TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Prill 2024, 22:48

A ka bërë miq të vërtetë Izraeli në Lindjen e Mesme?

Shkruar nga Paul Wood

A ka bërë miq të vërtetë Izraeli në Lindjen e

Presidenti Joe Biden ka qenë i dëshpëruar për të arritur një marrëveshje paqeje izraelito-saudite. Por tani kjo gjë varet nga përfundimi i luftës në Gaza...

Kur avionët luftarakë jordanezë rrëzuan dronët iranianë që ishin drejtuar për në Izrael 2 javë më parë, në tokë pati thirrje të gëzueshme “Allahut Akbar”. Disa njerëz dolën nga dritaret e tyre për të brohoritur dronët që mendonin se po shkonin në destinacion.

Mbreti Abdullah II u përshkrua në mediat sociale i veshur me një uniformë ushtarake izraelite me Yllin e Davidit, dhe ai duhet të dëshironte që izraelitët ta mbyllnin gojën mbi “aleancën e tyre të re strategjike” me armiqtë e vjetër si Jordania, Egjipti dhe Arabia Saudite.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, u detyrua të bënte një deklaratë jo bindëse, se ushtria do të rrëzonte dronët e kujtdo, dhe jo vetëm të Iranit. Megjithatë, fakti kryesor mbetet:kjo është hera e parë, me aq sa mund të mbahet mend, që forcat e armatosura të Jordanisë kanë luftuar për të mbrojtur Izraelin.

Dhe kjo që po shohim është një Lindje e Mesme e re, e përbërë nga aleanca midis Izraelit dhe shteteve më të rëndësishme arabe ka rezistuar, pavarësisht 6 muajve të fundit kur publiku arab është shokuar nga fotot e fëmijëve palestinezë në Gaza të copëtuar nga bombat apo rraskapitur nga uria.

Ai është i pakënaqur por ende nuk është derdhur të protestojë nëpër rrugë. Një miku im në kryeqytetin jordanez, Aman, dëgjoi gjithë atë natë zhurmën e raketave por edhe të avionëve që u ngritën për t’i neutralizuar ato. Ai doli nga shtëpia dhe zbuloi se shumica e fqinjëve të tij e mbështetën atë që Forca Ajrore Mbretërore Jordaneze kishte bërë me urdhër të mbretit: “Nëse pushtoni hapësirën tonë ajrore, atëherë ne do t’ju rrëzojmë!”.

Ai jeton në një lagje të zgjuar të kryeqytetit, por mendon se edhe pjesa tjetër e vendit është dakord më këtë qasje, ndonëse me një shumicë të ngushtë, pasi 2/3 jordanezëve janë me origjinë palestineze. Megjithatë, ai pret që mbështetja e mbretit të vazhdojë edhe nëse Izraeli bombardon Iranin.

Mos harroni, më tha ai, jordanezët janë sunitë konservatorë, ata nuk e pëlqejnë Iranin po aq sa nuk e pëlqejnë edhe Izraelin. Konflikti me Teheranin është shumë më i rëndësishëm edhe për udhëheqësin saudit, Mohammed bin Salman (MbS), sesa lufta izraelito-palestineze, edhe pse lufta në Gaza ia bën të vështirë që të thotë hapur këtë.

Disa ditë më parë pati pretendime se Forcat Ajrore Saudite - ashtu si ato jordaneze - kishin rrëzuar dronët iranianë. Kjo sipas një raporti nga një agjenci izraelite e lajmeve, e cila nuk është konfirmuar zyrtarisht. Por pavarësisht sesi qëndron e vërteta, sauditët kanë në vendin e tyre avionët dhe radarët amerikanë që do ta kishin bërë të njëjtën punë.

Dhe ashtu si Jordania, edhe sauditët janë prej të paktën 3 vitesh pjesëtarë të një koalicioni jozyrtar të krijuar nga ushtria amerikane për t’u përballur me kërcënimin e raketave dhe dronëve nga Irani dhe ushtritë e tij përfaqësuese. Izraeli dhe Arabia Saudite, kanë dërguar shefat e tyre ushtarakë në takime të rregullta të organizuara nga Komanda Qendrore e SHBA-së, Centcom në Katar.

Komandantët e lartë nga Egjipti, Jordania, Katari, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ulur ulën në të njëjtën tryezë me izraelitët, duke shkëmbyer edhe informacione të klasifikuara. Përpara sulmit të Hamasit më 7 tetor, Bin Salman po shkonte drejt normalizimit të raporteve  politike me Izraelin.

