TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Qershor 2024, 13:52

Dënimi i Trump, pikëpyetje mbi atë që mund të ndodhë nga tani në nëntor

Shkruar nga Nick Visser

Dënimi i Trump, pikëpyetje mbi atë që mund të

Nëse Trump fiton zgjedhjet në nëntor, është thuajse e sigurt se do të përpiqet të nxitë Departamentin e Drejtësisë që të hedhë poshtë dy paditë federale kundër tij.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, u shpall fajtor për të 34 akuzat në gjyqin e tij mbi  pagesën e paligjshme në këmbim të heshtjes, pasi një juri prej 12 njujorkezësh ra dakord unanimisht se ai ka falsifikuar të dhënat e biznesit, për të fshehur akuzat për një raport seksual me yllin e firmave porno Stormy Daniels.

Ky vendim e bën atë presidentin e parë në historinë e SHBA-së që dënohet, që është historike në vetvete, por po ashtu i paprecedentë, pasi aktualisht ai po kandidon për një mandat të dytë si kandidat i Partisë Republikane. Gjyqtari Juan Merchan i Gjykatës së Lartë të shtetit të Nju Jorkut, caktoi një seancë dëgjimore për 11 korrik, vetëm 4 ditë përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane. Por çfarë do të ndodhë më pas me Trump dhe Partinë Republikane?

A do të shkojë Trump në burg para konventës?

Dënimi i Trump është caktuar për 11 korrik, vetëm 4 ditë përpara se republikanët të mblidhen në Milwaukee për të zgjedhur kandidatin e tyre për president. Të 34 akuzat janë krime të klasës E, niveli më i ulët i krimeve në Nju Jork, dhe secili dënohet me gjobë deri në 5.000 dollarë ose deri në 4 vjet burg.

Gjykatësi Juan Merchan do të vendosë mbi llojin e dënimit, dhe do të marrë parasysh edhe historinë e Trump. Kjo mund të jetë në favor të tij, pasi më parë ai nuk ka qenë i dënuar për ndonjë krim. Përveç burgut, opsionet e tjera përfshijnë dënimin me kusht ose gjobë.

Dhe këto dënime mund të vonohen derisa ish-presidenti të ketë mbaruar të gjitha apelimet e tij, një proces i gjatë që mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë. Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, nuk iu përgjigj pyetjes së një gazetari, nëse ai do të kërkojë apo jo burg: ”Gjyqtari ka caktuar datën 11 korrik për të shpallur masën e dënimit. Ne do të shprehemi para gjykatës”. Është e sigurt se Trump do ta apelojë dënimin e tij.

A mund të kandidojë ende për president?

Po. Për t’u kualifikuar si kandidaturë për president ka vetëm disa kërkesa:të jesh të paktën 35 vjeç, të kesh lindur në SHBA, dhe të kesh jetuar atje për të paktën 14 vjet. Një dosje penale nuk e përjashton kandidimin në nivel federal.

A mund të votojë Trump në nëntor?

Me shumë gjasa, ai do të jetë në gjendje të votojë, por kjo mund të varet nga dënimi i tij. Trump është një banor i Floridës, shtet që i kufizon të drejtat e votimit kujtdo që dënohet për një krim, derisa të përfundojë dënimin e tij të plotë, përfshirë lirimin me kusht, dhe derisa të paguajë çdo gjobë ose tarifë.

“Një dënim për krime në një shtet tjetër, e bën një person të pakualifikuar për të votuar në Florida, vetëm nëse dënimi do ta pengonte personin të votonte në shtetin ku është dënuar”, shkruan Departamenti i Shtetit i Floridës në faqen e tij të internetit. Ndërkohë Nju Jorku i heq të drejtën vetëm atyre që janë dënuar për krime dhe janë burgosur në kohën e zgjedhjeve. Ndërsa pasi lirohen, qoftë edhe me kusht, mund të votojnë. Nga ana tjetër, Trump nuk do të lejohej të zotërojë një armë apo të jetë pjesë e ndonjë jurie gjyqësore.

Nëse përballet me burgun, ku do ta vuante dënimin Trump?

Është një pikëpyetje tjetër e ndërlikuar, që nuk është trajtuar kurrë më parë. Nëse Trump detyrohet të shlyejë dënimin pas hekurave, shërbimi sekret ka planifikuar shoqërimin e tij nga një agjent special. Megjithatë mbajtja e sigurt e ish-presidentit në burgjet famëkeqe të Nju Jorkut, paraqet një sfidë shumë të madhe.

New York Times, shkruan se ai do të duhej të mbahet larg nga të burgosurve të tjerë, ndërsa ushqimi i tij duhet të kontrollohet me imtësi për arsye sigurie. Trump mund të mbahet në një burgu të mbyllur ose pjesërisht bosh, që ai dhe agjenti të jenë të sigurt për jetën. Për të pandehurit normalë, një dënim prej më pak se 1 vit burg kryhet shpesh në ishullin Rikers. Ndërkohë ata me dënime më ta gjata mbyllen në një nga 44 burgjet e drejtuara nga Departamenti i Burgjeve të këtij shteti. Një zëdhënës i agjencisë së burgjeve të Nju Jorkut tha kohët e fundit për Times se nëse do të lindë nevoja do gjendet një “strehim i përshtatshëm”.

Nëse Trump fiton zgjedhjet në nëntor, është thuajse e sigurt se do të përpiqet të nxitë Departamentin e Drejtësisë që të hedhë poshtë dy paditë federale kundër tij: çështjen që lidhet me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara që mori pa leje nga Shtëpia e Bardhë, dhe një tjetër për rolin e tij në rebelimin e 6 janarit 2021 në Capitol Hill. Por krimet shtetërore nuk mund të fshihen me falje presidenciale. Këtë mund të bëjë vetëm guvernatori i Nju Jorkut.

Po urdhri për të mos komentuar mbi procesin në media?

Merchan ka të ngjarë ta anulojë shumë shpejt, duke e lënë Trump thuajse të lirë të flasë për rastin në publik dhe mediat sociale. Gjykatësi e ndaloi ish-presidentin të sulmonte anëtarët e familjes së Merchan, stafin e gjykatës ose dëshmitarët e mundshëm në këtë rast. Por tani është pothuajse i sigurt, se ai do të rinisë sulmet e tij inatçore.

Madje edhe kur ishte nën një urdhër të tillë, Trump e shkeli atë 10 herë dhe u përball me ndëshkime të tjera. Reuters vë në dukje se një urdhër mbrojtës i datës 7 mars - që pengon Trump ose avokatët e tij të zbulojnë emrat, adresat ose informacione të tjera identifikuese të jurisë - mund të mbetet në fuqi.

A do të shqetësohen republikanët për vendimin?

Kryetari i Kongresit, republikani Mike Johnson e quajti dënimin një “ditë të turpshme në historinë amerikane”, duke thënë se akuzat ishin “qesharake” dhe sulm politik. “Përdorimi si një armë i sistemit tonë të drejtësisë, ka qenë një shenjë dalluese e administratës Biden, dhe vendimi i sotëm është një provë e mëtejshme se demokratët nuk do të ndalen para asgjëje për t’i mbyllur gojën dhe shtypur kundërshtarët e tyre politikë”, shkroi ai në mediat sociale.

Ndërkaq drejtues të tjerë republikanë, janë zotuar ta përdorin këtë dënim për ta bashkuar bazën e partisë, duke shkuar në konventën kombëtare dhe më pas në zgjedhjet presidenciale. Pak orë pas vendimit mbi Trump, donatorët derdhën miliona dollarë të tjerë në fushatën e tij.

Çdo të thotë ky vendim për zgjedhjet presidenciale?

Askush nuk e di më saktësi. Përkrahja historike e zëvendësit të Trump në parti, nënkupton se dënimi mund ta motivojë më tej bazën e tij të fortë të mbështetësve. Por sondazhet e fundit sugjerojnë gjithashtu, se disa votues të mundshëm mund të rishikojnë qëndrimin e tij  përballë një vendimi që e shpall fajtor.

Dhe shumica e amerikanëve, nuk janë aq mbështetës ndaj pretendimeve të Trump se ai ka qenë viktimë e një persekutimit të padrejtë. Anketuesi Nate Silver, thotë se do jetë interesante të shihet se si votuesit, që janë relativisht të pavëmendshëm ndaj lajmeve të përditshme, do të sillen gjatë muajve të ardhshëm, dhe nëse votimi për një të dënuar, mund të ngrejë shqetësime personale. Sidoqoftë, ky vendim do të shndërrohet në një pikë të vazhdueshme debati, ndërsa vazhdon gara mes Trump dhe presidentit aktual Joe Biden./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: “Huffington Post”.

Lini një Përgjigje