Narrativa e papërshtatshmërisë së politikës gjermane në fushën e mbrojtjes me nuancat e tradhtisë ndaj Ukrainës dhe marrëveshjeve të fshehta me Rusinë vetëm sa po bëhet më e fortë. Gjermania është një objektiv i lehtë për të gjithë të tjerët, dhe “komunitetit strategjik” pëlqen të bashkohet në sulmet ndaj Berlinit.
Të godasësh Berlinin për shkak të lënies pas dore të ushtrisë është bërë një sport shumë popullor midis ekspertëve dhe zyrtarëve në të gjithë NATO-n. Sidomos kancelari Olaf Scholz, nxit jo pak kritika me qasjen e tij të kujdesshme ndaj furnizimit me armë të Ukrainës me armë, të cilat shpesh shkojnë deri në përbuzje për atë që shihet si një qëndrim i tij i dobët ndaj çështjeve ushtarake dhe përballjes me Rusinë.
Vitin e kaluar ishin tanket “Leopard”, që megjithëse ndihmuan, nuk bënë diferencën në fund të kundërofensivës verore të Ukrainës. Tani në qendër të debatit janë raketat “Taurus” me rreze të gjatë veprimi: një aftësi e dobishme në letër, por që si çdo gjë tjetër, i nënshtrohet kompleksitetit operacional të luftës, dhe ka të ngjarë të mos jetë një mjet çudibërës.
Në çdo rast të tillë, ndërsa Scholz vonohet shumë para se të marrë një vendim kryesisht për arsye politike të brendshme, duke pasur parasysh koalicionin e tij qeverisës shumë të brishtë vlera simbolike e armës në fjalë rritet në vorbullën e ekspertëve ndërkombëtarë që flasin mbi këtë temë.
Pra narrativa e papërshtatshmërisë së politikës gjermane në fushën e mbrojtjes me nuancat e tradhtisë ndaj Ukrainës dhe marrëveshjeve të fshehta me Rusinë vetëm sa po bëhet më e fortë. Gjermania është një objektiv i lehtë për të gjithë të tjerët, dhe “komunitetit strategjik” pëlqen të bashkohet në sulmet ndaj Berlinit.
Një pjesë e kësaj sjellje është e nxitur qartazi nga pakënaqësia e madhe (dhe e justifikuar) ndaj “angazhimit” historik të Rajhut të Dytë dhe të Tretë me pjesën tjetër të Evropës. Sigurisht disa kënaqen kur e shohin Gjermaninë e fuqishme - e cila ka dominuar për dekada në Evropë - në cepin e ringut, të paktën në aspektin politik. Një shpjegim tjetër për frymën anti-gjermane për momentin, është se tashmë ka pritshmëri të mëdha nga ky vend, të cilat nuk plotësohen lehtë dhe shpejt.
Këta kritikë shprehen shpesh në terma moralë, të lidhur me atë që këto ditë shihet zakonisht si faji i dyfishtë i këtij vendi në lidhje me sigurinë evropiane. Akuza e parë ka të bëjë me politikën e Gjermanisë për Rusinë nën drejtimin e Merkel, e mishëruar nga projekti i gazsjellësit “Nord Stream”.
Gjermania u furnizua me energji të lirë, duke siguruar dominimin e saj industrial dhe ekonomik të Evropës; ndërsa Putin përfitoi jo vetëm një shumë të madhe parash që më vonë u përdor për të financuar luftën e tij kundër Ukrainës, por fitoi gjithashtu ndikim politik mbi vendimmarrjen gjermane.
Por bashkëpunimi ruso-gjerman shkoi shumë më thellë - një volum i madh tregtar mes dy vendeve edhe në periudhën e “sanksioneve” të pas 2014-ës - por edhe më tej në kohë, pikërisht që nga koha e Ostpolitik të Willy Brandt. E gjithë kjo e bën Gjermaninë në sytë e shumë njerëzve, një fajtore të madhe qoftë edhe indirekte në tragjedinë që ka ndodhur në Ukrainë.
