TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Tetor 2024, 21:34

Shpërbërja e ngadaltë e Bashkimit Evropian

Shkruar nga Fraser Myers

Shpërbërja e ngadaltë e Bashkimit Evropian

Qeveritë pro-BE të Gjermanisë dhe Polonisë, po i sfidojnë diktatet e BE-së për migracionin dhe azilin.

A ka nevojë Britania e Madhe të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian? Për elitën që mbështeste dikur qëndrimin në bllok, BE-ja përfaqëson gjithçka që është e mirë dhe e shenjtë. Sipas tyre, ajo është një motor i dinamizmit ekonomik, një strehë e stabilitetit politik, dhe një fener i shndritshëm i vlerave liberale dhe demokratike.

Prandaj, po sipas tyre dalja prej saj në vitin 2016, e ka vendosur Britaninë në kursin e shkatërrimit ekonomik dhe social. Ndërsa e pranon Brexit-in në letër, kryeministri laburist Keir Starmer bie dakord me këtë qasje. Qeveria e tij po kërkon një ri-afrim të madh në marrëdhëniet Britani-BE.

Ai i sheh lidhjet më të thella tregtare me Brukselin, dhe një përafrim më të ngushtë me rregullat e BE-së, si jetike për fillimin e rritjes ekonomike në vend. Madje Starmer e sheh bashkëpunimin më të ngushtë me Evropën, si një zgjidhje për krizën e migracionit në Kanalin Anglez.

Përpara një takimi të fundit me kreun e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri britanik tha se është më e rëndësishme se kurrë që Londra të jetë në një linjë me Brukselin. Por kjo pikëpamje, duket të jetë një iluzion i kufizuar midis klasën sunduese të Britanisë.

Sepse edhe eurofilët më të zjarrtë në kontinent, po japin alarmin mbi problemet gjithnjë e në rritje të BE-së. Presidenti francez Emmanuel Macron, paralajmëroi në fillim të këtij muaji se BE-ja po përballet me një kërcënim ekzistencial për shkak të rënies ekonomike.

Qeveritë pro-BE të Gjermanisë dhe Polonisë, po i sfidojnë diktatet e BE-së për migracionin dhe azilin. Ndërkohë, votuesit evropianë po kthejnë masivisht vëmendjen drejt partive populiste dhe euroskeptike.  Marrëveshja e BE-së mbi migracionin, luftën ndaj ndryshimeve të klimës dhe për rritjen ekonomike, po vihet nën një presion shumë të madh.

Ndërhyrja më e rëndësishme ka ardhur nga Mario Draghi, një nga teknokratët më të vjetër të Evropës. Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministri i Italisë, u ngarkua nga Komisioni Evropian të hartonte një plan për të ringjallur konkurrencën evropiane.

Teksa po shkruante raportin e tij prej 400 faqesh, ai pranoi se kishte “makthe” mbi perspektivat ekonomike të BE-së. Siç e bën të qartë raporti i tij, blloku vuan prej kohësh nga probleme të mëdha ekonomike. Në fillim të këtij shekulli, BE dhe SHBA-ja ishin në një pozitë relativisht të barabartë.

Por që nga viti 2000, të ardhurat reale për frymë në BE, janë rritur sa gjysma e normës së SHBA-së. Tani SHBA-ja ia kalon dukshëm BE-në në teknologjinë e përparuar. Vetëm 4 nga 50 kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë janë evropiane. Unioni ka humbur gati 1 milion vende pune në prodhim vetëm 4 vitet e fundit.

Draghi paralajmëroi se në këtë situatë, BE-ja nuk ka më luksin të vetëkënaqet. Në fakt, unë mendoj se edhe vlerësimi i zymtë i Draghit i nënvlerëson problemet e Evropës. Ekonomitë e Italisë, Spanjës dhe Greqisë, janë sot më të vogla se sa ishin në fundin e vitit 2000.

Evropa Jugore u godit nga kriza e euros, dhe nuk e mori veten kurrë nga masat shtrënguese të imponuara nga BE në vitet 2010. Edhe ato ekonomi të BE-së që janë tradicionalisht më dinamike, kanë filluar të ngecin. Ose më keq akoma, të tkurren. Gjermania, që zakonisht shihet si fuqia ekonomike e Evropës, po de-industrializohet me shpejtësi.

Volksvagen, xhevahiri i industrisë gjermane të makinave, paralajmëroi për herë të parë në historinë e saj 87-vjeçare shkurtime të vendeve të punës dhe mbyllje të linjave të prodhimit. Të njëjtën gjë po bëjnë gjiganti kimik BASF dhe konglomerati i teknologjisë Siemens.

Në Francë, ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, borxhi po rritet në ato nivele që i pamë në Itali pak para krizës së euros. Në kundërpërgjigje, kryeministri i ri francez Michel Barnier ka propozuar shkurtime të mëdha të shpenzimeve publike. Vendi është në prag të një raundi të ri të dhimbshëm të masave financiare shtrënguese.

Për Draghin, vetëm një ndryshim radikal i politikave ekonomike, mund ta nxjerrë BE-në nga kjo krizë. Ai thotë se duhet të ketë një rishikim themelor të qasjeve mbi tregtinë, investimet dhe rregullimin.  Propozimi i tij më tërheqës është për një plan investimi i përbashkët me vlerë 800 miliardë euro.

Kjo shumë do të ishte më shumë se 2 herë me e lartë se ajo e Planit Marshall, i mbështetur nga SHBA-ja për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Draghi i ka kërkuar Brukselit që të nisë që tani reduktimin e burokracisë. Ai vë në dukje se 60 për qind e kompanive në BE i shohin rregulloret e tepruara si një pengesë për investimet dhe inovacionet.

Ndërsa qeveria federale e SHBA miratoi 3.500 ligje dhe 2.000 rezoluta midis viteve 2019-2024, në të njëjtën periudhë BE-ja miratoi 13.000 rregullore të reja. Por fondi i investimit prej 800 miliardë eurosh, është hedhur poshtë nga Gjermania dhe anëtarët e tjerë të unionit të fiksuar pas kursimeve.

Dhe burokratët që drejtojnë të gjitha fijet në Bruksel, nuk ka gjasa të dëgjojnë paralajmërimet e Draghit kundër rregulloreve të tepruara. Për më tepër, vëmendjes së Draghit duket se i ka shpëtuar axhenda ambjentaliste, një nga fajtorët kryesorë të rënies relative të Evropës. Përpjekja në mbarë BE-në drejt zero emetimeve të karbonit në atmosferë, po i rrit çmimet e energjisë dhe po i zhvendos fabrikat jashtë vendit. Gjithsesi elitat evropiane mbeten të përkushtuara ndaj kësaj politike dëshpëruese. Edhe pse kriza ekonomike e BE-së po bëhet më e fortë, pak njerëz në Britani duket se e kanë vënë re këtë gjë.

Qeveria laburiste, Whitehall dhe shumë nga mediat kryesore, vazhdojnë të na thonë se lidhjet më të ngushta me BE-në, do të ishin një ndihmë e madhe për bizneset britanike. Megjithatë, të gjitha shenjat që vijnë nga kontinenti tregojnë pse detyrimi për të zbatuar aq shumë rregullore dhe politika të BE-së do ta asfiksonin ekonominë britanike.

Është edhe më befasues besimi i Keir Starmer, se BE-ja ka përgjigjen e duhur  për krizën e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. Ai dëshiron që Britania të nënshkruajë një marrëveshje me Evropën për të rikthyer emigrantët që e kalojnë ilegalisht Kanalin Anglez. Duket se ai beson se Brukseli është shpresa më e mirë e Britanisë për të ndalur zbarkimin e emigrantëve nga varkat e vogla. Por kjo është një fantazi. Starmer është ndoshta i vetmi politikan në Evropë, që ka një pikëpamje pozitive për politikat e BE-së mbi migracionin. Sepse vetë zyrtarët me përvojë të BE-së, po e pranojnë me se sistemi i azilit është “i prishur’. Shumica e shteteve anëtare, kanë hequr dorë prej kohësh nga shpresa për një zgjidhje evropiane të krizës së emigrantëve. Një Pakt i Migracionit u miratua nga Këshilli Evropian në maj të këtij viti, pas disa vite negociatash.

Ai i detyron vendet anëtare, të ndajnë në mënyrë më të barabartë barrën e strehimit të refugjatëve jashtë BE-së. Ndërsa nuk do të hyjë në fuqi deri në qershorin e vitit 2026, disa shtete anëtare janë penduar që e kanë firmosur. Kështu në shtator, Hungaria dhe Holanda kërkuan që të përjashtohen nga pakti.

Kjo lëvizje nuk duhet të na befasojë, duke pasur parasysh se kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka kritikuar prej kohësh emigracionin jashtë BE-së, dhe partia më e madhe në qeverinë holandeze udhëhiqet nga lideri i ekstremit të djathtë Geert Wilders. Por kufijtë nuk po i rikthejnë vetëm qeveritë populiste të djathta.

Kryeministri polak Donald Tusk ishte dikur kreu i Këshillit Evropian. U soll si një eurofil i thekur. Por javën e kaluar, ai ndërmori hapin e jashtëzakonshëm të pezullimit të së drejtës për të kërkuar azil në Poloni. Tusk paralajmëron se çdo refugjat i mundshëm që vjen mbi kufirin Bjellorusi, do të kthehet mbrapsht dhe do të dëbohet nga ka ardhur.

Ky akt është një refuzim i madh i ligjeve të BE-së. Ndërkohë muajin e kaluar, kancelari gjerman Olaf Scholz, njoftoi vendosjen e kontrolleve kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë. Kjo në kundërpërgjigje të një sulmi terrorist islamik në Solingen të Gjermanisë Perëndimore, dhe ndaj presionit në rritje nga votuesit dhe partitë populiste.

Një veprim i tillë e ka rrëzuar Marrëveshjen e Shengenit, e cila supozohet të garantojë udhëtimin pa pasaporta të qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së. Liria e lëvizjes - një parim thelbësor dhe i panegociueshëm i Bashkimit Evropian - po sabotohet tani nga lideri eurofili i një shteti anëtar të fuqishëm të BE-së.

BE-ja nuk është më blloku më dinamik në aspektin ekonomik dhe politikisht i qëndrueshëm, me të cilën mburreshin deri dje edhe mbështetësit e qëndrimit të Britanisë në union. Ajo është sot një perandori në rënie, parimet themeluese të së cilës po vihen në pikëpyetje pa pushim, madje edhe nga mbështetësit e saj më të zjarrtë.

Brukseli është burimi i shumë problemeve të Evropës, dhe jo zgjidhja e tyre. Pavarësisht se paraqitet si një bastion i demokracisë liberale, Bashkimi Evropian është një institucion tërësisht antidemokratik, jo liberal, i udhëhequr nga një komision i pa zgjedhur me votë, dhe i krijuar enkas për t’ia marrë vendimet nga duart votuesve evropianë.

Ndaj çështja e demokracisë dhe e kontrollit të pushtetit, ishte kryesorja kur britanikët votuan me mençuri për ta braktisur BE-në në vitin 2016. Nëse e ardhmja e Britanisë varet vërtet nga një afrim më i madh me BE-në, atëherë kjo nuk është një e ardhme që e pret shumica e britanikëve. Plani i Keir Starmer për ta tërhequr Britaninë drejt Brukselit duhet të kundërshtohet me forcë./Përshtati "Pamfleti" nga “Spiked”

Lini një Përgjigje