
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pret shumë telashe dhe probleme në Kosovë, por nuk specifikoi më shumë. Gjatë festës së Vidovdanit në Beograd, Vuçiç foli për zhvillimet në Kosovë i cili u shpreh gjithashtu se Kosova përpiqet ta shkatërrojë vendin tonë.
“Nuk e di se si do të shkojë me Kosovën. Ata përpiqen ta thyejnë dhe shkatërrojnë vendin tonë nga brenda”, tha Vuçiç në një tubim të organizuar nga Partia Përparimtare Serbe.
Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389. Patriarku serb, Porfirije, mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në Graçanicë të Kosovës.
Ai tha se u bën thirrje të gjithëve që të kontribuojnë për paqen në Kosovë, ndërsa nga serbët e Kosovës kërkoi që me shembullin e tyre, t’u japin mësim të gjithëve.
Në pjesën veriore të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, tensionet janë të larta që në fund të majit. Serbët protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Tensionet kanë agravuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Gjithashtu, është raportuar për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.
Lini një Përgjigje