TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2026, 21:07

DASH në alarm, kërcënime për sulme ndaj amerikanëve në Arabinë Saudite

Shkruar nga Pamfleti

DASH në alarm, kërcënime për sulme ndaj amerikanëve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur alarmin për sigurinë e qytetarëve amerikanë në Arabinë Saudite, pas raportimeve për kërcënime ndaj vendeve ku ata frekuentojnë.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada e SHBA-së bëri të ditur se po monitoron situatën dhe rrezikun e mundshëm ndaj pikave të grumbullimit të amerikanëve. “Po ndjekim raportet për kërcënime kundër vendeve ku mblidhen qytetarët amerikanë”, thuhet në njoftim.

Autoritetet amerikane paralajmëruan se disa objekte mund të jenë në shënjestër. “Ne i këshillojmë qytetarët amerikanë se hotelet dhe pikat e tjera të grumbullimit, përfshirë bizneset amerikane dhe institucionet arsimore amerikane, mund të jenë objektiva të mundshme”, theksoi ambasada.

Si masë sigurie, qytetarëve amerikanë u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe larg dritareve deri në një njoftim të dytë.

Ky paralajmërim vjen në një moment tensioni në rritje në rajon, pasi Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se do të shënjestrojë kompani amerikane në Lindjen e Mesme duke nisur nga 1 prilli, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj Iranit.

Lini një Përgjigje