
Forcat e Kievit thonë se shtatë dronë rusë janë shkatërruar gjatë natës së djeshme në rajonet ukrainase të Dnipropetrovsk, Odessa dhe Kherson.
Në një deklaratë në 'Telegram' thuhet se sulmet synonin infrastrukturën energjitike. Nga ana tjetër konfirmohet se nuk ka patur viktima apo dëme kritike. Ndërkohë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka bërë sërish thirrje SHBA-së për armatime.
Në një intervistë për Washington Post, Zelensky ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara raketa Atacms për të goditur aeroportet dhe aeroplanët në Krime.
Ai theksoi se Kievi nuk dëshiron të përdorë raketa me rreze të gjatë për të sulmuar territorin rus. Presidenti ukrainas thekson se do t’i dëbojë rusët nga aeroportet ashtu siç i zmbrapsi nga ujërat territoriale të Ukrainës.
I pyetur nëse beson se presidenti amerikan Joe Biden është i kujdesshëm në sigurimin e armëve, Zelensky u përgjigj se Biden ‘është i kujdesshëm në lidhje me një sulm bërthamor nga Rusia’.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas tha se opsionet e vendit të tij varen nga ajo që vendos Kongresi amerikan.
"Nuk mund të humbim më kohë: Ukraina nuk mund të jetë një çëshje politike mes palëve", tha ai.
Në këtë kontekst, Zelensky tha se kritikët e ndihmës ndaj Kievit nuk e kuptojnë se çfarë është në rrezik në luftë.
‘Nëse Ukraina bie, Putini do ta ndajë botën në miq dhe armiq të Rusisë", përfundoi Zelensky.
Lini një Përgjigje