Se si do të reagojnë të rinjtë iranianë ndaj liderit të ri, kjo nuk dihet me saktësi. Por ata priren të jenë në favor të reformës, i shohin problematike institucionet kryesore të republikës dhe i konsiderojnë të padurueshme nivelet e larta të korrupsionit...
Njëzet vjet më parë Ajatollah i Iranit, Ali Khamenei, tha se e ndjeu Zotin duke folur përmes tij. Përvoja mistike ndodhi gjatë një takimi midis Udhëheqësit Suprem të Iranit dhe rreth 20 komandantëve të Gardës Revolucionare të vendit, rikujtoi Khamenei në fillim të këtij viti.
Pasi drejtoi një lutje kolektive, Khamenei e pa veten të përfshirë në një bisedë “të ngrohtë dhe magjepsëse” me udhëheqjen ushtarake, ndërsa ishte ulur në një shkallë në oborr. Ishte ai momenti, pretendon ai, kur “fjalët e Zotit të Madhërishëm rrodhën nga gjuha ime”.
Edhe në një vend aq të devotshëm fetarisht sa Irani, ky pohim ishte i pazakontë, duke nxitur në heshtje spekulime brenda qarqeve politike nëse ai po pretendonte vërtet një lidhje me Zotin. Askush nuk guxoi ta sfidonte hapur atë pretendim. Por kjo anekdotë, shërbeu për të nënvizuar autoritetin e jashtëzakonshëm fetar të Khameneit, pas më shumë se 3 dekadash si lideri kryesor shpirtëror dhe politik i Republikës Islamike.
Për përkrahësit e tij, ai është urdhëruar në mënyrë hyjnore të qeverisë Iranin, dhe ajo që e dallon nga të tjerët është lidhja e tij e qëndrueshme me Zotin. Megjithatë, udhëtimi tokësor i Khameneit, tashmë në moshën 85-vjeçare, po i afrohet fundit, dhe po bëhet gjithnjë e më emergjente çështja se kush do ta pasojë atë.
Në mars, iranianët zgjodhën një Asamble të re të Ekspertëve, një organ prej rreth 90 klerikësh të lartë, që ndër të tjera ka për detyrë të emërojë Udhëheqësin e ri Suprem. Cilido që e pason Khamenein, do të bëhet arbitri më i lartë i Iranit në çështjet e politikës së brendshme, të jashtme dhe të mbrojtjes, duke diktuar jo vetëm trajektoren e islamit politik, por edhe të ardhmen e regjimit.
Lufta Izrael-Hamas dhe pasojat e saj rajonale, kanë ilustruar më së miri autoritetin e Udhëheqësit Suprem si vendimmarrësi fundor:gatishmëria e tij për të testuar kufijtë e asaj që do të toleronin Izraeli dhe SHBA-ja, u shfaq në sulmin e drejtpërdrejtë e të paprecedentë të Iranit ndaj objektivave izraelite muajin e kaluar.
Për këtë arsye, vendimi mbi trashëgiminë nuk po i lihet aspak rastësisë. Ndërmjetësit e pushtetit të regjimit siguruan që Asambleja e Ekspertëve të mbushej me klerikë të linjës së ashpër, në vend të të moderuarve apo reformistëve. Kjo është lëvizja e fundit në një projekt shumëvjeçar për të krijuar një tranzicion të qëndrueshëm, që ta lejojë regjimin të vazhdojë të sundojë si më parë.
Megjithatë, s’ka ende asnjë figurë konsensuale për të zënë vendin e Khameneit, dhe diskutimi i hapur i kësaj çështje konsiderohet tabu. Nga ana tjetër, procesi do të përbëjë një moment rreziku ekzistencial për regjimin, duke ekspozuar potencialisht dinamikën e vërtetë të pushtetit.
Gardën Revolucionare pretendon dominimin mbi çështjet shtetërore, dhe e ka zvogëluar shumë hapësirën për grupet e tjera me ndikim politik dhe fetar, që kanë qenë dikur shtyllat e republikës që nga revolucioni islamik i vitit 1979. Po ashtu mund të rishfaqet opozita publike, që e tronditi regjimin në vitin 2022.
Khamenei mori pushtetin në vitin 1989 pas vdekjes së arkitektit të revolucionit Ajatollah Ruhollah Khomeinit, edhe pse shumë klerikë nuk e konsideronin mjaftueshëm të aftë për atë pozitë. Duke vepruar nën moton strategjike “jo luftë, jo negociata (të drejtpërdrejta)” me Uashingtonin, Khamenei ka mbrojtur armiqësinë e vazhdueshme me SHBA-në dhe Izraelin si shtylla kryesore e politikës së tij të jashtme.
Po ashtu është përpjekur të rrisë ndikimin ushtarak të vendit në Lindjen e Mesme, nëpërmjet milicive të ndryshme që veprojnë në rajon. Në frontin e brendshëm, Khamenei i percepton forcat politike, ose si të rreshtuara me ose kundër idealeve të revolucionit të 1979-ës, në vend se t’i ndajë ato në të vijës së ashpër dhe reformiste.
Gjatë dy dekadave të fundit, ai i ka lejuar në heshtje konservatorët të izolojnë dhe dobësojnë forcat pro-reformave, duke i hapur rrugën dominimit të forcave të vijës së ashpër në të gjitha aspektet e shtetit. Analistët thonë se është shumë e kufizuar hapësira për individët që kanë mendime të ndryshme nga ato të liderit suprem dhe rrethit të tij.