Ai donte - dhe dëshiron ende - që t’i bashkohet Marrëveshjeve Abrahamike, të nënshkruara më herët nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, për ta njohur Izraelin si shtet dhe për të hapur marrëdhënie diplomatike. Marrëveshjet u negociuan nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Ato mund të përbëjnë tashmë bazën për një paqe të re në rajon. Presidenti Joe Biden ka qenë i dëshpëruar për të arritur një marrëveshje paqeje izraelito-saudite. Por tani kjo gjë varet nga përfundimi i luftës në Gaza. Joel Rayburn, që dikur drejtonte politikën ndaj Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, është një nga ata që beson se Irani qëndron pas sulmeve të Hamasit tetorin e kaluar, pikërisht për të penguar sauditët që të zyrtarizonin marrëdhëniet e tyre me Izraelin.

“Regjimi iranian prodhoi një konflikt me Izraelin, dhe po përpiqet ta përdorë atë konflikt për të konsoliduar kontrollin në disa vende kyçe në botën arabe”. Rayburn shpjegon se Irani ka përdorur njësinë e tij elitare, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, ose Forcat Quds, për të drejtuar grupet militante rreth rajonit:Hamasin dhe Xhihadin Islamik në Gaza; Hezbollahun në Liban dhe disa milici shiite në Irak.

Ai thotë se Forca Quds ka futur fshehurazi armë në Jordani dhe Bregun Perëndimor. Deri para tre javësh, gjenerali në krye të këtyre operacioneve ishte Mohammad Reza Zahedi. Ai u vra së bashkë më disa oficerë të tjerë të lartë iranianë, gjatë një sulmi izraelit me raketa në një ndërtesë në kryeqytetin sirian, Damask.

Por si është e mundur që Izraeli ia ka dalë të mbajë pranë aleatët e tij arabë, pavarësisht nga një lëvizje kaq të rrezikshme? Sepse Irani ishte përfshirë në një “fushatë të gjerë” të përshkallëzimit të situatës në rajon, duke përdorur Forcën Quds.

“Kryeqytetet arabe nuk janë të verbra. Ato kanë parë prej vitesh se ekziston një kërcënim në rritje nga regjimi iranian për stabilitetin dhe sigurinë e tyre. Ata ndihen të kërcënuar nga një armik i përbashkët me izraelitët. Kjo është edhe baza e këtij koalicioni, që është një i natyrës mbrojtëse”-thotë Rayburn.

Siç e thekson më tej eksperti, regjimi iranian ka vepruar gjithmonë me supozimin se nuk do t’i duhet kurrë të mbrohet në shtëpi, teksa i përdor përfaqësuesit e tij për të kryer sulme në Lindjen e Mesme. Udhëheqja në Teheran, i bëri llogaritë gabim duke lëshuar raketa drejt Izraelit nga territori i tij.

Një raport mediatik nga mbledhja e kabinetit izraelit që u zhvillua për të vendosur se çfarë do të bëhej, thoshte se nëse videoja e diskutimeve do të hidhej në YouTube, mbi 4 milionë njerëz do të turreshin në aeroportin Ben Gurion në përpjekje për t’u larguar nga vendi.

Anëtari më radikal i kabinetit, Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi se Izraeli duhej të tregonte se ishte “i përgatitur çdo skenar”. Ai iu referua “teorisë së të çmendurit” të Richard Nixon, të bazuar në bindjen se parandalimi varet nëse armiqtë tuaj do të mendojnë se ju do të bëni diçka të çmendur nëse provokoheni.

Por Nixon dërgoi sinjale - rrjedhje të bisedave të paqarta; një urdhër për të vënë në gatishmëri forcat amerikane - ndërsa izraelitët duket se synojnë të dërgojnë bomba. Ndoshta hapat e ardhshëm pritet të shpalosin një logjikë të tmerrshme.

Mund të pritet që Irani t’i drejtohet sërish për ndihmë Hezbollahut, milicisë së tij aleate në Liban, që ka dhjetëra mijëra raketa të drejtuara nga Izraeli. Sado e mirë që mund të jetë mbrojtja ajrore e Izraelit, ajo nuk mund të kapë secilën nga ato raketa.

Aktualisht duket se Lindja e Mesme është një ose dy llogaritje të gabuara larg katastrofës, pra një lufte më të gjerë. Dhe është e sigurt se shtetet arabe që qëndruan në krah të Izraelit 2 javë më parë, nuk kanë llogaritur këtë skenar. Ndaj viktima tjetër në konfliktin e Izraelit me Iranin, mund të jetë pikërisht koalicioni i ri i aleatëve arabë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Spectator”

Lini një Përgjigje