TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Maj 2025, 20:37

Kostoja e fshehur për Izraelin e masakrave të Netanyahut në Gaza!

Shkruar nga Paolo Rossetti

Kostoja e fshehur për Izraelin e masakrave të Netanyahut në Gaza!

Thirrja e rezervistëve i ka futur në telashe serioze familjet dhe bizneset në Izrael. Historitë e tyre zbulojnë të vërtetën rreth luftës që media nuk e tregon. Ka dezertime, shmangie të rekrutimit dhe krizë në shumë sektorë të ekonomisë...

Shumë rezervistë refuzojnë t’i binden thirrjes për t’u rekrutuar në ushtri. Të tjerët përfitojnë nga shtetësia e dyfishtë për t’u larguar jashtë vendit. Mbështetja e Izraelit për luftën nuk është më aq e fortë, dhe midis ushtarëve, ekziston një refuzim gjithnjë e në rritje ndaj një konflikti, që për shkak të dhunës së shkaktuar dhe pasojave mbi popullsinë civile, po lë gjurmë edhe në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Filippo Landi, ish-korrespondent i RAI-t në Jerusalem dhe korrespondent për TG1 Esteri, thotë se këto janë sfida me të cilat Izraeli do të duhet të përballet herët a vonë. Edhe sepse shumë sektorë të ekonomisë kanë pësuar një ngadalësim të ndjeshëm dhe zëvendësimi i njerëzve të përfshirë në ushtrinë izralie, IDF, është gjithnjë e më i vështirë, pavarësisht ndihmës së madhe nga SHBA, e cila po përdoret edhe për të shlyer pagesat e rezervistëve që marrin leje nga puna për të shkuar në Gaza.

-E përditshmja e njohur izraelite, Haaretz, pohon se shoqëria izraelite po paguan një çmim të lartë për dërgimin e rezervistëve në front: familje të shkatërruara, kompani në kaos, vetëvrasje tek ushtarët. Është një aspekt i nënvlerësuar i luftës?

Konflikti pas sulmeve të 7 tetorit 2023, solli shfaqjen e dy llojeve të reagimeve të pakëndshme. Kur Ministria e Mbrojtjes shtoi numrin e rezervistëve, veçanërisht midis atyre që kishin marrë pjesë tashmë në operacionet ushtarake në Gaza, pati një rritje eksponenciale të atyre që nuk iu përgjigjën thirrjes. Numri ishte aq i lartë sa që nuk ishte e mundur të përdorej thjesht imponimi, duke përbërë një problem politik.

-Në çfarë mënyrash të tjera është shfaqur refuzimi për t’u rikthyer në front?

Marrja e një pasaporte të dytë,  e ka rritur veçanërisht tek të rinjtë, mundësinë që izraelitët ta shfrytëzojnë për t’u larguar nga vendi. Pra një numër gjithnjë e në rritje  të rinjsh, kanë ikur nga Izraeli me pëlqimin e familjeve të tyre, madje edhe për periudha të gjata, pasi e kanë përfunduar shërbimin e tyre fillestar si rezervistë.

Në disa raste kjo shifër ka arritur në gjysmë milion. Familjet u kujdesën enkas t’u jepnin fëmijëve të tyre një shtetësi të dytë, si për të shmangur luftën e vazhdueshme, por edhe sepse një pjese të qytetarëve nuk i pëlqen mënyra se si po ndryshon kultura civile dhe politike e shtetit izraelit. Pra sot kemi një lloj diaspore anti-klerikale kundër fundamentalizmit hebraik.

-Ku kanë shkuar ata?

Destinacionet janë të ndryshme: SHBA, Australia, Portugalia ose disa shtete aziatike. Një eksod i veçantë që mund të zgjerohet më tej.

-Si lindi distancimi nga lufta?

Midis tyre ka ushtarë që janë mburrur për atë që kanë bërë, dhe e kanë treguar veten me foto dhe video, ndërsa tallen me të vdekurit apo me njerëzit e dëbuar nga shtëpitë e tyre. Përveç kësaj, një numër gjithnjë e në rritje ushtarësh që kthehen tek familjet e tyre, kanë treguar se çfarë ka ndodhur në Gaza.

Dëshmi të tilla okulare, e kanë sabotuar censurën informative që ekziston në Izrael si në aspektin e imazheve ashtu edhe të përmbajtjes. Një organizatë e ish-ushtarakëve të rinj, “Thyerja e Heshtjes”, mblodhi kaq shumë dëshmi nga personeli ushtarak, saqë udhëheqësit e organizatës u arrestuan, u burgosën dhe më pas u liruan.

-A është vërtet kaq i kontrolluar informacioni  në Izrael?

Fotot e para të fëmijëve të vrarë në Gaza, u publikuan nga të afërmit e pengjeve. Ata e kuptuan se shkelja e armëpushimit, që parashikonte lirimin e njerëzve të rrëmbyer më 7 tetor në këmbim të përfundimit të luftës, vinte në pikëpyetje të ardhmen dhe jetën e të dashurve të tyre.
Ndërkohë, klasa politike, jo vetëm partitë e krahut të djathtë, por një numër gjithnjë e në rritje i anëtarëve të partisë Likud të Netanyahut, kanë filluar të përsërisin se s’ka nevojë për mëshirë, se vdekja e popullsisë civile të Gazës nga uria është një mjet i dobishëm dhe i vlefshëm. Dhe është e jashtëzakonshme hapësira që u jepet këtyre njerëzve në media.

-Si po ndikon konkretisht lufta tek familjet dhe bizneset?

Rezervistët marrin një pagesë të llogaritur në bazë të të ardhurave të tyre. Ka një fond të madh përmes së cilit shteti u jap atyre paga, sepse përndryshe do të mbeteshin pa të ardhura, pasi kompanitë ku punojnë i konsiderojmë me pushime.

Irzaeli e përballon falë mbështetjes amerikane, si ekonomike ashtu edhe ushtarake. Sipas një marrëveshjeje të bërë nga Bush, të mbajtur në fuqi nga Obama dhe pasardhësit e tij, SHBA-të ofrojnë më shumë se 3 miliardë dollarë në vit. Pa llogaritur financimin e jashtëzakonshëm. Nën administratën Trump, ndihma ka arritur në 4 miliardë dollarë në vit.

-A nuk mjafton kjo për të mbështetur ekonominë izraelite?

Në sektorin e bujqësisë, stafi po zëvendësohet me punëtorë aziatikë. Por shumë prej tyre u larguan nga frika e luftës. Por në sektorë të tjerë, si teknologjia e lartë, ekziston një fuqi punëtore që është e vështirë të zëvendësohet. Po ashtu, ka vështirësi në sektorin e ndërtimit, ku shumica e punëtorëve ishin palestinezë. Para luftës, ky sektor kishte shënuar një rritje rekord. Sot një pjesë e ekonomisë është ndalur. Por nuk mbaron me kaq.

-Çfarë pengesash të tjera duhet të kapërcejë Izraeli nga këndvështrimi ekonomik?

Nga këndvështrimi tregtar, bojkoti ndaj Izrael nuk është më një fenomen i kufizuar. Aq sa për disa produkte të destinuara edhe për tregun italian, u vendos të hiqej etiketa që të mos zbulohej origjina. Kjo bëhej për shembull për hurmat e prodhuara në territoret palestineze, në kolonitë e Luginës së Jordanit.

Kjo sjellje shkel rregullat e tregtisë, edhe sepse nuk pati sukses, pasi ato produkte, u tërhoqën nga tregu. Këto janë çështjet, që Izraeli duhet t’i marrë në konsideratë sepse mund të ndikojnë në vazhdimin e luftës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Sussidiario”

Lini një Përgjigje