
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka vijuar linjën e tij të njohur kritike ndaj NATO-s gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë marrë asgjë” nga kjo aleancë, përveçse barrës për të mbrojtur Europën nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Rusia.
“Shtetet e Bashkuara trajtohen shumë padrejtësisht nga NATO. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Ne japim shumë dhe marrim shumë pak në këmbim. Kam qenë kritik ndaj NATO-s prej vitesh, por kam bërë më shumë për ta ndihmuar këtë aleancë se çdo president tjetër. Po të mos ishte për mua në mandatin tim të parë, NATO nuk do ekzistonte sot”, deklaroi Trump.
Duke e lidhur këtë retorikë me luftën në Ukrainë, Presidenti Trump shtoi: “Jemi mijëra milje larg, të ndarë nga një oqean i madh. Kjo është një luftë që s’duhej të kishte nisur kurrë – dhe nuk do të kishte nisur nëse zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nuk do të ishin manipuluar”.
Presidenti amerikan vazhdoi të theksojë mungesën e reciprocitetit nga aleatët europianë: “Ne i kemi ndihmuar për vite të tëra, por nuk kemi marrë kurrë asgjë. E vetmja gjë që kemi bërë është të mbrojmë Europën – më parë nga Bashkimi Sovjetik, tani nga Rusia.”
Lini një Përgjigje