TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Korrik 2024, 19:44

A mund të frenohen tiranët? Ja çfarë na tregon historia dekadave të fundit

Shkruar nga Tim Judah

A mund të frenohen tiranët? Ja çfarë na tregon historia

Në prill 2003, marinsat amerikanë ndihmuan në rrëzimin e statujës së madhe të Sadam Huseinit në Bagdad, e cila qëndronte në mënyrë të papërshtatshme në mesin e një rrethrrotullimi. Ishte fundi i regjimit të Sadamit. Por kur një grua e quajtur Mey pa sjelljen e amerikanëve, më tha: “Ky nuk është fundi, është vetëm fillimi!”.

Entuziazëm, shpresë, frikë. Këto janë emocionet që përjetohen kur rrëzohet një diktator. Javët pas rrëzimit të Nicolae Ceaușescu në dhjetor 1989, rumunët në Bukuresht luhateshin mes emocionit së mundësisë së rigjetur për të folur lirshëm me një të huaj pas disa dekada tiranie komuniste dhe frikës se kjo mund t’u shkaktonte ende në telashe.

Në prill 2003, marinsat amerikanë ndihmuan në rrëzimin e statujës së madhe të Sadam Huseinit në Bagdad, e cila qëndronte në mënyrë të papërshtatshme në mesin e një rrethrrotullimi. Ishte fundi i regjimit të Sadamit. Por kur një grua e quajtur Mey pa sjelljen e amerikanëve, më tha: “Ky nuk është fundi, është vetëm fillimi!”.

Ligji dhe rendi do të prisheshin brenda disa orësh, dhe si një e krishterë, ajo kishte frikë se forcat e islamizmit radikal do t’i kishin tani duar e lira, dhe komuniteti i saj i lashtë do të shfarosej. Mënyrat sesi përmbysen burra të tillë si Ceaușescu dhe Sadami, përshkruhen në librin “Si rrëzohet tiranët”  me autor politologun e njohur gjerman Marcel Dirsus.

Gjithsesi, kur ai flet për tiranët, është e qartë se mendon kryesisht për liderët e dikurshëm të hipur mbi kuajt. Të kuptuarit se çfarë i bën këta burra (dhe ata janë të gjithë burra), është shumë e rëndësishme në rast se duam të dimë se si t’i luftojmë ata.  

Megjithatë, siç argumenton Anne Applebaum në librin e saj “Autocracia”, autokracitë moderne kanë evoluar, ndaj lufta ndaj tyre është sot shumë më e ndërlikuar se kurrë më parë. Në librin e saj të shkëlqyer, autorja amerikane fituese e çmimit Pulitzer, argumenton se ekziston një ndryshim kryesor midis autokracive të sotme, dhe atyre që vranë dhjetëra miliona njerëz në shekullin XX-të.

Despotët e sotëm, nuk kanë asnjë arsye reale ideologjike për të justifikuar ekzistencën e tyre. Ata u ngjajnë perandorëve dhe monarkëve përgjatë gjithë historisë, puna e të cilëve ishte ta mbanin të nënshtruar popullin e tyre, të grumbullonin pasuri të mjaftueshme dhe vete dhe elitat që i mbështesnin, dhe për të zgjeruar feudet e tyre.

Interneti dhe pasuria u ka ofruar atyre mënyra shumë më tinëzare për t’u infiltruar dhe dobësuar shoqëritë tona nga brenda, sesa ishin në dispozicion të diktatorëve të dikurshëm. Kështu, Francisco Macias Nguema, që e sundoi Guinenë Ekuatoriale nga viti 1968 deri në rrëzimin dhe ekzekutimin e tij në vitin 1979, ishte një tiran i stilit të vjetër.

Dirsus, libri i të cilit është i mbushur me përshkrime të tmerrshme, citon deklaratën e Nguema-s:”Në politikë fituesi fiton, ndërsa humbësi vdes!”. Ai nuk ishte thjesht gjakatar, por psikopat. Arriti deri sa vrau edhe anëtarët e familjes së tij, përpara se të rrëzohej nga nipi i tij.

Për studiuesin e diktatorëve, Nguema është ndër 473 udhëheqësit autoritarë që e humbën pushtetin midis viteve 1950-2012, prej të cilëve 65 për qind u rrëzuan nga njerëz të brendshëm të regjimit. Dirsus vë në dukje se 57 për qind e fushatave të suksesshme jo të dhunshme kundër despotëve ose udhëheqësve autoritarë, kanë çuar drejt demokracisë.

Ndërkohë, për ato që përfshinin dhunën, shifra ishte më pak se 6 për qind. Por ndërmjet viteve 1950-2012, vetëm 20 për qind e autokratëve të rrëzuar, u pasuan nga demokracia.

Për tiraninë  nuk ka asnjë përgjigje të vetme, asnjë buton që mund të shtypësh dhe ta zhdukësh si problem”, thotë ai i trishtuar.

Duke pasur parasysh përmasat e gjera të studimit të tij, ky përfundim nuk është befasues. Por a është më pas realiste të flitet në të njëjtin libër për Nguema-n, liderët autokratë të Gjirit Persik dhe Viktor Orbánin e Hungarisë? Bazuar në çdo analizë mbi atë që duhet për të drejtuar një vend, duke përfshirë opsionet për zgjedhje të lira, respektimin e të drejtave të njeriut e kështu me radhë, atëherë Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman përkufizohet si një tiran.

