TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Mars 2024, 10:41

Vetëm një ekonomi lufte mund të shpëtojë Perëndimin nga revanshi i autokracive me në krye Rusinë!

Shkruar nga Anders Fogh Rasmussen
Vetëm një ekonomi lufte mund të shpëtojë
Vladimir Putin

Përballë kërcënimit të ripërtërirë nga një autokraci e militarizuar, ne duhet të përsërisim arritjet e Knudsen dhe t'i vendosim ekonomitë tona mbi një bazë lufte. Kjo do të kërkojë veprim nga politikanët, industria dhe sindikatat, por edhe udhëheqësit që duhet t'i reduktojnë diskutimet e pafundme, burokracitë dhe kohët e gjata të dorëzimit të porosive.

Dy vjet pas fillimit të pushtimit nga Rusia, forcat ukrainase janë dukshëm në disavantazh ndaj armikut. Rusia ka një avantazh të municionit në raportin 6 me 1 përgjatë vijës aktuale  të frontit. Nëse vazhdon kjo situatë, atëherë ambiciet e Vladimir Putin do të bëhen realitet.

Mos-balancimi në furnizimet me armë është një dështim i madh i aleatëve të Ukrainës në Perëndim. Koreja e Veriut i dërgoi Rusisë në një muaj po aq municione artilerie sa Bashkimi Evropian ka mundur t'i dërgojë Ukrainës brenda një viti.

Rusia prodhon 3 milionë predha në vit, ndërsa SHBA-ja dhe Evropa të marra së bashku janë në gjendje të prodhojnë vetëm 1.2 milionë predha për Kievin. Pavarësisht fuqisë së madhe ekonomike të botës demokratike, ne jemi duke u tejkaluar nga një arsenal autokracie në Rusi, Iran dhe Korenë e Veriut.

Në rast se aleatët perëndimorë nuk e rrisin menjëherë furnizimin me armë dhe municione për Ukrainën, atëherë e ardhmja do të jetë e zymtë. Nëse Putin nuk ndalet në Ukrainë, kjo do të nënkuptojë dekada të paqëndrueshmërie dhe konflikti në Evropë. Ne duhet të zgjohemi dhe të vetëdijësohemi për këtë rrezik dhe t'i vendosim ekonomitë tona në një bazë lufte.

Dhe ndryshimi i situatës në fushën e betejës në Ukrainë kërkon marrjen e vendimeve politike të forta. Kështu, Kongresi i SHBA-së duhet të miratojë sa më parë ndihmën, aktualisht të bllokuar, prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën. Por nga ana tjetër, një ndryshim i tillë i qasjes kërkon edhe një udhëheqje të fortë nga industria.

Nëse duam vërtet që të mbrojmë lirinë dhe demokracinë, krerët ekzekutive të kompanive të mëdha duhet të jenë në lartësinë që kërkon sfida e sotme, siç bënë paraardhësit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fundin e viteve 1930, demokracitë perëndimore ishin tejet të papërgatitura përballë kërcënimeve të paraqitura nga autokracitë e Gjermanisë dhe Japonisë që u armatosën me shumë shpejtësi.

Kjo vetëkënaqësi u demaskua brutalisht në majin e vitit 1940. Forcat naziste sulmuan Holandën, Belgjikën dhe Francën, duke e lënë kështu të vetme Britaninë në luftën jetike për shpëtimin e demokracisë në Evropë.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Franklin D.Roosevelt e pranoi se SHBA-ja kishte nevojë urgjente për të rritur prodhimin ushtarak dhe për ta vendosur ekonominë e vendit në një bazë lufte. Për ta bërë këtë, ai e dinte se do të duhej të thërriste në zyrë: William S.Knudsen.

Knudsen ishte drejtues ekzekutiv i gjigantit General Motors, një njeri me një përvojë shumë të madhe në industrinë e makinave dhe një nga drejtuesit e biznesit më të paguar në SHBA. Roosevelt e ngarkoi atë të transformonte prodhimin industrial të Amerikës, duke e shndërruar në atë që hyri në histori si arsenali i demokracisë. Për përpjekjet e tij, Knudsen do të merrte shumën simbolike prej 1 dollari në vit.

