
E vërteta është se Vladmir Putin është shumë i varur nga Kim Jong Un, dhe ndihma që ai po merr prej tij, është në thelb një shenjë dobësie dhe jo force.
Një valë terrori po e përndjek Evropën. Të paktën kjo është përshtypja që vjen nga Kievi. Siç u shpreh së fundmi Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, një “bosht i ri i së keqes” po formohet në të gjithë botën, duke krijuar një aleancë ushtarake që po “sfidon demokracitë dhe rendin botëror”.
Frika e tij mund të jetë e kuptueshme deri në një farë pike. Koreja e Veriut, po planifikon të dërgojë në Ukrainë rreth 10.000 trupa për të forcuar operacionet e ushtrisë ruse në fushën e betejës. Ndërkaq Pheniani e furnizon Moskën me gjysmën e predhave të artilerisë që përdor në front.
Megjithatë, nëse një marrëveshje e qershorit të këtij viti midis këtyre vendeve, është padyshim shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për sjelljet agresive të Kinës kineze në Paqësor, Perëndimi po përballet më pak me një bosht të së keqes, dhe më shumë me një aleancë të komoditetit.
E vërteta është se Vladmir Putin është shumë i varur nga Kim Jong Un, dhe ndihma që ai po merr prej tij, është në thelb një shenjë dobësie dhe jo force. Shfaqja e papritur e koreano-veriorëve në vendin e tyre e alarmoi Kievin. Dhe pasur parasysh se si po shkon konflikti, gjuha dramatike e Yermak është më se e kuptueshme.
Gjatë muajve të fundit, rusët kanë shënuar përparime të mëdha në të gjithë Ukrainën, duke përparuar ndonjëherë deri në 1 kilometër në ditë, dhe duke kërcënuar qytete me rëndësi strategjike si Pokrovsk. Ndërkohë, në përgjithësi aleanca e fundit midis Moskës dhe Phenianit pasqyron ekzistencën e një miqësie të vjetër.
Të dyja këto vende, kanë pasur përgjithësisht marrëdhënie të ngrohta që nga ngjitja e Putinit në pushtet 25 vjet më parë. Pheniani ishte destinacioni i njërës prej vizitave të para shtetërore të presidentit Kim jashtë vendit, kur ai përshëndeti rolin e veçantë të ushtrisë sovjetike në “çlirimin” e Koresë së Veriut nga pushtimi japonez në vitin 1945.
Megjithatë, në mesin e viteve 2000 Moska e kritikoi fort sjelljen e çrregullt dhe të rrezikshme të Koresë së Veriut në skenën ndërkombëtare, pasi Putin shpresonte të forconte reputacionin e tij në skenën ndërkombëtare, duke luajtur rolin e ndërmjetësuesit në mosmarrëveshjen e Gadishullit Korean.
Gjatë viteve të para të Luftës së Ftohtë, regjimi i Koresë së Veriut u mbështet tek ndihma e Bashkimin Sovjetik. Më pas kaloi disa dekada duke e shtypur popullsinë e saj, dhe duke iu shmangur hakmarrjes sovjetike. Dinastia Kim nuk është trajtuar gjithmonë si partneri më i vogël, dhe lavdërohej apo kritikohej siç i leverdiste Moskës.
Por që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, Putini ka qenë i dëshpëruar të gjejë partnerë kudo që mundet. Tani, presidenti rus po bën përpjekje të hapura për ta rishkruar historinë dhe për ti cilësuar Rusinë dhe Korenë si partnerë të vjetër dhe të barabartë.
Partneriteti i sigurisë i nënshkruar këtë vit, dhe furnizimi në rritje nga Koreja e Veriut me ushtarë dhe predha, duket sikur tregon se barazia po përqafohet nga të dyja palët. Megjithatë, përkundër spektaklit të darkave zyrtare dhe finesës së deklaratave zyrtare, Putin është dukshëm i dëshpëruar për mbështetjen e Kim Jong Un.
Pavarësisht nga fitoret e fundit të Rusisë rreth qyteteve si Pokrovsk, kjo po ndodh në thelb për shkak të dobësisë së saj gjeopolitike. Rusia përballet aktualisht me një krizë të madhe në rekrutime, e nxitur kryesisht nga humbjet e mëdha që ka pësuar në front.
