
Departamenti i Shtetit ka publikuar listën e vendeve që do të preken fillimisht nga rregulli i ri, sipas të cilit, aplikantët për viza biznesi dhe turistike, duhet të kenë edhe një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti tha se do të fillojë programin pilot 12-mujor, sipas të cilit njerëzit nga vendet që konsiderohen se kanë norma të larta tejkalimi të lejes së qëndrimit dhe kontrolle të brendshme të mangëta të sigurisë së dokumenteve mund të detyrohen të depozitojnë garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur aplikojnë për vizë.
Në faqen zyrtare, Departamenti amerikan i Shtetit njofton se ka identifikuar shtetasit e vendeve si subjekt të obligacioneve të vizave, siç përcaktohet në Seksionin 221(g)(3) të INA-s dhe Rregulloren e Përkohshme Përfundimtare (TFR) të botuar së fundmi, duke krijuar programin pilot, bazuar në normën e tyre të tejkalimit të lejes së qëndrimit B1/B2.
Dy vendet e para të listës së DASH janë: Malavia dhe Zambia.
Të dy vendet e përzgjedhura në këtë projekt pilot nuk përfshihen mes atyre problematike sa i takon shkallës së shkeljes së afateve të vizave nga shtetasit e tyre. Kjo do të thotë se në pasurimin e listës me të tjerë vende, sikundër mund të ndodhë në të ardhmen, nuk është e thënë që të mos përfshihen edhe vendet me një kuotë të ulët të shkeljes së afateve të vizave, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Duke filluar nga 20 gushti 2025, çdo qytetar ose shtetas që udhëton me një pasaportë të lëshuar nga një prej këtyre vendeve, duhet të depozitojë një garanci në shuma prej 5,000 dollarësh, 10,000 dollarësh ose 15,000 dollarësh, të përcaktuara në kohën e intervistës për vizë.
Aplikanti duhet gjithashtu të dorëzojë një Formular I-352 të Departamentit të Sigurisë Kombëtare duke rënë dakord me kushtet e garancisë, përmes platformës së pagesave online Pay.gov të Departamentit të Thesarit.
DASH njofton se kjo garanci nuk garanton lëshimin e vizës.
Madje shtetasve që përfshihen në listën e DASH, e cila mund të pësojë ndryshime në të ardhmen, u përcaktohen edhe aeroportet nga ku mund të hyjnë në SHBA.
Si kusht për garancinë, të gjithë mbajtësit e vizave që kanë depozituar një garanci vize duhet të mbërrijnë dhe të largohen nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet:
Aeroporti Ndërkombëtar i Loganit në Boston (BOS)
Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy (JFK)
Aeroporti Ndërkombëtar i Uashingtonit Dulles (IAD)
Në njoftimin e DASH thuhet se shuma e plotë e garancisë së vizës do t'i kthehet aplikantit nëse ai përmbush të gjitha kushtet e statusit të vizës jo-imigruese dhe kushtet e garancisë së vizës, të cilat janë përcaktuar në formularin e garancisë (Formulari I-352 i Obligacioneve të Imigracionit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare) dhe në Regjistrin Federal.
Lini një Përgjigje