
Një program qeveritar premton një bonus 24.000 dollarë, kredi me interes zero për shtëpi dhe pushime falas jashtë vendit për t’i bindur adoleshentët të luftojnë kundër ushtrisë ruse në front. Por që nga shkurti vetëm 500 janë joshur nga kjo ofertë...
Zarichne, Ukrainë - Kyrylo Horbenko ishte vetëm 16 vjeç në verën e vitit 2023, kur bashkë me disa shokë hynë në një zyrë rekrutimi në Ukrainën Lindore, duke u thënë zyrtarëve se donin të luftonin kundër trupave ruse në vijën e frontit. Zyrtarët nisën të qeshnin me ta, duke u thënë të ktheheshin kur të rriteshin.
Por më vonë, shumica e tyre e humbën interesin ose ikën jashtë shtetit, tregon Horbenko. Vetë ai u rekrutua menjëherë pasi mbushi 18 vjeç në mars. “E kush do të luftojë për Ukrainën nëse nuk e bëjmë ne ukrainasit?”- pyet adoleshenti ndërsa përgatitej për kursin e tij të hyrjes në ushtri në një poligon stërvitor në Ukrainën Lindore muajin e kaluar.
Ajo që e dallon Horbenkon nga mijëra ushtarë të kalitur në beteja, përkrah të cilëve do të shërbejë, është se kur u regjistrua, siguroi për vete një kredi hipotekare pa interes, një shans të rrallë për të shkuar me pushime jashtë vendit dhe këstin e parë të një bonusi që arrin në total 1 milion hryvnia ukrainase, ose rreth 24.000 dollarë, një shumë që e tejkalon pagën vjetore të shumë ushtarëve me përvojë.
Rekruti i ri, është midis qindra personave që janë regjistruar që nga shkurti përmes një programi të ri shumë bujar të qeverisë në Kiev, që synon të tërheqë më të rinjtë në forcat e armatosura, të cilat kanë shumë mungesa. Deri tani numri i të regjistruarve është modest.
Por udhëheqësit e Ukrainës, shpresojnë që me kalimin e kohës programi, i njohur si Kontrata 18-24, do të ndihmojë në largimin nga vijat e frontit të ushtarëve më të moshuar. Fakti që po e bëjnë, këtë pasqyron problemin serioz me burimet njerëzore, i cili ka penguar përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës përballë një sulmi të pamëshirshëm rus në lindje të vendit.
Shumica e burrave që janë të gatshëm të luftojnë janë regjistruar shumë kohë më parë, dhe rekrutimi i më shumë ushtarëve po bëhet çdo vit akoma më i vështirë. Shumë burra të kualifikuar për të shërbyer - ata midis moshës 18 dhe 60 vjeç, që u ndalohet të largohen nga vendi - janë ose të fshehur ose kanë paguar ryshfete për t’iu larguar ilegalisht nga vendi dhe për t’i shpëtuar rekrutimit.
Kievi ka përdorur mënyra të ndryshme për të rimbushur radhët e ushtrisë së tij pas pothuajse 3 vjet e gjysmë lufte në shkallë të plotë. Ka kryer bastisje në klubet e natës, ka lejuar të dënuarit të lirohen para kohe nga burgu, dhe ka vendosur në rrugë reklama ku shkruhet: “Të gjithë do të luftojnë!”.
Vitin e kaluar, mosha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u ul nga 27 në 25 vjeç, lëvizje që i rriti përkohësisht numrat. Aleatët perëndimorë i kanë bërë prej kohësh thirrje Kievit që ta ulë më tej moshën, por presidenti Volodymyr Zelensky i ka kundërshtuar thirrje të tilla.
Sipas tij, Ukraina ka nevojë për të rinjtë e saj për rindërtimin e vendit sapo të mbarojnë luftimet. “Për mua është shumë e rëndësishme të mbroj jetën e popullit tonë, të rinjve tanë”- deklaroi ai në dhjetor për një gazetë franceze.
Ndërkohë, të rinjtë e moshës 18-24 vjeç kanë qenë kryesisht të lirë të vazhdojnë jetën e tyre, edhe pse komandantët e ushtrisë argumentojnë se gjallëria dhe energjia e tyre, do të forconin ushtrinë e plakur dhe të rraskapitur të Ukrainës. Dhe këtu hyn në lojë Kontrata 18-24.