Sjellja e Berlinit dhe varësia e vetë-imponuar nga gazi rus, shihet sot gjerësisht si ato që e inkurajuan Putinin të përshkallëzonte agresionin e tij në Evropë. Po Gjermania nuk e zbatoi në boshllëk këtë politikë. Ka pasur edhe udhëheqës të tjerë evropianë që e brohorisnin gjatë atë qasje.
Njëri prej tyre ishte Mark Rutte, kryeministri holandez në detyrë, dhe vetë një mbështetës entuziast i “Nord Stream”, i cili tani po kërkon me paturpësi postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Akuza e dytë kundër Gjermanisë ka të bëjë me shpenzimet në mbrojtje.
Gjermania nuk ka shpenzuar 2 për qind të PBB-së për ushtrinë që nga fillimi i viteve 1990. Dhe mesatarisht ka shpenzuar për mbrojtjen vetëm rreth 1.2 për qind të PBB-së gjatë dekadës së fundit. Disa vende evropiane, si Britania e Madhe, e morën seriozisht përmbushjen e pragut prej 2 për qind të shpenzimeve të PBB.
Ndërkohë, Berlini kurseu qindra miliarda euro, të cilat i futi në ekonomi, duke e thelluar në këtë mënyrë avantazhin e tij ndaj vendeve konkurrente. Nuk ka dyshim se para shkurtit të vitit 2022, Gjermania kishte ndërtuar për vete një sistem jashtëzakonisht të përshtatshëm dhe vetë-përjetësues të epërsisë ekonomike në Evropë.
Ajo kurseu shuma të mëdha parash si në energji (për shkak të aleancës së ngushtë me Rusinë) por edhe në mbrojtje (falë tolerimit të NATO-s), të cilat vetëm sa i thelluan avantazhet e tjera të saj brenda BE-së, siç është sistemi monetar i euros.
Prandaj ajo e Merkelit ishte një epokë e bollëkut dhe e suficiteve buxhetore. Pushtimi i Ukrainës nga Putin e rrëzoi të gjithë modelin gjeoekonomik të Gjermanisë, duke e futur vendin në krizë. Kjo e detyroi Olaf Scholz-in, që vetëm pak ditë pas luftës, ta përfytyronte këtë ndryshim si një Zeitenwende apo “fundi i një epoke”.
Siç sugjeron de-industrializimi i shpejtë i Gjermanisë që nga viti 2022, vlerësimi i kancelarit ishte shumë i saktë. Dhe kjo na sjell tani tek ditët e sotme, kur - me çështjen e “Nord Stream” që tashmë ka kaluar në plan të dytë - pjesa tjetër e botës perëndimore po i bën presion Gjermanisë që të korrigjojë “gabimin” tjetër të saj të së kaluarës dhe të riarmatoset në një shkallë të madhe.
Por shumë analistë nuk ndalen aq sa duhet tek gjithë pasojat e këtij riarmatimi. Një Gjermani që shpenzon 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen, do të kishte buxhetin më të madh të mbrojtjes në Evropë. Me këtë ritëm do të shpenzonte rreth 82 miliardë euro në vitin 2024, duke pasur parasysh se PBB-ja vitin e kaluar ishte 4.121 miliardë euro me 0.3 për qind rritje këtë vit.
Kjo do të tejkalonte ndjeshëm edhe shpenzimet e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, duke e rrëzuar Britaninë nga piedestali i saj si shpenzuesja më e madhe për ushtrinë në Evropë. Me
kalimin e kohës, rindërtimi i fuqisë ushtarake gjermane do të nisë të ndryshojë në mënyrë të pashmangshme marrëdhëniet politike në Evropë.
Është e vërtetë që sot Bundeswehr është në një gjendje mjerane, dhe që vendi duket ende shumë i lidhur, psikologjikisht dhe kulturalisht me barrën e tij historike. Por këto gjëra mund të ndryshojnë, sidomos kur zbehet kujtesa e brezave të rinj.
