Bashkimi Europian përfundoi tekstin final të marrëveshjes shumë të diskutuar tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas muajsh negociatash të vështira, duke kapërcyer një nga pengesat e fundit të mëdha para ratifikimit të marrëveshjes dhe shmangies së një përshkallëzimi të ri të tarifave transatlantike.
Marrëveshja u arrit në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare dhe eurodeputetëve, sipas presidencës qipriote të BE-së, e cila kishte marrë përsipër koordinimin e bisedimeve.
Marrëveshja parashikon që Bashkimi Europian të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa në këmbim SHBA do të mbajë një kufi maksimal tarifor prej 15% për eksportet europiane.
Kërcënimi i Trump për tarifa të reja
Marrëveshja merr rëndësi të veçantë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk ratifikohet deri më 4 korrik, tarifat për automjetet europiane do të rriten nga 15% në 25%.
Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare tani pritet të procedojnë me votimet përfundimtare për ratifikimin e tekstit.
Institucionet europiane vlerësojnë se marrëveshja mund të miratohet brenda afateve, me Parlamentin Europian që pritet të votojë më 16 qershor dhe kryeqytetet europiane të ndjekin menjëherë pas.
“Ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të balancuar është në interes të të dyja palëve”, deklaroi ministri i Tregtisë i Qipros, Mihalis Damianos.
Ndryshime dhe mekanizma mbrojtës europianë
Megjithëse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrikun e kaluar, ratifikimi i saj u vonua për shkak të reagimeve të forta në Parlamentin Europian.
Eurodeputetët kishin bllokuar disa herë procesin, fillimisht për shkak të deklaratave të Trump për Groenlandën dhe më pas pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së që anuloi një pjesë të kuadrit global tarifor të administratës amerikane.
Marrëveshja finale përfshin mekanizma të rinj mbrojtës në favor të Europës.
Mes të tjerash, negociatorët ranë dakord të zgjasin vlefshmërinë e marrëveshjes deri në fund të vitit 2029 në vend të vitit 2028, ndërsa u shtuan mekanizma për mbrojtjen e industrive europiane në rast të një rritjeje të menjëhershme të importeve amerikane.
Njëkohësisht, Komisioni Europian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA shkel angazhimet e saj.
Lini një Përgjigje