Ndaj mbijetesa politike, garantohet për ata që në mënyrë të palëkundur i përmbahen udhëzimeve të përcaktuara. Kjo ishte e dukshme në zgjedhjet e fundit të Asamblesë së Ekspertëve. Figura të larta pro-reformatore ose nguruan të merrnin pjesë ose u penguan.
Ish-presidenti i moderuar Hassan Rouhani, u pengua të kandidonte për të ruajtur vendin që e mbante që nga viti 1999 nga organi kushtetues që miraton kandidatët dhe jep llogari vetëm para Udhëheqësit Suprem. Por edhe pse Asambleja e Ekspertëve do të mbetet entiteti formal përgjegjës për zgjedhjen e liderit të ardhshëm, analistët dyshojnë nëse një vendim kaq i rëndësishëm do t’i lihet në dorë vetëm një grupi klerikësh të lartë, shumë prej të cilëve janë në të 80-at apo të 90-at e tyre.
Një ndikim të madh, pritet të kenë edhe institucione të tjera, përfshirë qeverinë, gjyqësorin dhe parlamentin. Megjithatë Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), pritet të ruajë nivelin më të lartë të ndikimit në këtë proces. Ndikimi i kësaj force elitare është rritur gjatë dekadës së fundit.
Shumë njerëz e shohin atë jo vetëm si një garda pretoriane e Khameneit, por edhe si forcën lëvizëse prapa prioriteteve ekonomike dhe ushtarake të regjimit. IRGC, e përbërë nga rreth 120.000 njerëz dhe e mbështetur nga miliona njerëz në forcat vullnetare në Iran, drejton një rrjet të gjerë grupimesh në Lindjen e Mesme të njohur si “Boshti i Rezistencës”.
Ajo ka ofruar trajnime dhe pajisje për Hizbollahun në Liban, militantët Huthi në Jemen, luftëtarët shiitë irakianë dhe grupet palestineze si Hamasi. Zgjerimi i madh i ndikimit të kësaj njësie brenda dhe jashtë vendit, ka bërë që vëzhguesit perëndimorë ta krahasojnë me një “shtet brenda shtetit”.
Ky centralizim i pushtetit, ka ndodhur në kurriz të institucioneve tradicionale si kleri. Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se klerikët mbetet burimi kryesor i legjitimitetit fetar për sistemin politik të republikës dhe sundimtarët e tij. Dhe analistë thonë se çdo tension nuk ka gjasa të shpërthejë hapur.
“Gardistët nuk do të përfshihen direkt në procesin e zgjedhjes së pasuesit, dhe s’do të shohim një përplasje të hapur midis tyre dhe klerit. Megjithatë gardistët do të funksionojnë si krahu kryesor këshillues i Asamblesë”- thotë një nga analistët. Por në të njëjtën kohë, vështirë se në Asamblenë e Ekspertëve do të ketë ndonjë figurë të spikatur që do të sfidojë ndikimin e gardës.
“Figura më e shquar në asamblenë e ardhshme pritet të jetë presidenti Ebrahim Raisi, dhe madje edhe ai nuk ka shumë ndikim”- thotë një ish-zyrtar iranian në kushte anonimiteti.
Sipas tij është e parakohshme të thuhet nëse Garda Revolucionare do të ruajë trajektoren aktuale, apo do ta udhëheqë vendin drejt një ndryshimi të rëndësishëm.
Ndërkohë brenda qarqeve private, dy emra janë përmendur prej kohësh si kandidatë potencialë për t’u bërë Udhëheqësi Suprem. I pari është Raisi, i cili ka spikatur ndër paraardhësit e tij për besnikërinë e tij të pakushtëzuar ndaj Khameneit. Qeveria e tij drejton punët e përditshme të republikës, por Raisi nuk e ka sfiduar IRGC në politikat e saj rajonale, sidomos gjatë luftës së fundit Hamas-Izrael.
Shumë njerëz panë atë si pasardhësin e zgjedhur të Khameneit pasi ai fitoi zgjedhjet e 2021, teksa u penguan të garonin konservatorët dhe reformistët e tjerë të shquar. Por pas gati 3 viteve në detyrë të Raisit, Irani ka pasur pak arritje ekonomike, inflacioni mbetet shumë i lartë, monedha kombëtare është dobësuar, dhe nuk është ripërtërirë marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore.
Emri tjetër i përfolur është djali i Khameneit, Mojtaba. 54-vjeçari ka një lloj profili publik. Por ai ka qenë objektiv i protestuesve që në trazirat e vitit 2009 pas rizgjedhjes president të ekstremistit Mahmoud Ahmadi-Nejad. Demonstruesit pretenduan se procesi ishte manipuluar kundër kandidatit reformist Mir-Hossein Moussavi për t’i hapur rrugën Mojtaba-s për të pasuar babain e tij.
Ata që janë pjesë e rrethit të Khameneit, të shqetësuar për ndryshimet e mundshme që prekin e interesat e tyre, e mbështesin Mojtaba-n, duke parashikuar se lidershipi i tij nuk do të sillte ndryshime të rëndësishme. Pavarësisht se lidershipi planifikon në heshtje vazhdimësinë, shumë elementë të panjohur - nga ekonomia tek stabiliteti i Lindjes së Mesme - mund të ndryshojnë përllogaritjet.
Por një element i rëndësishëm, është edhe rritja e armiqësisë brenda Iranit ndaj udhëheqësve të regjimit, e shprehur më protestat e mëdha të viteve 2019 dhe 2022. Se si do të reagojnë të rinjtë iranianë ndaj liderit të ri, kjo nuk dihet me saktësi. Por ata priren të jenë në favor të reformës, i shohin problematike institucionet kryesore të republikës dhe i konsiderojnë të padurueshme nivelet e larta të korrupsionit./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje