46-vjeçari, i lindur në Gjeorgji dhe banues në Mynih, akuzohet se ka mbikëqyrur një gazetar kritik ndaj regjimit iranian
Një shtetas grek është paraqitur para një gjykate në Londër, i akuzuar se ka vepruar në emër të një shërbimi të huaj inteligjence për të mbikëqyrur një gazetar që kritikon regjimin iranian.
Sipas prokurorit Lee Ingham, 46-vjeçari vizitoi disa adresa të lidhura me gazetarin gjatë qëndrimit të tij në Britani, ku fotografoi dhe filmoi banesa si dhe targat e automjeteve. Gjatë vizitës së tij të dytë, ai dyshohet se vendosi një kamerë të fshehtë, të maskuar brenda një çorapeje, e cila kishte aftësinë të transmetonte të dhëna te persona të panjohur jashtë vendit.
Autoritetet britanike e akuzojnë atë për ndihmë ndaj shërbimit sekret të një shteti të huaj, që besohet të jetë Irani. Sipas prokurorisë, objektivi i veprimtarisë së tij ishte një gazetar i medias Iran International, një kanal në gjuhën perse i njohur për qëndrimin kritik ndaj qeverisë iraniane.
Hetimet tregojnë se i akuzuari udhëtoi në Mbretërinë e Bashkuar në dy periudha: nga 16 deri më 21 prill dhe nga 12 deri më 14 maj.
Sipas informacioneve të bëra publike deri tani, 46-vjeçari ka lindur në Gjeorgji, jeton në Mynih të Gjermanisë dhe më herët ka banuar në Ksanti të Greqisë.
Ai nuk i ka pranuar akuzat. Gjykata urdhëroi që të mbetet në paraburgim deri në seancën e ardhshme më 19 qershor, kur do të paraqitet para Gjykatës Penale Qendrore të Londrës.
Lini një Përgjigje