
Nëse elektroshoku i Vance do të zgjonte opinionin publik nga letargjia e tij gjeopolitike, do të ishte një nga ato krizat që e bëjnë Evropën të rritet...
Njihuni me "Hillbilly" Vance. "Hillbilly" vinte nga Amerika e varfër dhe e margjinalizuar e Maleve Apalachian, por u diplomua në Yale. Ish-ushtari që shërbeu në Irak, kapitalisti sipërmarrës që ishte ndër të parët që ndërtoi ura nga e djathta populiste në botën e Elon Musk.
Numri dy në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, JD Vance, tanimë përfaqëson të ardhmen e “Trumpizmit”. Zv/presidenti Vance, në Mynih, “hodhi maskën” para gjithë botës. Kushdo që ende nuk kishte një ide të qartë për të, ai mundi ta bënte këtë në konferencën e rëndësishme në Gjermani.
Atij iu dha nderi që t'i shpjegonte establishmentit evropian se deri ku mund të shkojë rishikimi i rendit global i promovuar nga Shtëpia e Bardhë. Vance sulmoi qeveritë aleate dhe i dha legjitimitet të djathtës ekstreme. Ai e bëri atë në tokën gjermane dhjetë ditë përpara zgjedhjeve legjislative në atë vend. "Më shumë se Putini dhe Xi Jinping, evropianët duhet të ruhen kundër një armiku të brendshëm”, tha ai.
Një ideologji politikisht korrekte që censuron ata që mendojnë ndryshe, mohon të drejtën për të folur me anti-abortonistët ose partitë pro-naziste si AfD-ja gjermane.
"Nëse keni frikë nga zgjedhësit tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për ju”, deklaroi ai. Pasi kujtoi sulmet e fundit të frymëzuara nga xhihadistët në Gjermani, Vance u shpreh se qytetarët evropianë nuk votuan për të hapur kufijtë për miliona emigrantë.
Lidhur me çështjet më kryesore të konferencës strategjike të Mynihut, Vance tha se Amerika është e shqetësuar për sigurinë evropiane dhe mendon se mund të arrijë një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës, por "Evropa duhet të bëjë përparim të madh drejt aftësisë për të mbrojtur veten e vetme". Por, ai u shpreh ndryshe nga ajo që Donald Trump kishte deklaruar më herët për Putinin. Ai kërcënoi me sanksione të reja kundër Rusisë, madje edhe një rritje të presionit ushtarak, nëse Moska nuk rezulton të jetë "e arsyeshme".
Në vitin 2007, në një konferencë në Mynih, Putin shpalli planet e tij për hakmarrjen anti-perëndimore dhe rindërtimin e sferës së ndikimit carist ose sovjetik, të cilin pak e morën seriozisht. Kjo solli luftë në Gjeorgji në vitin 2008, pushtimi i Krimesë në vitin 2014 dhe më pas lufta në Ukrainë në vitin 2022.
Trump do të ishte i gatshëm t'i jepte Putinit dhe Xi Jinpingut më shumë liri veprimi në fqinjësinë e Rusisë dhe Kinës; për të dobësuar aleancat me Evropën dhe Japoninë; në këmbim të tregtisë botërore më të ekuilibruar në avantazh të SHBA-së dhe një kontroll më të madh amerikan në hemisferën perëndimore (nga Amerika e Jugut në Arktik).
Vetë ideja e Perëndimit si një qytetërim i lidhur së bashku nga një trashëgimi vlerash, është mjaft e huaj për Trump. Megjithëse Vance në mënyrën e tij, iu referua asaj trashëgimie historike kur akuzoi disa qeveri evropiane se shkelin lirinë e shprehjes.
Shpërbërja e aleancës Atlantike e ndërtuar nga Franklin Roosevelt dhe Harry Truman, dhe e mbajtur nga të gjithë pasardhësit e tyre demokratë ose republikanë, ka disa të meta. Kjo është në kontrast me akumulimin e madh të interesave materiale që lidhin të dy anët e Atlantikut, duke përfshirë ato grupe kapitaliste që evropianët sot i përshkruajnë si një "oligarki" në linjë me Shtëpinë e Bardhë.
Ka mundësi që kjo histori të jetë një variant i krizave të tjera familjare, episodeve të stuhishme që kanë tronditur marrëdhëniet transatlantike. Nga vendimi i gjeneralit De Gaulle për të braktisur komandën e integruar të NATO-s në kohën e Luftës së Vietnamit deri te prishja e marrëdhënieve të Gjermanisë dhe Francës me me Xhorxh W. Bushin kur ai pushtoi Irakun në vitin 2003. Sot Trumpizmi mund të interpretohet nga Netanyahu si një dritë jeshile për një sulm ndaj Iranit.
Vance krijoi panik në Evropë me ndërhyrjen e tij në Mynih. Tensionet mbi flukset e emigracionit të menaxhuara keq e kanë zhvendosur opinionin publik evropian në të djathtë, duke filluar me Francën shumë kohë përpara se Trump të hynte në politikë. Lufta tregtare e gjen Kontinentin e Vjetër në një pozicion dobësie ekstreme, ekonomia e tij është e paaftë të mbajë ritmin me atë amerikane.
Nëse elektroshoku i Vance do të zgjonte opinionin publik nga letargjia e tij gjeopolitike, do të ishte një nga ato krizat që e bëjnë Evropën të rritet.
Kthimi i shpinës në Evropë nuk është gjithashtu në përputhje me ambiciet e Vance dhe Elon Musk për të eksportuar Trumpizmin me sloganin Mega, ‘Bëje Evropën përsëri të Madhe’. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje