Pentagoni i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të paraqesë në Kongres një kërkesë për financim emergjent prej 200 miliardë dollarësh, për të mbuluar kostot e luftës kundër Iranit, e cila ka hyrë në javën e tretë.
Sipas raportimit të The Washington Post, që citon burime brenda administratës, shuma e kërkuar tejkalon ndjeshëm shpenzimet aktuale për bombardimet ajrore dhe lidhet me nevojën urgjente për rritjen e prodhimit të sistemeve të avancuara të armatimit.
Buxheti synon kryesisht shtimin e prodhimit të armëve kritike të përdorura nga forcat e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit gjatë operacioneve të fundit. Gjatë tre javëve të fundit, të dy vendet kanë goditur mijëra objektiva, duke rritur ndjeshëm kërkesën për armatime dhe mbështetje logjistike.
Gjithashtu, fondet parashikohet të përdoren për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Iran dhe përforcimin e infrastrukturës ushtarake, e konsideruar thelbësore për fazat e ardhshme të konfliktit.
Megjithëse republikanët kanë shprehur mbështetje për financim shtesë, ende nuk ekziston një strategji e qartë ligjore për miratimin e tij. Situata mbetet e paqartë edhe për sigurimin e 60 votave në Senat, të nevojshme për miratimin e një nisme të tillë.
Lini një Përgjigje