
Mbi 130 kardinalë nga 70 vende, të mbyllur në kushte të rrepta izolimi, nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretash (të paktën 89 vota) për të zgjedhur Papën e ri.
Raundi i parë i votimit në Konklavën për zgjedhjen e pasardhësit të Papa Françeskut ka përfunduar pa një rezultat, duke u sinjalizuar nga tymi i zi që doli nga oxhaku i Kapelës Sistine rreth orës 21:00. Mbi 130 kardinalë nga 70 vende, të mbyllur në kushte të rrepta izolimi, nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretash (të paktën 89 vota) për të zgjedhur Papën e ri.
Procesi, i cili filloi sot pasdite me një votim të vetëm, pasohet nga një atmosferë pritshmërie në Sheshin e Shën Pjetrit, ku besimtarët dhe media presin zhvillimet e ardhshme.
Sipas rregullave të përcaktuara në Kushtetutën Apostolike “Universi Dominici Gregis”, Konklava do të vazhdojë me dy votime paradite dhe dy pasdite çdo ditë, derisa të arrihet një marrëveshje. Nëse pas tri ditësh nuk ka rezultat, parashikohet një pauzë deri në një ditë për lutje, diskutime dhe këshillime shpirtërore, të udhëhequra nga Kardinali Protodiakon, Dominique Mamberti.
Kujtojmë se për të garantuar fshehtësinë, Vatikani ka çaktivizuar sinjalet celulare dhe ka instaluar bllokues sinjalesh rreth Kapelës Sistine, ndërsa kardinalët janë të ndaluar të komunikojnë me botën e jashtme. Procesi do të përsëritet derisa një kandidat të fitojë shumicën e nevojshme, pas çfarë tymi i bardhë do të njoftojë zgjedhjen e Papës së ri, i ndjekur nga shpallja “Habemus Papam” nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Spekulimet për kandidatët përfshijnë emra si Kardinali Pietro Parolin (Itali), Luis Antonio Tagle (Filipine) dhe Peter Turkson (Ganë), por asnjë emër nuk është konfirmuar zyrtarisht. Konklava pritet të jetë intensive, me shpresën për një zgjedhje të shpejtë, siç ndodhi me Papa Françeskun në 2013-ën, që u zgjodh brenda dy ditësh.
Nesër, 8 maj, kardinalët do të rifillojnë votimet me katër raunde (dy në mëngjes dhe dy pasdite). Nëse asnjë kandidat nuk siguron 89 vota, procesi do të vijojë me të njëjtin ritëm. Pas shtatë votimeve të tjera të pasuksesshme, Kamerlengu do të konsultohet me kardinalët për hapat e mëtejshëm, por rregulli i shumicës së dy të tretave mbetet i detyrueshëm. Besimtarët në mbarë botën presin me ankth tymin e bardhë që do të sinjalizojë zgjedhjen e udhëheqësit të ri shpirtëror të 1.4 miliardë katolikëve.
Lini një Përgjigje