Irani ka ekzekutuar tre persona të dënuar për vrasjen e dy efektivëve të policisë gjatë protestave mbarëkombëtare të janarit, raportoi agjencia Reuters duke iu referuar agjencisë gjyqësore iraniane të lajmeve Mizan.
Sipas autoriteteve gjyqësore iraniane, të dënuarit u shpallën fajtorë për vrasje dhe për akuzën e “luftës kundër Zotit”, një term që përdoret në sistemin ligjor të vendit për krime të rënda kundër shtetit. Po ashtu, ata u akuzuan se kishin vepruar në interes të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Protestat filluan fillimisht si reagim ndaj situatës ekonomike në vend, por më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë iraniane.
Sipas Agjencisë së Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me bazë në SHBA, rreth 6,488 protestues kanë humbur jetën gjatë këtyre protestave. Kjo shifër nuk përfshin 236 fëmijë, 76 persona që nuk merrnin pjesë në protesta dhe 207 anëtarë të forcave ushtarake dhe qeveritare që gjithashtu janë vrarë.
HRANA njoftoi se po shqyrton edhe rreth 11,744 raste të tjera, në një kohë kur ndërhyrja e forcave të sigurisë iraniane është ashpërsuar.
Lini një Përgjigje