Ata që bërtasin sot për riarmatimin e Gjermanisë duhet ta bëjnë këtë me supozimin se kjo do të forcojë parandalimin e NATO-s kundër Rusisë në një periudhë afat shkurtër (3-5 vjet), që është koha e mundshme për një sulm të supozuar rus drejt perëndimit në rast se kapitullon Ukraina.
Por gjermanët nuk do të jenë të gatshëm të luftojnë Rusinë brenda kësaj periudhe kohore edhe nëse do të donin, dhe gjithsesi nuk do t’i ndryshonin dot planet e Putinit, nëse ai do të jetë vërtetë i vendosur për më shumë luftë.
Pra, i vetmi rezultat real i detyrimit të Gjermanisë që ta rrisë ndjeshëm fuqinë e saj ushtarake, do të jetë grumbullimi i më shumë problemeve politike për Evropën në të ardhmen, pasi një shtet më i fortë, tenton natyrshëm që të mbrojë me më shumë energji interesat e tij.
Mbase avokatët e vendosur të kësaj politike besojnë ashtu si Francis Fukuyama gjatë viteve 1990, se ne i kemi shpëtuar disi historisë dhe cikleve të saj, apo se “popujt (njerëzit) ndryshojnë”. Kjo është një pikëpamje shumë bujare, por një marrëzi që injoron atë që kemi mësuar nga dy luftërat botërore.
Ka nga ata që theksojnë se gjatë Luftës së Ftohtë, Gjermania Perëndimore mbajti një ushtri të madhe - rreth gjysmë milioni trupa, plus rreth 700.000 rezervistë - pa ndonjë shqetësim të madh për sa i përket rrezikut politik që lidhet me këtë institucion ushtarak. Por ajo situatë ishte aq e ndryshme sa ishte e parëndësishme për të sotmen.
Së pari, në atë kohë Republika Federale kishte forca të mëdha aleate të dislokuara në tokën e saj, që ishin gati të përballeshin me sovjetikët, por ndërkohë po mbanin nën kontroll gjermanët. Më e rëndësishmja, vendi u nda, me Gjermaninë Lindore në duart e komunistëve, ndaj fushëveprimi i saj ishte tërësisht i kufizuar.
Në vitet 2020 dhe 2030, rivendosja e fuqisë së plotë ushtarake në nivele shpenzimesh më të mëdha se çdo komb tjetër evropian - në një Gjermani të bashkuar, do ta kthente orën pas jo në mesin e Luftës së Ftohtë, por në kohët e Bismarkut. Siç e kanë theksuar herë pas here Henry Kissinger dhe të tjerët, një Gjermani e bashkuar me një ekonomi dhe ushtri të plotë, e destabilizon automatikisht sistemin evropian, në sajë të mekanikës gjeopolitike bazë të ekuilibrit të fuqisë.
Megjithatë, nëse në këtë fazë do të ishte i mundur një ndryshim kursi, cila duhet të ishte politika alternative? Sigurisht, Berlinit nuk duhet t’i jepet leje që t’i shmanget mbrojtjes së Evropës. Ai duhet të ndajë barrën dhe të kontribuojë në kauzën e përbashkët, jo vetëm duke ndërtuar fuqishëm ushtrinë e tij.
Në vend të kësaj qasje, Gjermania mund të marrë rolin e “arsenalit të Evropës”, duke financuar fabrika të reja armatimi, të cilat mund të furnizojnë forcat e tjera evropiane me çmime më të ulëta dhe në sasi të mëdha. Së fundi, Gjermania mund dhe duhet të vazhdojë
të udhëheqë Evropën në mbështetjen financiare dhe ushtarake për Kievin./ Përshtati "Pamfleti", marrë me shkurtime “Brussels Signal”
Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategji dhe bashkëpunëtor në Institutin Jorktaun.
Lini një Përgjigje