Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit paraqesin rrezik të shtuar për shëndetin, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë.
Për këtë arsye, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin masat mbrojtëse gjatë periudhave me vapë intensive.
Sipas mjekëve, më të rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, si edhe ata që punojnë në ambiente të hapura.
“Gjatë verës temperaturat e larta, përveçse janë një shqetësim, ndikojnë edhe në shëndetin tonë. Disa grupe në popullatë janë më të ndjeshme ndaj këtyre temperaturave, përfshirë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, të sëmurët kronikë apo personat që punojnë në ambiente të hapura”, shprehet mjekja e ISHP-së.
Ekspertët rekomandojnë kufizimin e daljeve gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 18:00, si dhe qëndrimin në ambiente të freskëta. Gjithashtu, këshillohet përdorimi i veshjeve të lehta dhe me ngjyra të çelëta, si dhe mbajtja e syzeve, kapelës dhe ujit gjatë lëvizjeve jashtë shtëpisë.
“Këshillojmë kufizimin e daljes në orët e pikut 11:00-18:00, qëndrimin në vende të freskëta, mbajtjen e trupit të freskët dhe veshjen me rroba të lehta e me ngjyra të çelëta. Kur dilni jashtë, mbani syze, kapele dhe ujë me vete”, thekson ajo.
Mjekët nënvizojnë gjithashtu rëndësinë e hidratimit të vazhdueshëm për të shmangur dehidratimin, ndërsa rekomandojnë shmangien e kafesë, pijeve alkoolike dhe atyre të gazuara. Në vend të tyre, këshillohet konsumimi i sa më shumë ujit, frutave dhe ushqimeve të lehta.
“Konsumi i ujit është i rëndësishëm për të shmangur dehidratimin. Duhet të shmangim kafen, pijet alkoolike dhe të gazuara, të ushqehemi lehtë dhe të konsumojmë sa më shumë fruta. Me pak kujdes dhe disa masa mbrojtëse mund të mbrojmë shëndetin tonë”, përfundon mjekja.
Lini një Përgjigje