Knudsen ia nisi menjëherë nga puna. Ai hartoi listat e armëve dhe municioneve të nevojshme: 50.000 avionë, 13.000 predha mortajash, 33 milionë predha artilerie, 300.000 mitralozë me municion, 1.3 milionë pushkë bashkë me municionet dhe 380 anije luftarake. Më pas ai udhëtoi në mbarë vendin për t'u takuar me drejtues të industrisë, për të vizituar fabrikat dhe për të nënshkruar kontratat e porosisë. Knudsen e kuptoi se shpejtësia ishte vendimtare. Në takimet me drejtuesit e kompanive dhe sindikatave, ai ushtroi presion maksimal për të rritur prodhimin.

Mesazhi i tij ishte i qartë: “Ne jemi këtu për t'ju ndihmuar, dhe gjithçka që kërkojmë në këmbim është që të punoni shumë më shpejt. Ne kemi nevojë për çdo makinë që funksionon me shpejtësi të plotë. Ne duhet ta mposhtim Hitlerin”.

Brenda 5 muajve, Knudsen arriti të nënshkruajë 920 kontrata me rreth 500 kompani. E gjithë shoqëria amerikane u mobilizua për të luftuar, dhe brenda një viti ekonomia ishte vendosur tërësisht në baza luftarake. Sigurisht metodat e Knudsen ishin të diskutueshme, dhe stili i tij i drejtpërdrejtë i komunikimit çonte shpesh në përplasje me politikanët dhe sindikatat.

Por falë rrjetit të tij të lidhjeve, kuptimit të kushteve të fabrikave por edhe aftësisë së tij për të organizuar punëtorët dhe makineritë, arriti të ketë sukses në atë sipërmarrje gjigante. Ai ishte vendimtar në kthimin e valës kundër Gjermanisë dhe Japonisë. Dhe nëse mundëm ta bëjmë dikur, mund ta bëjmë përsëri sot.

Përballë kërcënimit të ripërtërirë nga një autokraci e militarizuar, ne duhet të përsërisim arritjet e Knudsen dhe t'i vendosim ekonomitë tona mbi një bazë lufte. Kjo do të kërkojë veprim nga politikanët, industria dhe sindikatat, por edhe udhëheqësit që duhet t'i reduktojnë diskutimet e pafundme, burokracitë dhe kohët e gjata të dorëzimit të porosive.

Ja cilat janë shkurtimisht 5 hapat për të ecur në këtë drejtim:

Së pari, qeveritë duhet të lidhin kontrata afatgjata me industrinë e armëve, për të siguruar që kompanitë të kenë kapitalin e nevojshëm për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetin e tyre të prodhimit.

Së dyti, duhet të thjeshtohet dhe shkurtohet procesi i kontraktimit. Një letër-qëllimi e nënshkruar duhet të mjaftojë për të nisur shpejt prodhimin dhe funksionimin e procesit të ri, duke i plotësuar rrugës detajet juridike të marrëveshjeve.

Së treti, ne duhet të lehtësojmë përkohësisht rregullat për tenderimin e kontratave në fushën e mbrojtjes, në mënyrë që prodhimi të fillojë me porositë direkte për kompanitë që janë në gjendje të prodhojnë dhe dorëzojnë menjëherë armë ose municione.

Së katërti, industria e mbrojtjes duhet të lejohet që të kryejë më shpejt se normalisht investimet në objektet e reja të prodhimit.

Së pesti, fondet sovrane të pasurisë, si dhe fondet private të pensioneve dhe investimeve, duhet të krijojnë grupe të veçanta për investimet në industrinë e mbrojtjes. Kjo do të tërheqë kapitalin privat të nevojshëm për zgjerimin e shpejtë të industrive tona të mbrojtjes.

Ne duhet të përqafojmë një mentalitet të ri. Kemi nevojë për politikanë që guxojnë të thonë të vërtetën, përfshirë faktin që investimet në mbrojtje dhe pajisje ushtarake janë një element thelbësor në mbrojtjen e lirisë dhe paqes.

Po ashtu, ne kemi nevojë për liderë të biznesit dhe të punës të përgatitur për të marrë përgjegjësi përtej interesave të kompanive të tyre individuale. Pra ne kemi nevojë për një William S.Knudsen të ri. /Përshtati "Pamfleti", marrë nga “Wall Street Journal”.

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 2009-2014, dhe kryeministër i Danimarkës në vitet 2001-2009.

vladimir putin

Lini një Përgjigje