
Parashikimi i Di Liddos është se gjatë periudhës kohore që do të nisë brenda pak ditësh, dhe do të mbyllet kur të mbërrijnë në Ukrainë furnizimet ushtarake më të sofistikuara, rusët do të duhet të shtyjnë sa më shumë që të jetë e mundur në front për të pasur përfitime të mëtejshme territoriale.
Brenda pak ditësh, Ukraina do të fillojë të ketë atë që e kërkon prej disa kohësh nga Shtetet e Bashkuara:artileri dhe municione, të cilat do të pasohen në javët në vijim nga sistemet e shumëpritura të mbrojtjes ajrore. Së pari, për paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh do të duhet edhe drita jeshile e Senatit dhe firma e presidentit Joe Biden.
Dy gjëra të parëndësishme në krahasim me energjinë e madhe dhe kohën e gjatë që u desh për të zhbllokuar ngërçin në Kongres. Së dyti, është e kotë të mohohet rëndësia e kësaj ndihme të re, por do të ishte po aq utopike të mendohet se ajo përfaqëson një pikë kthese në këtë konflikt.
Sepse siç e thekson edhe Instituti për Studimin e Luftës, efektiviteti i saj do të varet nga shpejtësia me të cilën transportohen armët. Dërgimi i tyre me shpejtësi, mund t’i japë mundësi ushtrisë ukrainase të stabilizojë të paktën situatën në vijën e frontit, duke shmangur pengesat e reja si ato të kohëve të fundit.
Sikurse e theksoi drejtori i Qendrës për Studime Ndërkombëtare (CeSI), Marco Di Liddo, për Huffington Post Italia, paketa më e fundit e ndihmës së SHBA “do t'u garantojë ukrainasve një mbrojtje më të mirë dhe aftësi për t’u kundërpërgjigjur, duke goditur në thellësi të prapavijës së ushtrisë ruse”.
Në këtë aspekt, Liddo thotë se lehtëson presionin, por nuk e përmbys inercinë aktuale të luftës. Sepse për të dëbuar rusët nga territoret e pushtuara, do të duhen shumë më tepër pajisje. Moska ruan ende iniciativën në fushën e betejës, duke i shtuar sulmet dhe duke shtyrë sa më shumë përpara.
Vonesa e Perëndimit për t’i dhënë Ukrainës mbështetjen e nevojshme, solli edhe humbjen e kapacitetin sulmues të kësaj të fundit, dhe i detyroi trupat e saj të kalonin në pozicione mbrojtëse. Megjithatë, mbërritja e municioneve amerikane do t’i japë një stimul të ri, ashtu si edhe raketat e para me rreze të gjatë veprimi ATACMS, të cilat duhet të dërgohen deri në fund të kësaj jave.
Tani që Amerika ka dalë nga ngërçi, Rusia ka të ngjarë të shtojë fuqinë e saj të zjarrit në front. Për Kremlinin, ndihma e re “nuk do të ndryshojë asgjë”, përveçse do të “shkaktojë viktima të reja mes ukrainasve”. Siç e tha zëdhënësi Dmitri Peskov nuk është e sigurt sesi do të shkojnë gjërat, po për Rusinë dërgimi i armëve të reja nuk është një surprizë.
Edhe pse ka kërcënuar sërish me një luftë bërthamore, të cilit Polonia i është përgjigjur duke u shprehur e gatshme të pranojë armët bërthamore në territorin e saj, “Moska e dinte tashmë se herët a vonë paketa do të votohej dhe përfitoi nga 6 muaj vonesë, por pa pasur ndonjë pasojë shkatërruese” thekson më tej Di Liddo.
“Rusët kanë pasur disa përfitime të reja territoriale, por ato mbeten të kufizuara në një front në përgjithësi të palëvizshëm”- thekson më tej ekspeti. Liddo pret nga ushtria ruse një lloj vazhdimësie, pra një “një mobilizim të industrisë ushtarake dhe një intensifikim të marrëdhënieve me vendet që janë pro një reduktimi të peshës euro-amerikane në skenën globale, duke filluar nga Kinën, e cila po i lejon rusët që të vazhdojnë luftën duke importuar energji dhe eksportuar teknologji”.
Ndryshe është situata për Ukrainën. Kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak (GUR), Kyrylo Budanov thotë se “periudha e ardhshme do të jetë e vështirë, dhe do të ketë probleme duke filluar nga mesi i majit”. Megjithatë, në intervistën e tij për BBC, ai saktëson “se ditë të vështira dhe katastrofike, janë dy gjëra të ndryshme”.
“Ne kemi kaluar disa herë periudha të vështira dhe do ta kalojmë edhe këtë herë, më besoni. Nuk do të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme. Të gjithë i dimë paraprakisht planet e tyre. Shumica e tyre e kanë një përgjigje, edhe pse mbeten disa çështje që do të jenë të vështira për t’u zgjidhur. Por ne do ta gjejmë një përgjigje. Si gjithmonë, do të gjejmë diçka në momentin e fundit”- theksoi ai.
Problemet e ushtrisë ukrainase dihen prej kohësh. Dy janë kryesoret:sasia e furnizimeve të dërguara nga Perëndimi dhe mungesa e ushtarëve, që sipas Di Liddo “nuk mund të zgjidhet në një kohë të shkurtër”. Nëse mungesa e trupave mund të adresohet vetëm nga qeveria ukrainase me një mobilizim të ri, që duket gjithnjë e më i pashmangshëm duke pasur parasysh se mungesa e fuqisë punëtore është problemi më i madh, mungesa e mjeteve është e nxitur kryesisht nga aleatët.
Këta të fundit dërguan një “sasi ndihme e cila nuk mjaftoi për të ndryshuar situatën në fushën e betejës, duke mos guxuar të ndjekin një strategji që do ta ndryshonte vërtet situatën në front”. Një ndihmë e tillë mund të jenë avionët luftarakë F-16-të, të cilët “ukrainasit i presin si buka”.
Ndërsa nuk ka folur për shifra konkrete, Danimarka siguroi se do të mbajë zotimin për të dërguar avionëve të saj, siç kishte rënë dakord më parë me Ukrainën. Por Kopenhaga është një përjashtim. Pak vende janë të gatshme të ndjekin shembullin e saj, dhe këtu përfshihen partnerët evropianë që janë skeptikë rreth heqjes dorë nga sisteme e tyre mbrojtëse “Patriot”.
Duke iu drejtuar Këshillit evropian të Ministrave të Jashtme dhe të Mbrojtjes, kreu i diplomacisë ukrainase Dmytro Kuleba bëri thirrje për “veprim, dhe jo diskutime”. Por
Di Liddo thotë se përveç diskutimeve politike, problemi është i një natyre industriale. “Ekonomia evropiane duhet të mobilizohet, duke u orientuar drejt luftës, dhe për këtë nuk janë dakord të gjitha qeveritë. Disa kompani nuk janë gati të përballen me rrezikun e investimeve të caktuara, dhe frika për të shkuar në luftë është një temë tabu në Evropë, e cila frikëson dhe përçan”- deklaron ai.
Prandaj, parashikimi i Di Liddos është se gjatë periudhës kohore që do të nisë brenda pak ditësh, dhe do të mbyllet kur të mbërrijnë në Ukrainë furnizimet ushtarake më të sofistikuara, rusët do të duhet të shtyjnë sa më shumë që të jetë e mundur në front për të pasur përfitime të mëtejshme territoriale.
Por duke parë ritmin e ofensivës, ata do të jenë të kufizuar sepse ukrainasit janë të përgatitur për sulmet. Mund të ketë suksese të tjera të vogla, si pushtimi së fundmi nga rusët i një fshati tjetër në Donetsk, Novomikhailovka, por asgjë e jashtëzakonshme.
Pas kësaj, falë ndihmës së re amerikane edhe kjo iniciativë do të frenohet. Për presidentin e CeSI stina e verës përfaqëson “një periudhë vendimtare”. Kushtet e favorshme të motit, do t’i japin mundësi të dyja palëve që të shprehen në mënyrën më të mirë në fushën e betejës, aq më tepër Ukrainës.
“Teorikisht Kievi duhet të ketë një avantazh, duke qenë se po flasim për një ushtri që po kalon nga doktrina ushtarake sovjetike ose ruse, e cila është më statike dhe mbështetet tek fuqia e zjarrit, në atë perëndimore, e cila vë theksin tek lehtësia e manovrimit.
Pra, nëse terreni është në gjendje të mirë, atëherë je në pozicionin më të mirë për të operuar në mënyrën më të mirë. Rusët dhe ukrainasit, duhet të maksimizojnë fitimet e tyre deri në verë, për të arritur në fillim të tetorit në gjendjen më të mirë të mundshme”- përfundo Liddo.
Në vjeshtë do të zhvillohet një përballje tjetër, e cila do të jetë po aq vendimtare për të ardhmen e Ukrainës. Nëse në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ketë ndryshime, mbështetja për kauzën e tij do të vazhdojë.
Ndërkohë një rikthim i Donald Trump, mund të ndryshojë kartat në tavolinë. Për këtë arsye, Biden i kërkoi me këmbëngulje Kongresit që të miratonte paketën e re të ndihmës, ndoshta të fundit në këtë shkallë, për të shmangur një kolaps të Ukrainës. Të paktën për muajt e ardhshëm. /Përshtati “Pamfleti” nga “Huffingtonpost Post Italia”
Lini një Përgjigje