Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nisur një nismë të re diplomatike duke ftuar 50 vende për t’u bashkuar në krijimin e një “Bordi të Paqes”, si pjesë e Fazës së Dytë të planit të tij 20-pikësh për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Megjithatë, iniciativa nuk ka gjetur mirëpritje të gjerë ndërkombëtare dhe disa nga aleatët kryesorë kanë refuzuar të marrin pjesë.
Italia njoftoi se nuk do të jetë pjesë e këtij bordi, duke argumentuar se bashkimi me një grup të tillë nën drejtimin e një vendi të vetëm do të shkelte kushtet e kushtetutës së vendit dhe parimet e multilateralizmit. Gazeta Corriere della Sera raportoi se shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e legjitimitetit ndërkombëtar.
Norvegjia e hodhi poshtë ftesën me argumentin se organi i propozuar është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Zëvendësministri i Jashtëm norvegjez, Andreas Motzfeldt Kravik, i tha të martën gazetës Aftenposten se propozimi nuk përputhet me sistemin e drejtës ndërkombëtare dhe me mekanizmat ekzistues të paqes.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, refuzoi ofertën e Trump. Sipas raportimeve të “Politico”, stili dhe struktura e bordit të paqes ngrihnin pyetje të rënda për rolin e Kombeve të Bashkuara dhe për kufijtë e mandatit të tij, duke tejkaluar fokusin vetëm te konflikti në Gaza.
Holanda u bë vendi i radhës evropian që hodhi poshtë ftesën. Deputetja holandeze Kati Piri publikoi një përgjigje me shkrim ku shprehej se ishte “shumë herët” për t’u angazhuar dhe se Holanda nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të enjten.
Greqia gjithashtu duket e vendosur të thotë “jo” ndaj iniciativës Trump. Mediat greke raportoajnë se qeveria do të veprojë në koordinim me vendet e tjera evropiane dhe do t’i qëndrojë parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe respektit të integritetit territorial nën ombrellën e OKB-së.
Ka edhe shtete të tjera që janë në mëdyshje ose po shqyrtojnë refuzimin por ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare. Ndër ta janë Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Rusia, Ukraina dhe Kina. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e vendit të tij në një bord ku janë ftuar edhe Rusia dhe Bjellorusia.
Lini një Përgjigje