
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë janë “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim dhe paqe në Gaza, duke shtuar se synon ta finalizojë atë “brenda pak ditësh”.
Në një intervistë për Axios, Trump tregoi se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës i kishte bërë thirrje që të pranojë planin amerikan për t’i dhënë fund luftës.
“I thashë ‘Bibi, ky është shansi yt për fitore’. Ai ra dakord. I thashë gjithashtu se nuk ka zgjidhje tjetër. Me mua duhet të jesh i mirë,” – rrëfeu Trump.
Deklarata e tij vjen pas disa ditësh diplomaci intensive, e cila ka afruar më shumë se kurrë Izraelin dhe Hamasin drejt përfundimit të luftës që nisi më 7 tetor 2023, pas sulmeve të befasishme të Hamasit mbi territorin izraelit.
Sipas burimeve të Axios, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Steve Ëitkoff dhe dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, janë nisur drejt Egjiptit, ku do të zhvillohen takime në Sharm el-Sheikh për të finalizuar detajet teknike të lirimit të pengjeve dhe për të negociuar elementët e marrëveshjes për paqen e qëndrueshme.
Zyrtarë të Izraelit Defence Forces (IDF) konfirmuan se që nga mëngjesi i së shtunës, forcat izraelite janë zhvendosur në operacione mbrojtëse në Gaza, duke ndërprerë sulmet ajrore përveç atyre “të domosdoshme për mbrojtje”. Ky zhvillim ndodhi pas thirrjes publike të Trump-it të premten që Izraeli të ndalonte ofensivën dhe të hynte në fazën e bisedimeve me Hamasin.
Në një deklaratë nga zyra e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se ka urdhëruar ndalimin e ofensivës për t’u “përgatitur për zbatimin e menjëhershëm të fazës së parë të Planit Trump”, e cila përfshin lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe ndalimin e luftimeve.
Ndërkohë, qeveria e Egjiptit konfirmoi se negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit mbi zbatimin e marrëveshjes do të nisin të hënën në Sharm el-Sheikh, nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara.
Lini një Përgjigje