
Ndërkohë, duke ri-investuar në arsenalin bërthamor evropian të NATO-s dhe strukturën komanduese, Evropa gjithashtu do të mbronte veten nga çdo luhatje drastike politike në Shtetet e Bashkuara.
Forcat bërthamore të Evropës - ato të Britanisë së Madhe dhe Francës - janë shumë të afta, kryesisht të varura nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesërisht të integruara. Dhe me kërcënimet në rritje ndaj shteteve demokratike të Evropës Perëndimore, kontinenti duhet të rregullojë urgjentisht mburojën e tij bërthamore.
Tre vendet e NATO-s me armë bërthamore - ku SHBA-ja mban peshën kryesore - përdorin aktualisht sisteme që në thelbin e tyre janë forca të trashëguara nga Lufta e Ftohtë, dhe që synojnë të arrijnë parandalimin strategjik të sulmeve të mundshme nga kundërshtarët.
Dhe të treja po i modernizojnë sistemet e tyre, kryesisht të bazuara tek nëndetëset. Po ashtu, të treja kanë axhendat e tyre të brendshme dhe doktrinat bërthamore, edhe pse janë pjesë e së njëjtës aleancë. Gjithashtu, të treja po hyjnë në një epokë të ri-investimit tek aftësitë bërthamore pas vitesh të tëra mbështetje tek komanda dhe kontrolli, armët dhe platformat e vjetra të lëshimit.
Kjo u ofron mundësinë dy shteteve bërthamore evropiane që të ndërtojnë një strukturë të unifikuar komanduese bërthamore evropiane, për të garantuar që parandalimi bërthamor kontinental të jetë efektiv, i qëndrueshëm dhe të përfshijë të gjithë territorin e NATO-s.
Sigurisht, për arritjen e këtij qëllimi duhen kapërcyer pengesa të rëndësishme praktike dhe politike. Problemi i parë ka të bëjë me atë se kush do të zotërojë butonat e lëshimit. Problemi i dytë janë aleatët që nuk pajtohen me qasjen e aleancës, si për shembull Hungaria. Dhe e treta është nevoja e arritjes së një marrëveshje Britani-Francë por edhe me aleatët e tjerë.
Por duke pasur parasysh tablonë e zymtë ndërkombëtare, askush nuk mund ta vërë seriozisht në dyshim nevojën për ta pasur një sistem të unifikuar të komandës. Dhe me siguri të gjithë kanë dëgjuar ankesat e ukrainasve që e lidhin agresionin e drejtpërdrejtë të Rusisë me vendimin e tyre për të hequr dorë nga armët bërthamore në vitin 1994.
Atëherë çfarë duhet bërë? Së pari, meqë Shtetet e Bashkuara përballen me një konkurrencë gjeopolitike gjithnjë e në rritje në Indo-Paqësor, ka të ngjarë që t’i zhvendosin atje burimet në momentet më kritike dhe mund të mos luftojë në krah të Evropës në rastin e një krize, duke pasur parasysh edhe deklaratat e kandidatit republikan për president, Donald Trump.
Megjithatë, pasiguria është e rrezikshme në gjeopolitikë, dhe sidomos në teorinë e parandalimit. Dhe kjo e bën një çështje urgjente ndërtimin e një sistemi mbrojtës bërthamor evropian më të aftë. Demokracitë evropiane mund ta arrijnë këtë, duke shmangur përhapjen bërthamore, të cilën ata janë zotuar që ta shmangin.
Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si fuqi bërthamore të konsoliduara prej kohësh, kontinenti duhet të hartojë një sistem për t’i konsideruar zyrtarisht Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar si bartësit e saj të armëve bërthamore. Kështu do të formohej një komandë bërthamore evropiane brenda sistemit të NATO-s, duke bashkuar forcat bërthamore britanike dhe ato franceze.
Ndërkohë, duke ri-investuar në arsenalin bërthamor evropian të NATO-s dhe strukturën komanduese, Evropa gjithashtu do të mbronte veten nga çdo luhatje drastike politike në Shtetet e Bashkuara. Një qëndrim më i fortë bërthamor evropian, çliron burimet e Shteteve të Bashkuara për Indo-Paqësorin, por edhe përshpejton modernizimin e tyre bërthamor.
Së dyti, parandalimi bërthamor evropian i NATO-s u shërben të gjitha vendeve anëtare, por ofrohet vetëm nga Britania dhe Franca. Për të mbështetur Komandën Bërthamore Evropiane të NATO-s forcat e saj bërthamore, duhet të ketë ndarje të kostos nga të gjitha vendet evropiane.
Dhe kjo nuk është e thjeshtë. Sepse nëndetëset e reja të Mbretërisë së Bashkuar me armë bërthamore të klasit Dreadnought janë në ndërtim e sipër, dhe do të hyjnë në shërbim në fillim të viteve 2030 me një kosto prej 41 miliardë paund (52 miliardë dollarë).
Këtu nuk përfshihet kostoja e raketave të reja zëvendësuese Trident. Edhe nëndetëset e reja franceze Le Triomphant, pritet të janë gati deri në vitin 2035 me një kosto të ngjashme. Pasi të jenë përfunduar, 8 nëndetëset me raketa balistike franceze dhe britanike do të ofrojnë një parandalim të vazhdueshëm në det, me të paktën tre patrullime në çdo kohë të caktuar.
Përveç kësaj, Franca po e përditëson arsenalin e saj taktik bërthamor përmes raketës AMSPA-R. Nga ana e saj, Britania nuk ka pajisje taktike bërthamore. Pra ky është një biznes jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe NATO-ja evropiane nuk jep aktualisht asnjë kontribut. Kjo qasje duhej të ndryshojë.
Edhe nëse Franca dhe Britania e Madhe do të vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore financiare, 28 anëtarët e tjerë të aleancës evropiane duhet të mbajnë një pjesë të konsiderueshme të kostos, dhe duhet të ofrojnë infrastrukturë mbështetëse dhe lehtësira portuale.
Së treti, të gjitha vendet e NATO-s duhet të pranojnë, qoftë edhe vetëm tranzit dhe përkohësisht, armë bërthamore në territorin e tyre. Nga këndvështrimi i “goditjes së parë” dhe “kundërpërgjigjes”, sa më pak të dijë kundërshtari i mundshëm mbi pozicionimin e armëve bërthamore, aq më e vështirë bëhet një goditje e parë e mirë-llogaritur, dhe kjo e forcon parandalimin.
Së katërti, rritja e vëmendjes tek armët bërthamore me rendiment të ulët, i shton rreziqet për një agresor, dhe e forcon aftësinë tonë për të luftuar një kundërshtar. Rusia i ka shfrytëzuar dekadat e fundit për të ndërtuar një sërë armësh bërthamore me rendiment të ulët dhe “projektues” për misione taktike dhe operacionale.
Zhbalancimi serioz midis armëve strategjike dhe atyre taktike, e dëmton parandalimin, pasi një goditje ruse prej 1 kiloton (KT), në një kontekst më të gjerë, ose do të shoqërohet me një kundërpërgjigjet me një armë prej 10 megaton (MT) ose nuk do veprohet fare. (Armatimi aktual taktik bërthamor francez ofron disa opsione, por mendohet të jetë i vogël.)
Rusët kanë zhvilluar një sërë armësh bërthamore të veçanta, shumë prej të cilave nuk përputhen me aftësitë e NATO-s. Disa ekspertë argumentojnë se armë të tilla e ulin pragun për një luftë bërthamore. Por paaftësia për të reaguar siç duhet e dëmton parandalimin, dhe përbën një rrezik shumë më i madh për përdorimin e armëve bërthamore.
Së pesti, kundërshtarët e mundshëm të NATO-s dhe SHBA-së, po i shtojnë kërkimet e tyre mbi armët me impulse elektromagnetike (EMP) në të gjitha format dhe në një shkallë të gjerë. Ato bëjnë të mundur që sulmet ndaj aseteve të NATO-s dhe SHBA-së të jenë degraduese, veçanërisht në orët e para të një lufte.
Ndaj një komandë bërthamore evropiane e NATO-s mund të përshpejtojë, fokusojë dhe drejtojë kërkimin dhe armatimin, sulmues dhe mbrojtës, ndaj EMP, duke çuar në vendosjen në terren të këtyre aftësive. Komanda bërthamore evropiane e NATO-s, është një zgjidhje shumë e mirë për rritjen e sigurisë dhe parandalimit kundër një sulmi bërthamor ndaj vendeve evropiane të aleancës./ Përshtati "Pamfleti", nga: CEPA
Shënim: Jan Kallberg, anëtar i programit Transatlantik të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).
Lini një Përgjigje