Nga korridoret e Brukselit te Shtëpia e Bardhë, ish-kryeministri britanik po promovon një plan që BE-ja e sheh me dyshim.
Megjithëse i përkasin epokave të ndryshme dhe skajeve të kundërta të spektrit politik, Tony Blair dhe Donald Trump kanë një pikë të përbashkët: të dy janë përcaktuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme.
Më shumë se dy dekada pasi Blair e çoi Mbretërinë e Bashkuar në pushtimin e Irakut dhe ndërsa Trump po përballet me luftën e vazhdueshme me Iranin, ky çift i pazakontë tashmë bashkohet rreth idesë se ndërhyrja perëndimore mund të riformësojë rajonin dhe të sjellë paqe afatgjatë.
Presidenti amerikan vitin e kaluar e emëroi ish-kryeministrin britanik në Bordin e Paqes (Board of Peace - BoP), një organ i ri ndërkombëtar i krijuar për të mbikëqyrur Gazën pas luftës. Plani i Trump për enklavën e shkatërruar nga konflikti është kritikuar në disa drejtime, por Blair e ka mbështetur publikisht.
“Ky mbetet shansi më i mirë, madje i vetmi, për Gazën, rajonin dhe botën në tërësi”, deklaroi ai në inaugurimin e Bordit të Paqes në shkurt. Mbështetja e Blair nuk kufizohet vetëm në qëndrimet e tij personale. Ajo kanalizohet edhe përmes organizatës së tij, Institutit Tony Blair për Ndryshim Global (TBI).
Siç zbuloi së fundmi Follow the Money, lobistët e TBI vitin e kaluar i kërkuan Komisionit Evropian t’i bashkohej Bordit të Paqes. Megjithatë, ndikimi dhe përpjekjet lobuese të Blair shtrihen shumë më tej.
“Një institut me shumë miq problematikë”
Intervista me burime të brendshme dhe dokumente të siguruara nga FTM tregojnë se ish-lideri laburist po përdor si institutin e tij ashtu edhe rrjetin e gjerë global për të promovuar vizionin e Trump për një Lindje të Mesme të ridizenjuar tek politikëbërësit evropianë.
Megjithatë, vendet e Bashkimit Evropian kanë mbajtur kryesisht distancë, gjë që nuk është e habitshme duke pasur parasysh ndjeshmëritë politike dhe polemikat që shoqërojnë Blair-in dhe TBI-në.
“Ne kemi nevojë që BE-ja dhe qeveritë evropiane të jenë garantues të një përpjekjeje shumëpalëshe, globale dhe humanitare për rindërtimin e Gazës, dhe të kundërshtojnë idetë groteske të Trump”, tha Kenneth Haar, studiues pranë organizatës Corporate Europe Observatory.
“Nga ky këndvështrim, instituti i Blair është një nga të ftuarit më pak të dëshiruar në Bruksel. Është një institut me shumë miq problematikë”, shtoi ai.

Një “projekt vaniteti”
Në moshën 73-vjeçare, Blair mbetet një figurë politike me ndikim dhe shfaqet rregullisht në forume ndërkombëtare si Davosi dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih. Megjithatë, ai vazhdon të përballet me pasojat politike të vendimit për t’iu bashkuar pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, si dhe me kritikat për bashkëpunimin me qeveri autoritare pas largimit nga posti.
Së fundmi, TBI është përfshirë në polemika pas raportimeve se ka marrë pjesë në një projekt konsultimi për rindërtimin e Gazës. Plani, i paraqitur në Shtëpinë e Bardhë, përfshinte ide si një “Trump Riviera” dhe një “Zonë Inteligjente Prodhimi Elon Musk”.
Instituti ka marrë gjithashtu qindra miliona dollarë nga fondacioni i miliarderit amerikan të teknologjisë Larry Ellison, aleat i Trump dhe i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Dy ish-punonjës të TBI-së i thanë FTM-së, në kushte anonimiteti, se Ellison ushtron ndikim të konsiderueshëm mbi institutin. Analistët politikë vlerësojnë se përpjekja e Blair për të siguruar mbështetje evropiane për Bordin e Paqes bie ndesh me interesat e Evropës në Lindjen e Mesme.
“Bordi i Paqes shihet në Evropë, në rastin më të mirë si një shpërqendrim dhe në rastin më të keq si një projekt vaniteti i Trump”, tha ish-diplomati James Moran, dikur këshilltar për Lindjen e Mesme në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Sipas tij, BE-ja ka refuzuar me arsye të përfshihet gjerësisht në këtë nismë, pasi ajo nuk ka legjitimitet ndërkombëtar, për shkak të mungesës së pjesëmarrjes kuptimplotë palestineze dhe dyshimeve serioze mbi mënyrën e qeverisjes. Megjithatë, Blair vazhdon ta promovojë projektin në takime jo publike me liderë dhe zyrtarë evropianë.
Blair si shpëtimtar?
Pas largimit nga posti i kryeministrit në vitin 2007, Blair u rikrijua si këshilltar ndërkombëtar dhe sipërmarrës politik. Në fund të vitit 2016 ai themeloi Institutin Tony Blair për Ndryshim Global me qëllimin për të ndihmuar liderët në strategji, politika dhe zbatim reformash.
Sot organizata numëron më shumë se 900 punonjës dhe operon në 45 vende. Mes ekspertëve të saj më të njohur janë ish-kryeministri italian Matteo Renzi dhe ish-kryeministrja finlandeze Sanna Marin. Financuesit e institutit përfshijnë Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Bankën Botërore dhe fondacione të lidhura me industrinë teknologjike, përfshirë atë të Larry Ellison.
Blair dhe organizata e tij janë përballur shpesh me kritika për klientët dhe qeveritë me të cilat kanë bashkëpunuar. Në vitin 2011 u zbulua se Blair kishte këshilluar për marrëdhëniet publike presidentin autoritar të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, pasi forcat e sigurisë kishin vrarë 15 civilë gjatë protestave antiqeveritare.
TBI ka ofruar më pas këshillim për qeveri në Arabinë Saudite, Egjipt, Azerbajxhan dhe Ruandë. Dy ish-punonjës të institutit deklaruan se puna e organizatës në Izrael dhe në vendet e Gjirit Persik ishte pothuajse e mbyllur për pjesën tjetër të stafit. “Puna jonë në Gjirin Persik dhe në Izrael ishte gjithmonë një kuti e zezë”, tha njëri prej tyre.
Sipas një ish-punonjësi tjetër, Blair e sheh Trump si një mundësi për të zgjidhur probleme që më parë konsideroheshin të pazgjidhshme, përfshirë ato në Lindjen e Mesme. “Blair e sheh veten si shpëtimtar”, shtoi ai.
Shqetësime për ndikimin e Larry Ellison
Zgjerimi i shpejtë i TBI është mbështetur pjesërisht nga fondet e Fondacionit Larry Ellison. Ky fondacion investoi 130 milionë dollarë në institutin e Blair gjatë viteve 2021–2023 dhe premtoi edhe 218 milionë dollarë të tjerë, sipas një hetimi të vitit 2025 nga Lighthouse Reports.
Një ish-punonjës tha se gjatë pandemisë së COVID-19, Blair u përqendrua fort tek teknologjia dhe transformimi dixhital. “Papritur gjithçka u përqendrua tek partneritetet me sektorin teknologjik”, tha ai. Një nga prioritetet kryesore lobuese të TBI në Bruksel është inteligjenca artificiale, ndërsa Oracle është pozicionuar si një aktor i rëndësishëm në infrastrukturën globale të IA-së. Hetime të fundit kanë ngritur dyshime se instituti i Blair ka vepruar herë pas here si kanal për interesat tregtare të Oracle.
Një ish-punonjës e përshkroi situatën si “shumë të vështirë për të mos e konsideruar konflikt interesi”.

Dhimbje koke për Bashkimin Evropian
Pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Blair dhe TBI nisën një ofensivë për të bindur vendimmarrësit evropianë lidhur me Lindjen e Mesme. Në mars të vitit të kaluar, Blair zhvilloi takime në Bruksel me Dubravka Šuica dhe Kaja Kallas.
Dokumente të siguruara nga FTM tregojnë se Kallas ishte planifikuar t’i kujtonte Blair-it se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Analistja e Institutit të Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë, Katarzyna Sidło, tha se përpjekjet e Uashingtonit për ta bërë Bordin e Paqes instrumentin kryesor të rindërtimit të Gazës kanë krijuar vështirësi politike për Evropën.
Shumica e vendeve të BE-së kanë refuzuar të bëhen anëtare të bordit dhe kanë ngritur shqetësime për strukturën e tij.
Ndër pikat më të debatueshme është fakti se statuti i organizatës e emëron personalisht Trump-in si kryetar, pa kufizim mandatesh dhe me të drejtën për të zgjedhur pasardhësin e tij.
“Ekzistonte frika se bordi nuk funksiononte si një organizatë shumëpalëshe normale, por si një institucion i udhëhequr nga axhenda personale e Presidentit Trump”, tha Sidło.
Për më tepër, dokumenti themelues i Bordit të Paqes nuk përmend zgjidhjen me dy shtete, e cila ka qenë për dekada baza e përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Përpjekjet vazhdojnë
Pavarësisht rezervave evropiane, Blair vazhdon të promovojë përfshirjen e BE-së në projekt. Në shkurt, ai zhvilloi takime me diplomatë nordikë dhe baltikë në Londër, ku argumentoi se Bordi i Paqes synon të plotësojë punën e Kombeve të Bashkuara dhe jo ta zëvendësojë atë.
Megjithatë, projekti po përballet me vështirësi serioze. Sipas raportimeve të The Guardian dhe Haaretz, bordi nuk ka marrë ende shumicën e fondeve të premtuara nga anëtarët e tij dhe për këtë arsye nuk mund të funksionojë plotësisht.
Ndërkohë, situata e sigurisë në Gaza mbetet e paqëndrueshme dhe procesi i rindërtimit nuk ka nisur.
James Moran vlerëson se Bordi i Paqes deri tani nuk ka dhënë asnjë kontribut real për paqen e qëndrueshme në Gaza.
“Përpjekjet e Blair dhe të tjerëve për ta afruar Bashkimin Evropian me këtë nismë ka shumë gjasa të ndeshen me rezistencë të fortë”, përfundoi ai. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje