Presidenti amerikan zhvilloi një takim dyorësh në Shtëpinë e Bardhë, por nuk mori një vendim përfundimtar mbi propozimin për zgjatjen e armëpushimit me Teheranin.
Nuk ka ende “tym të bardhë” nga Presidenti amerikan Donald Trump për një marrëveshje me Iranin. Pas një takimi që zgjati rreth dy orë në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, Trump u largua pa marrë një vendim përfundimtar mbi propozimin që synon zgjatjen e armëpushimit dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e negociatave mes dy vendeve.
Megjithëse para takimit presidenti amerikan kishte lënë të kuptohej në rrjetet sociale se ishte gati të merrte një vendim, burime nga administrata thanë se disa çështje kyçe mbeten ende të hapura. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Uashingtoni beson se një marrëveshje është e arritshme, por negociatorët po diskutojnë ende për detaje të rëndësishme, përfshirë zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Trump ka kërkuar që çdo marrëveshje të përfshijë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrimin ndërkombëtar, garanci nga Irani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe masa që do t’i lejonin Shtetet e Bashkuara të kontrollonin çështjen e uraniumit të pasuruar iranian. Teherani ka kundërshtuar vazhdimisht këto kërkesa, duke i konsideruar ato të papranueshme.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se kontaktet dhe shkëmbimi i mesazheve mes Iranit dhe SHBA-së vazhdojnë, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai theksoi se bisedimet aktuale janë të fokusuara në përfundimin e konfliktit dhe jo në programin bërthamor iranian.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi bisedime me homologun e tij nga Omani, një prej vendeve që po luan rol ndërmjetësues në proces. Diskutimet janë përqendruar edhe te e ardhmja e administrimit të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Një marrëveshje eventuale do t’i jepte fund tensioneve të javëve të fundit, të cilat kanë ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri ushtarak në Lindjen e Mesme. Për momentin, megjithatë, negociatat vazhdojnë dhe palët mbeten larg shpalljes së një dakordësie përfundimtare.
Nuk e di pse nuk det gojen atë Mini Trump që është bere viral. Be soj se do I kish mbaruar punet shpejt e shpejt se është bere person shume simpatik ne të gjithë boten.