Çdo muaj, në ushtri hyjnë 30.000 burra, dhe i njëjti numër mbetet i plagosur, invalidë dhe kthehen në shtëpi ose vriten në fushën e betejës. Pavarësisht nga shpërblimet e mëdha të ofruara për ushtarët me kontratë që zgjedhin të regjistrohen, të cilat sipas disa vlerësimeve zënë aktualisht 1.5 për qind të shpenzimeve buxhetore, shteti rus është ende i detyruar që të kërkojë anekënd botës mercenarë për të mbështetur luftën e tij.
Një divizion rekrutësh të papërvojë koreano-veriorë, që nuk e flasin rusishten madje as oficerët e tyre, do të shfarosej shumë shpejt nëse hidhet në fushën e betejës si mish për top. Dhe nëse mbështetja e Rusisë tek Koreja e Veriut, tregon për një problem të saj ushtarak, ajo mbështetet tek Pheniani edhe ekonomikisht.
Ndonëse regjimi i Kim mund të prodhojë predha në një numër të madh, dhe thuhet se dërgon rreth 5 milionë copë tek aleatët e tij rusë, shumica prej tyre duket se janë prodhuar me një cilësi të dobët. Fakti që Putin po i pranon gjithsesi, tregon se nuk ka kujt t’i drejtohet tjetër për ndihmë.
Megjithëse Rusia po shpenzon tani rreth 40 për qind të buxhetit të saj për mbrojtjen dhe po i rinovon fabrikat e municioneve, ajo mbetet plotësisht e varur nga partnerët e jashtëm si Koreja e Veriut. Pavarësisht mburrjes me një ekonomi rreth 10 herë më të madhe se ajo e Koresë së Veriut, Rusia duket e paaftë që të zhvillojë një luftë të pavarur ndaj Ukrainës, e lëre më pastaj të nisë një sulm ndaj NATO-s si pjesë e një komploti të lig për ta shpërbërë rendin global aktual.
Nga ana e tij Pheniani, mund të ofrojë vetëm një mbështetje jo shumë domethënëse për partnerin e tij, ndihmë që gjithsesi po e japin kryesisht për të fituar para, marrë ndihmë për kërkime shkencore dhe për të mira të tjera materiale.
Me gjithë shenjat ogurzeza, i ashtuquajturi “bosht i së keqes” nuk duhet që t’i shqetësojë ndoshta dhe aq udhëheqësit perëndimorë. Përkundrazi, aleanca e qershorit po tregon pozitën gjithnjë e më të dobët të Moskës në skenën botërore. Putini, që nxiton të pranojë çfarëdolloj ndihme në ushtarë dhe armatime që i ofrohen, është katandisur në një lypës.
Dhe sapo koreano-veriorët të arrijnë një marrëveshje më të mirë, veçanërisht me Kinën, do kenë pak nxitje për t’i qëndruar besnikë Moskës. Nëse Kina e kërkon ose e blen mbështetjen e Phenianit për një pushtim të Tajvanit, lufta e Putinit do të harrohet në moment. Moska mund të ketë disa përfitime të vogla nga aleati i saj koreano-verior.
Por 10.000 trupa - sado e padëshirueshme që është prania e tyre në Ukrainë - nuk do ta ndryshojnë dot rrjedhën e luftës. Megjithatë, nëse bota në përgjithësi ka pak frikë nga miqësia e Putinit dhe Kim-it, a mund të shohë Perëndimi një mundësi të artë që duhet ta shfrytëzojë? Në rast se Kim Jong Un mund të joshet që të ndalë ofrimin e predhave dhe ushtarëve për Moskën, qoftë nga Kina apo nga një koalicion perëndimor, a mund të detyrohet një Rusi e rraskapitur të tërhiqet nga Ukraina? Natyrisht vetëm një veprim i tillë, nuk do të sjellë fitoren në këtë luftë.
Shumë i rëndësishëm është edhe ri-furnizimi i ushtrisë së rraskapitur të Ukrainës. Por është e sigurt se reduktimi i furnizimit me armë të Rusisë, do ta pengonte aftësinë e Putinit për të mbajtur linjën aktuale të frontit, apo për t’u përgatitur për një sulm tjetër kundër Ukrainës. I përçarë nga dallimet ideologjike dhe objektivat afatmesme të kundërta, “boshti i ri i së keqes” nuk është aspak i tillë./Përshtati "Pamfleti" nga "Ian Garner"
*Shënim:Ian Garner, asistent/profesor i studimeve totalitare në Institutin Pilecki në Varshavë. Libri i tij i fundit titullohet “Gjenerata Z:Rinia Fashiste e Rusisë”.
Lini një Përgjigje