
Arsyet zyrtare të sulmit nuk dihen ende, por shumë mendojnë se ato i kanë rrënjët në klimën e urrejtjes së përhapur dhe polarizimit në rritje të shoqërisë...
“Robert, hajde këtu!”. Një britmë dhe më pas ai qëlloi. Pesë plumba dhe Robert Fico u rrëzua përtokë para syve të habitur të bashkëpunëtorëve të tij. Kryeministri sllovak u qëllua në gjoks dhe në bark përpara Shtëpisë së Kulturës në Handlova, një qytet 150 kilometra në verilindje të Bratislavës. Sulmuesi, njoftoi Ministria e Brendshme Sllovake këtë mëngjes, përmendi politikat e qeverisë për median dhe drejtësinë si arsye për sulmin. Po ashtu ai ka vepruar i vetëm dhe me paramendim.
Dinamika e sulmit
Fico sapo kishte lënë një takim me disa nga ministrat e tij dhe po shtrëngonte duart me njerëzit që kishin ardhur për ta parë. Më pas breshëria e të shtënave dhe koha u ndal. Situata u shfaq menjëherë shumë e rëndë, nuk kishte kohë për të shkuar në kryeqytet: Fico u dërgua me helikopter në spitalin në Banska Bystrica, 29 kilometra larg Handlova, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent, i cili zgjati 5 orë.
Plagët, koma dhe fjalët e mjekëve
Mediat vendase kanë publikuar të dhëna të marra nga spitali, ku flitet për një plagë në bark, në epigastrium (kuadranti i sipërm i barkut) dhe në lartësinë e hipokondriumit të djathtë (ku ndodhet mëlçia), por nuk ka dëmtim të skeletit. Ka dy plagë të tjera - një në parakrah dhe një në gishtin e madh - por sipërfaqësore. Fico “momentalisht është në terapi intensive dhe 24 orët e ardhshme janë vendimtare. Gjendja e tij është stabile, por shumë e rëndë”, tha drejtoresha e Spitalit Universitar Banska Bystrica, Miriam Lapunikova.
“Mendoj se në fund do të mbijetojë, jeta e tij nuk është në rrezik”, tha zëvendëskryeministri Tomas Taraba. Sipas informacioneve të fundit të publikuara nga TV sllovak Ta3, ai ndodhet në koma.
Arrestimi
Sulmuesi, i veshur me xhinse dhe një këmishë blu, u ndalua menjëherë. Ai është Juraj Cintula, një shkrimtar 71-vjeçar me origjinë nga jugu i vendit, një nga themeluesit e një klubi letrar liberal.
Arsyet zyrtare të sulmit nuk dihen ende, por shumë mendojnë se ato i kanë rrënjët në klimën e urrejtjes së përhapur dhe polarizimit në rritje të shoqërisë, të përkeqësuar - nëse është e mundur - nga zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian, ku partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë duken gati për të fituar terren. Policia, duke zyrtarizuar akuzën ndaj 71-vjeçarit, foli për “vrasje të mbetur në tentativë me paramendim për hakmarrje”. Ai rrezikon “nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm”.
Klima në vend
Ajo që ndodhi është "pasojë e natyrshme e kësaj klime, nuk mund të kishte përfunduar ndryshe", vuri në dukje me hidhërim këshilltari i kryeministrit, Eduard Chmelár. “Tani nuk duhet të fajësojmë njëri-tjetrin, por të kërkojmë nga e gjithë shoqëria që të qetësohet”, ka shpresuar ai. Dhe për të dhënë një shembull të mirë, ai mirëpriti faktin që opozita anuloi protestat kundër planit të diskutueshëm të qeverisë për të ndërhyrë te mediat publike, që do t'i jepte qeverisë kontrollin e plotë të radios dhe televizionit shtetëror.
Që ajri është helmuar prej disa kohësh, dëshmon fakti se mes politikanëve të kërcënuar përfundoi edhe presidentja në largim Zuzana Caputova: pikërisht për shkak se ishte e lodhur nga kjo klimë politike, u largua dhe nuk qëndroi për ri- zgjedhjet prillin e kaluar. “Një sulm brutal dhe i pamatur, jam në shok – reagoi ajo. I uroj Robert Ficos shumë forcë në këtë moment kritik dhe shërim të shpejtë”.
Reagime tronditëse erdhën nga e gjithë bota, nga Biden ("Jill dhe unë po lutemi për një shërim të shpejtë, ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune") te Putini ("Ky krim i urryer nuk mund të ketë asnjë justifikim"). /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje