Për çfarë do të shkojnë në Bjellorusi mercenarët e Wagner-it?
Pas zbarkimit të tij në Bjellorusi, presidenti i 'Eurasia Group' Ian Bremmer, e përcaktoi Yevgeny Prigozhin si "një të vdekur që ecën". Ndërsa Mark Warner, kreu komitetit të inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, bëri humor të zi, duke u shprehur se kreu i Wagner ka zgjedhur "një nga të paktët hotele pa dritare, për t'u mbrojtur nga atentatet".
Që armiqtë e Vladimir Putinit shpesh bien nga kati i dhjetë ose u nënshtrohen dozave të përzierjeve radioaktive, është pjesë e kronikës së perandorisë së poshtme të Moskovit, por ndoshta është shumë herët për kreun e Wagnerit.
Dhe kjo jo vetëm sepse, Putini është mësuar t'i shërbejë hakmarrjet e tij të egra si pjata të ftohta, pa u nxituar. Por më tepër sepse, për momentin diktatori me ushtrinë e kartonit ka ende nevojë për shërbimet e kontraktorëve të Wagner-it: sigurisht në Afrikë, ku mercenarët luajnë një rol të paçmuar në vende të ndryshme, si garanci e grabitjeve dhe shkëmbimeve tregtare që lejojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet e Perëndimit.
Shefi i Wagner-it, i “falur” nga Putini ka mbërritur në Minsk herët në mëngjes dje. Dy avionë që i atribuohen grupit të tij u nisën, një nga Rostovi dhe një nga Shën Petersburg dhe mbërritën në destinacionin e tyre pothuajse njëkohësisht. Lukashenko njoftoi ardhjen e të ftuarit, të cilin efektivisht e mori peng në emër të zotit të tij Putin, ndërsa i kushtoi një trajtim të veçantë. Kushtet e marrëveshjes që njeriu i fortë (por në fakt shumë i dobët) nga Minsku negocioi në telefon në emër të Putinit, do të parashikonin dërgimin e armatimeve të rënda të Wagnerit në ushtrinë ruse dhe angazhimin për t regjistruar në ushtri mercenarët ose ata duhet të shkojnë në Bjellorusi.
Këtu fshihet misteri. Për çfarë do të shkojnë në Bjellorusi mercenarët e Wagner-it? Është e besueshme që Putini e detyroi Lukashenkon - i cili tashmë mirëpret bombat atomike ruse në territorin e tij - të nisë sulme mercenare kundër Ukrainës fqinje nga Bjellorusia, duke hapur kështu një front verior. Zyrtarisht, Lukashenko, i përdorur nga Putin për të gënjyer sistematike, kufizohet në mirëseardhjen e njerëzve të Prigozhinit, duke siguruar: "Nuk ka asnjë arsye për t'u frikësuar nga prania e tyre këtu. Forcat tona të armatosura do të përfitojnë nga përvoja e tyre'. Por kasapët e Wagner-it nuk ka gjasa të mbërrijnë si trajnerë...
Fati personal i Prigozhin duket i lidhur me ri-grupimin e njerëzve të tij. Në Afrikë ata do të mund të veprojnë edhe pa të. Ata që vendosin t'i bashkohen ushtrisë ruse, ka të ngjarë të vdesin në Ukrainë, ndërsa procesi i ripunësimit në Bjellorusi do të marrë pak kohë. Askush nuk do të na tregojë të vërtetën për fatin e Prigozhinit në Minsk, si dhe atë të kolonelëve të tij të kompromentuar. Por Bremmer ndoshta ka të drejtë me shprehjen: “Prigozhin është një i vdekur që ecën”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Giornale”
Lini një Përgjigje