TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Korrik 2025, 19:32

A ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes asaj që thotë Trump dhe asaj që bën Putini?

Shkruar nga Pamfleti

A ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes asaj që

Megjithëse nuk ka prova të qarta për një lidhje direkte, koha e sulmeve ruse përkon shpesh me deklaratat e ashpra të presidentit amerikan, por realiteti është më i thellë dhe më i rrezikshëm...

Dhuna brutale e ditëve të fundit në Ukrainë dhe deklaratat e nxehta të Donald Trump-it hedhin dyshime serioze për një lidhje të mundshme mes fjalëve të presidentit amerikan dhe reagimeve agresive të Kremlinit.

Fillimisht, Trump shprehu hapur zhgënjimin e tij ndaj mungesës së vullnetit të Putinit për të përfshirë Rusinë në një proces serioz paqeje.

"Na hedhin shumë broçkulla, për të mos thënë më keq", deklaroi Trump gjatë një mbledhjeje kabineti. “Është gjithmonë shumë i sjellshëm, por në fund del që nuk ka asnjë vlerë”, shtoi ai.

Një ditë më pas, si për t’i dhënë përgjigje deklaratave të tij, Rusia kreu sulmin më të madh ajror me dronë kundër Ukrainës, 728 dronë dhe 13 raketa u lëshuan në disa valë ndaj qyteteve ukrainase.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë si një “sulm domethënës”, i sinkronizuar qartazi për të penguar çdo përpjekje për paqe.

Ky nuk ishte një rast i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, pas një telefonate të gjatë me Putinin që nuk solli “asnjë përparim”, siç u ankua vetë Trump, Rusia bombardoi sërish Ukrainën me 539 dronë dhe 11 raketa, një nga sulmet më shkatërruese të luftës deri tani.

Nëse do të mbështeteshim vetëm te këto kronologji, do të na lejohej të mendonim se çdoherë që Trump flet ashpër për Putinin, Kremlini i përgjigjet me dhunë të shtuar ndaj Ukrainës.

Por situata është më e ndërlikuar se kaq.

Rusia ka ndërmarrë sulme masive edhe në periudha kur Trump nuk ka shprehur publikisht ndonjë qëndrim ndaj luftës. Më 29 qershor, për shembull, Moska kreu sulmin ajror më të madh të luftës, 477 dronë dhe 60 raketa, pa ndonjë koment të freskët nga Trump.

Madje, edhe kur Trump i tha liderëve të G7-ës se i vinte keq për përjashtimin e Rusisë nga G8-ta, Kremlini nuk u “zbut”, përkundrazi, rriti sulmet ndaj Kievit dhe vrau të paktën 28 persona në një natë të vetme.

As fjalët pozitive nuk shërbejnë si frenues për egërsinë e Putinit.

Nga ana tjetër, Kremlini mohon çdo lidhje mes deklaratave të Trump dhe vendimeve ushtarake të Moskës. “E marrim shumë qetësisht”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov, duke shtuar se “Trump ka stil të ashpër në përgjithësi”.

Në realitet, strategjia ushtarake e Rusisë është më shumë e lidhur me objektivat e saj afatgjata për të kapur sa më shumë territor përpara se konflikti të arrijë në një pikë ngërçi.

Rritja e përdorimit të dronëve, sipas vëzhguesve perëndimorë, lidhet më shumë me mungesën e raketave dhe rritjen e prodhimit të dronëve, sesa me ndonjë inat të beftë të Putinit ndaj ndonjë batute të Trump. /Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”

Lini një Përgjigje