
Ndërsa Vuçiç dhe Dodik po shkojnë drejt skenareve të njohura historike, Shqipëria duhet të zgjedhë nëse do të mësojë nga fundet e tyre apo do të vazhdojë të prodhojë liderë që besojnë se janë mbi ligjin dhe historinë...
Historia e Ballkanit nuk është harruar. Është thjesht në pauzë, duke ndjekur nga afër zhvillimet e reja që ngjajnë si përsëritje e viteve ’90, vetëm me teknologji më të avancuar dhe propagandë më të sofistikuar. Kur pyetja shtrohet nëse Aleksandar Vuçiç do të përfundojë si Slobodan Miloševiç dhe Milorad Dodik si Radovan Karadžiç, nuk është vetëm një krahasim historik. Është një alarm i heshtur që vjen nga korridoret e diplomacisë europiane dhe dosjet e papërfunduara të Hagës.
Vuçiç është mjeshtër i ambalazhimit politik. Ai nuk përdor më tanket si Miloševiçi, por përdor ekrane, kontrata dhe premtime pa fund. Nuk kërcënon hapur me luftë, por i jep oksigjen retorikës nacionaliste sa herë i nevojitet kontrolli mbi skenën. E megjithatë, edhe pa një krim të pastër, mjafton të mbash gjallë një sistem që i fryn konfliktit dhe saboton normalizimin për t’u regjistruar në të njëjtën faqe të errët të historisë.
Dodik nuk ka më nevojë për maska. Ai flet si Karadžiç, vepron si Karadžiç dhe tani po përballet me drejtësinë si Karadžiç. I ndëshkuar nga Gjykata e Bosnjës për shkelje të autoritetit të Përfaqësuesit të Lartë, i ndaluar nga zgjedhjet për gjashtë vjet dhe me një dënim penal në xhep, Dodik nuk po udhëheq, por po rënkon. Dhe si gjithmonë, nacionalistët nuk dorëzohen me ndjesë, por me kërcënime të reja.
Por kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë apo e Republikës Serpska. Kjo është një temë rajonale, sepse mentaliteti i liderëve që besojnë se pushteti është trashëgimi dhe jo detyrë ekziston gjithandej. Shqiptarët nuk duhet të shohin këtë si një teatër të huaj. Nuk jemi të imunizuar.
Edhe në Shqipëri ka pasur dhe ka liderë që mendojnë se mund t’i shmangen pasojave, dhe ndarja e pushtetit falë institucioneve funksionale është çelësi për të shmangur fundet kriminale apo historike.
Edhe në Shqipëri kemi parë politikanë që e ndërtojnë retorikën mbi ndarje, frikë dhe armiq imagjinarë. Kemi parë përpjekje për të kontrolluar drejtësinë, për të relativizuar korrupsionin dhe për të zëvendësuar ligjin me lojalitetin.
Europa ka mësuar shumë nga rënia e tiranëve të dikurshëm. Tani nuk pret më që të shpërthejë një luftë për të vepruar. Presioni diplomatik është më i zgjuar, sanksionet janë më të shpejta dhe mbikëqyrja është më e rreptë. Ata që nuk e kuptojnë këtë realitet të ri, rrezikojnë të përfundojnë jo si figura politike por si kapituj të turpshëm në raportet ndërkombëtare.
Vuçiç mund të mos përfundojë në qeli si Miloševiç, por historia do ta gjykojë sipas rrugës që po ndjek. Dodik mund të shpëtojë disa muaj, por rruga e tij është kthyer në një rrugë pa kthim. Pyetja që mbetet për rajonin është: a do të kuptojnë të tjerët se nuk ka më vend për liderë që e shohin veten si pronarë të shtetit? Sepse Europa e re nuk ka vend për ata që nuk kanë mësuar asgjë nga fundet tiranike./Pamfleti
Lini një Përgjigje