Ajo ofron përfitime të ndryshme në këmbim të një angazhimi 1-vjeçar në ushtri, dhe përveç 1 milion hryvnia ukrainase, ofron një pagë mujore ekuivalente me thuajse 3.000 dollarë, 6 herë më të lartë se mesatarja kombëtare në Ukrainë. Po ashtu, për ta garantohet shkollim falas në universitet dhe zbritje në shërbimet shëndetësore.
Fushata agresive e Ukrainës në këtë drejtim, pasqyron lëvizjet e ngjashme në Rusi, që ka arritur të rekrutojë dhjetëra mijëra burra në forcat e saj të armatosura duke ofruar bonuse bujare për rekrutimin, që janë shumë më të larta se pagat mesatare në pjesën më të madhe të vendit.
Por deri më tani, pak të rinj janë joshur nga Kontrata 18-24. Qeveria thotë se vetëm rreth 500 veta i janë bashkuar skemës që kur ajo nisi në shkurt. Një mur burokracie e vonon shpesh procesin e integrimit të rekrutëve dhe shumë prej tyre ngurrojnë ose nuk duan të braktisin shkollën nën presionin e prindërve të tyre.
Zyrtarët ukrainas, thonë se është ende shumë herët për të gjykuar suksesin e programit. Pa asnjë paqe në horizont, dhe pavarësisht përpjekjes diplomatike njëmujore nga presidenti amerikan Trump, adoleshentët ukrainas thonë se gjenden para 2 zgjedhjeve: ose të bashkohen me ushtrinë ose të provojnë një karrierë profesionale që mund të ndërpritet nga mobilizimi sapo të mbushin 25 vjeç.
Por në vend të kësaj dileme shumë prej tyre zgjedhin emigrimin. Kështu Timur Ushak planifikon të transferohet në Sllovaki. Ai i ka parë shokët e klasës të ikin njëri pas tjetrit jashtë vendit nga qyteti i tij në Ukrainën lindore, kryesisht në Poloni ose Gjermani.
Tani 16-vjeçari, po studion gjuhën sllovake përpara një zhvendosjeje të planifikuar në Bratislavë për studime universitare vitin e ardhshëm. “Nëse largohem, e di që ndoshta është përgjithmonë”- thotë adoleshenti i gjatë dhe me trup atletik. Ai shton se e humbur besimin se konflikti do të mbarojë shumë shpejt.
Ndërkohë midis ushtarakëve të moshuar ukrainas, ekziston njëfarë pakënaqësie nga ky trajtimi preferencial i grupit të të rinjve, që kanë filluat të thirren me tallje me nofkën “milionerët”. Majori Yevheniy Hromadsky, një ushtar 24-vjeçar që në vitin 2022 mori medaljen Hero i Ukrainës, çmimi më i lartë ushtarak i vendit, tha se fitonte vetëm 12.000 hryvnia në muaj (288 dollarë) kur luftoi për mbrojtjen e Kharkiv në muajt e parë të luftës, një betejë në të cilën ai humbi të atin.
Hromadsky, që iu bashkua ushtrisë në moshën 18 vjeç, e pranon se ekziston një ndarje delikate brezash midis bashkëmoshatarëve të tij, të cilët i përjetuan vitet e tyre formuese pasi Rusia aneksoi Krimenë dhe pushtoi Ukrainën lindore në vitin 2014, dhe atyre që sot janë adoleshentë.
Shumica e të rinjve ukrainas, u bënë të pandjeshëm ndaj rrezikut të luftës kur konflikti me Rusinë u zbut midis viteve 201-2021, thekson Hromadsky. Ato vite paqeje relative, argumenton ai, nxitën vetëkënaqësinë dhe e zbehën gatishmërinë e tyre për të luftuar.
Ai argumenton se mënyra më e mirë për ta mbajtur ushtrinë e Ukrainës të pajisur me personel, është futja e dy viteve shërbim ushtarak të detyrueshëm midis moshës 18-20 vjeç, pas së cilës rekrutët mund të ndjekin universitetin me shpenzimet e shtetit. “Ushtria ka nevojë për logjistikë, ne kemi nevojë për inxhinierë. Na duhen edhe njerëzit me arsim të lartë”- shprehet ai. /Përshtati Pamfleti nga Wall Street Journal/
Lini një Përgjigje