
Ozgur Gökçe, vëllai i Nusret Gökçe, i njohur ndryshe si Salt Bae, është arrestuar në Turqi nën dyshimet për ndërmjetësim në prostitucion të një të miture, në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Küçükçekmece.
Hetimi kishte nisur disa muaj më parë dhe u drejtua nga strukturat që merren me krimin e organizuar. Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se të dyshuarit organizonin dhe lehtësonin aktivitetin e prostitucionit, duke siguruar ambiente si banesa dhe hotele. Gratë, përfshirë shtetase të huaja, dërgoheshin në këto ambiente përmes komunikimeve në aplikacione mobile.
Përmes ndjekjes teknike dhe vëzhgimeve në terren, u identifikuan mënyrat e funksionimit të rrjetit. Sipas të dhënave hetimore, disa prej të përfshirëve përdornin llogari bankare të hapura në emra të personave të tjerë për të menaxhuar pagesat dhe për të fshehur burimin e të ardhurave.
Analiza e lëvizjeve financiare për një periudhë një-vjeçare tregoi qarkullim fondesh që arrin rreth 15 milionë euro. Autoritetet dyshojnë se këto para lidhen me aktivitetin e prostitucionit dhe janë përdorur mekanizma për të fshehur identitetin e përfituesve.
Në vijim të hetimit, më 17 prill u zhvilluan operacione të njëkohshme në disa zona, përfshirë Büyükçekmece, Silivri, Beylikdüzü, Küçükçekmece, si dhe në qytete të tjera si Samsun, Diyarbakir dhe Ankara. Gjatë ndërhyrjes u ndaluan 13 persona.
Nga të ndaluarit, shtatë janë lënë në arrest, ndërsa gjashtë të tjerë janë liruar në kushte të caktuara. Mes personave që mbeten në paraburgim është edhe Ozgur Gökçe. Hetimet për këtë çështje vijojnë.
Lini një Përgjigje