përballen me raftet bosh dhe çmime më të larta. Torsten Slok, kryeekonomist në Apollo Management, paralajmëroi së fundmi për një mungesë mallrash të ngjashme me atë të periudhës së pandemisë dhe me shkurtime të konsiderueshme vendesh pune në industri si transporti me kamionë, logjistika dhe shitja me pakicë”.

Trump është treguar i gatshëm që të zbusë qëndrimin e tij ndaj tarifave për importet nga Kina dhe vende të tjera. Por mund të jetë tepër vonë për të parandaluar, që problemet serioze me furnizimet të ndikojnë mbi ekonominë amerikane deri në Krishtlindje.

Edhe nëse do të ketë një armëpushim midis dy vendeve në këtë përplasje të madhe, rifillimi i tregtisë trans-Paqësore do të mbartë rreziqe shtesë. “Sektori i transportit të mallrave, e ka zvogëluar aftësinë e tij për t'u përshtatur ndaj kërkesës më të dobët”, vazhdon analizën e saj Bloomberg.

Kjo nënkupton se një rritje e porosive e shkaktuar nga një zbutje e raporteve midis superfuqive, e rrezikon mbingarkesën e rrjetit, duke shkaktuar vonesa dhe duke rritur kostot. Një skenar i ngjashëm u zhvillua gjatë pandemisë, kur çmimet e kontejnerëve u katërfishuan dhe në porte pati një mbipopullim nga anijet e mallrave.

Dëmi ekonomik që i kanë shkaktuar vetes Shtetet e Bashkuara vetëm në 3 muaj, do të jetë i vështirë të zhbëhet. Kjo edhe sepse, të kombinuara me politikat izolacioniste të Trump, ato po e përshpejtojnë rënien e ndikimit të SHBA-së në botë.

Udhëheqësi kinez Xi Jinping, po synon që të shfrytëzojë në maksimum kthesën e SHBA-së drejt proteksionizmit, për ta pozicionuar më mirë Pekinin si mbrojtës të tregtisë së lirë, dhe për ta paraqitur Kinën si udhëheqësen e re të sistemit tregtar global.

Le të marrim Afrikën. Trump e ka shpërbërë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, e cila ofronte ushqim dhe kujdes shëndetësor për vendet më të varfra, dhe ka propozuar eliminimin e pothuajse të gjitha misioneve diplomatike në këtë kontinent.

Kjo do të krijojë një boshllëk, e cila do ta lejojë Kinën që të konsolidojë pozicionin e saj, për të fituar qasje më të gjerë në të drejtat minerale në vendet afrikane. Një rajon tjetër i vendosur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është Azia Juglindore.

Pasi Trump kërcënoi me tarifa potencialisht paralizuese për ekonomitë e orientuara nga eksporti - si Vietnami, Bangladeshi dhe Indonezia - Pekini shfrytëzoi rastin për të forcuar lidhjet me këto vende. Ndërkohë, edhe aleatët historikë perëndimorë, si Kanadaja dhe Evropa, po shqyrtojnë mënyrën e diversifikimit të aleancave të tyre ekonomike dhe tregtare.

Së fundi, sulmet ndaj instituteve kërkimore, rrezikojnë të kompromentojnë avantazhin konkurrues të Shteteve të Bashkuara në botën shkencore. “Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shkencës dhe Inxhinierisë, qeveria federale financon rreth 40 për qind të kërkimit afatgjatë që mbështet inovacionet shkencore dhe teknologjike të Amerikës”, shkruan New York Times.

Administrata Trump po shkurton miliarda dollarë në grante për universitetet, shkencëtarët dhe studiuesit, duke sabotuar punën për çështje të tilla si rreziqet mjedisore, kontrolli i sëmundjeve, programet e klimës dhe energjisë së pastër, informatika, bujqësia, mbrojtja dhe inteligjenca artificiale.

Ajo ka shkurtuar edhe fondet për punën e sigurisë kibernetike që mbron rrjetin elektrik, tubacionet dhe telekomunikacionin. Mijëra ekspertë janë pushuar nga puna. Institucionet kanë frikë nga një largimi i trurit, teksa studiuesit amerikanë dhe të huaj kërkojnë diku tjetër për grante, vende pune dhe liri akademike”, thekson më tej NYT.

Po pse po i bën Trump të gjitha këto? Nëse do të kërkonim një ide “racionale” prapa përpjekjeve të tij për të minuar rendin botëror, mund të imagjinonim se ai nxitet nga frika e humbjes së garës me Kinën si fuqia kryesore në botë.

I bindur se në kushtet aktuale Shtetet e Bashkuara janë të dënuara të humbasin, ai mendon se mund të krijojë një kornizë të re me kushte më të favorshme dhe ta bindë Pekinin ta pranojë atë me forcë.

Por shumica e ekspertëve, thonë se kjo qasje është një rrezik i madh, para së gjithash sepse nënvlerëson dëmin e mëtejshëm që Shtetet e Bashkuara mund t’i shkaktojnë vetes në një përballje gjithnjë e më të fortë me Kinën.

Njëri, për të cilën po flitet ende pak, ka të bëjë me rolin e luajtur nga Pekini si investitor ndërkombëtar dhe blerës i borxhit amerikan. Gazeta New York Times intervistoi Antony Hopkins, një profesor historie në Kembrixh që ndër të tjera tha: “Nëse qasja e Kinës në tregun e gjerë të konsumit të SHBA-së do të kufizohet shumë, kjo do të rrezikonte të kompromentonte aftësinë e saj për të investuar në letra me vlerë të Thesarit të SHBA-së, gjë që do të kishte pasoja shumë negative për sistemin ekonomik dhe financiar amerikan”.

Në një nivel më të thellë, Pekinin duket se e favorizojnë kushte të tjera. Jo vetëm ato politike dhe demografike (e një popullsi shumë më e madhe, dhe një qeveri që nuk ka pse të shqetësohet për pasojat e zgjedhjeve të saj në aspektin e konsensusit), por edhe të tjera që kanë të bëjnë me natyrën e dy shoqërive.

Andrew Marr shkroi së fundmi në New Statesman: “Kinezët janë më të mësuar me vështirësitë. Shtresa e mesme është e pasur, por i kujton ende kohë të gjata dhe të vështira në të kaluarën. Amerikanët mund të kenë bindje politike dhe fetare, por ata janë në thelb konsumatorë.

Udhëheqësit e lëvizjes “Make America Great Again” mund të mendojnë se njerëzit e zakonshëm ndajnë vizionin e tyre romantik për fatin e dukshëm të kombit, dhe janë të përgatitur të bëjnë sakrifica për ta rifituar atë. Por a është vërtet kështu?

Konsumerizmi, pjellë e individualizmit liberal demokratik, është treguar deri më tani shumë jo patriotik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, njerëzve iu kërkua të mos blinin makina gjermane ose motoçikleta japoneze. Nuk funksionoi dhe s’do të funksionojë as sot.

Nëse makinat elektrike kineze janë më të lira, njerëzit do t'i blejnë ato. Familjet amerikane mund të nxiten të shtrëngojnë rripat, dhe të qëndrojnë të vendosur në përballjen e tyre me Kinën, por shumica e tyre do të shqetësohen më shumë për çmimin e telefonave të tyre inteligjentë dhe pajisjeve, inflacionin dhe vendet e punës.

Pak ditë më parë, New York Times publikoi një infografik, që na ndihmon të kuptojmë se sa i varur është një amerikan i zakonshëm nga produktet kineze. Shumë mallra bazë importohen pothuajse tërësisht nga Kina (pothuajse çdo gjë që amerikanët përdorin në kuzhinë dhe banjo, fishekzjarrët që ndezin në Ditën e Pavarësisë, karrocat e fëmijëve etj), dhe nuk ka gjasa që ato të zëvendësohen nga prodhimi vendas.

Madje me futjen e tarifave të reja, ato ka të ngjarë të bëhen më të shtrenjta. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kina nuk u frikësua kur Trump ngriti zërin për tarifat, dhe që po i zvarrit qëllimisht negociatat me Uashingtonin. Edhe Pekini ka interes tek negociatat dhe uljen e tensioneve: ekonomia kineze po tregon shenja dobësie, për shkak të krizës së strehimit dhe mosbesimit të konsumatorëve.

Shtetet e Bashkuara mbeten tregu më i rëndësishëm për eksportet kineze, dhe produktet që nuk eksportohen në Amerikë, vështirë se mund të devijohen për diku tjetër, duke pasur parasysh zhgënjimin në rritje në shumë vende për mënyrën se si Kina po i përmbyt tregjet e tyre me mallra me kosto të ulët.

Por Xi Jinping, ashtu si Putini në negociatat për luftën në Ukrainë, e ka kuptuar se sa më shumë kohë të kalojë, aq më i paduruar do të jetë Trump për të arritur një marrëveshje, për shkak të presioneve financiare në Shtetet e Bashkuara dhe sondazheve që zbulojnë pakënaqësinë e shumicës së amerikanëve me menaxhimin e ekonomisë nga ana e tij./Përshtati "Pamfleti" nga “Internazionale”

Lini një Përgjigje