Ndërkohë Orbán nuk është një despot vrasës i opozitës. Megjithatë, Freedom House, një institut amerikan që përpilon një klasifikim të përvitshëm se ku qëndrojnë vendet sa i përket të drejtave politike dhe civile, e rendit tani Hungarinë si “pjesërisht të lirë”. Kjo falë konsolidimit të kontrollit të Orbán mbi gjyqësorin, median etj.

Sot, Orbán ka pak miq në qeveritë e tjera perëndimore, dhe ka bërë gjithçka ka pasur në dorë për të ngadalësuar ndihmën për Ukrainën. Këtë muaj, ai u prit si mik i nderuar në Moskë, Pekin dhe Mar-a-Lago. Po pse ne në Perëndim, jemi miq me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat sipas Freedom House “nuk janë të lira, një qasje që e bën Hungarinë të duket si një demokraci model”?

Applebaum është e qartë mbi këtë aspekt. Në dallim nga rusët dhe kinezët, iranianët, koreano-veriorët dhe sundimtarët e Venezuelës “nuk synojnë që të minojnë botën demokratike”. Applebaum e përshkruan Hungarinë si një nga “autokracitë më të buta dhe demokracitë hibride”, krahas Singaporit, Indisë, Turqisë dhe Filipineve.

Ato “herë rreshtohen me botën demokratike, dhe herë të tjera jo”. Në këtë kategori, hyjnë shumë vende, veçanërisht në Jugun Global, të cilat liderët perëndimorë kanë dështuar t’i tërheqin pas kauzës së vlerave demokratike. Applebaum shton se sot autokracitë nuk drejtohen nga burra të keqij, por nga rrjete të sofistikuara që mbështeten në strukturat financiare kleptokratike, një kompleks shërbimesh sigurie - ushtarake, paraushtarake, policore - dhe ekspertë të teknologjisë që ofrojnë mbikëqyrje, propagandë dhe keqinformim.

Kryesisht kështu ka qenë edhe dikur. Por sot, argumenton ajo, ka një ndryshim të madh. “Ky grup nuk funksionon si një bllok, por më tepër si një grup kompanish, të lidhur jo nga ideologjia por nga vendosmëria e pamëshirshme e një mendjeje të vetme, për të ruajtur pasurinë dhe fuqinë e tyre personale.

Këta njerëz, kanë një qasje brutale pragmatike ndaj pasurisë, ata e “shfaqin lakminë e tyre” dhe kanë shpesh rezidenca shumë luksoze, dhe e strukturojnë pjesën më të madhe të bashkëpunimit të tyre njëlloj si një sipërmarrje fitimprurëse”. Sot Koreja e Veriut dhe Irani u shesin armë rusëve për të vrarë ukrainasit, por jo gjithçka e bëjnë për para.

Ushtarët kinezë stërviten së bashku me bjellorusët në kufirin polak. Ndërsa në platformën X të Elon Musk, mund të gjesh idiotë të dobishëm britanikë që punojnë për PressTV të Iranit, duke propaganduar tezate Rusisë se përse duhet të dorëzohet Ukraina. Dirsus thotë se në fund, qoftë përmes vdekjes natyrore apo largimit të dhunshëm, çdo tiran bie nga pushteti.

Meqenëse njerëz si Stalini, Mao dhe Franko vdiqën nga sëmundjet e pleqërisë, do të ishte mirë të dinim arsyen pse mbijetojnë disa nga tiranët më të këqij. Për eksperti ndoshta kjo ndodh sepse “mund të funksionojë shtypja e pamëshirshme”. Kështu, Partia Komuniste Kineze e siguroi mbijetesën e saj me masakrën e Sheshit Tiananmen të vitit 1989.

Por Viktor Janukovich i Ukrainës, dështoi të shtypte revolucionin e 2014-ës, pasi më shumë se 100 protestues të vrarë, shërbyen vetëm për ta radikalizuar opozitën dhe jo për ta vendosur atë nën kontroll. “Megjithatë, situatë nuk është e gjitha e zymtë! Ne mund t’i ndalim tiranët”, thotë Applebaum.

Kemi nevojë për një koalicion ndërkombëtar për të luftuar themelet ndërkombëtare kleptokratike të autokratëve, dhe për të punuar me aktivistë nga vende të tilla, shton ajo. Po ashtu, ne kemi nevojë për reformim të platformave të mediave sociale që përhapin informacione të rreme si X, të cilat janë plot me “narrativa ekstremiste, antisemite dhe pro-ruse”.

Ne duhet të zvogëlojmë varësinë tonë nga tregtia me Rusinë dhe Kinën, thotë ajo, sepse këto marrëdhënie biznesi po “korruptojnë vetë shoqëritë tona”. Libri i Applebaum, është një thirrje për të mbrojtur shoqëritë tona, të cilat mund të shkatërrohen jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, nga përçarjet dhe demagogët./Përshtati "Pamfleti" nga “Financial Times”

Lini një Përgjigje