
Një tjetër rafineri nafte në Kuvajt është goditur nga një sulm me dron, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në vend. Sipas mediave shtetërore dhe Agjencisë së Lajmeve të Kuvajtit, objektivi i radhës ka qenë rafineria Mina Abdullah.
Sulmi ndodhi në orët e mëngjesit dhe shkaktoi një zjarr brenda kompleksit, i cili menaxhohet nga Kompania Kombëtare e Naftës e Kuvajtit. Autoritetet njoftuan se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll.
“Ekipet e reagimit të shpejtë u dërguan menjëherë për të përmbajtur dhe kontrolluar zjarrin sipas standardeve më të larta të sigurisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ngjarja vjen vetëm pak kohë pasi një tjetër sulm me dron u raportua në rafinerinë Mina Al-Ahmadi, rreth 7 milje larg, duke ngritur dyshime për një seri goditjesh të koordinuara ndaj sektorit energjetik.
Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar mbi origjinën e dronëve apo autorët e mundshëm të sulmeve, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Lini një Përgjigje