Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka sjellë një reagim të koordinuar nga disa vende arabe, të cilat, pas një takimi në Riad, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër veprimeve të Iranit.
Ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Libanit dhe vendeve të tjera të rajonit shprehën shqetësim për situatën e krijuar, duke e cilësuar atë si kërcënim për stabilitetin rajonal.
Në qëndrimin e tyre, këto vende pretendojnë se sulmet iraniane kanë pasur në shënjestër zona civile dhe objekte diplomatike, duke i cilësuar si veprime të qëllimshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas deklaratës, akte të tilla nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Përveç dënimit, vendet arabe theksojnë se rezervojnë të drejtën për vetëmbrojtje, duke iu referuar nenit 51 të Kartës së OKB-së, një sinjal i qartë për mundësinë e reagimeve nëse situata përkeqësohet më tej.
Një tjetër element kyç i deklaratës është shqetësimi për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit. Vendet pjesëmarrëse i bëjnë thirrje Iranit të shmangë çdo veprim që mund të rrezikojë këtë korridor strategjik, i cili është jetik për tregtinë globale të energjisë.
Në të njëjtën kohë, deklarata nuk ka lënë jashtë kritikave as Izraelin, duke dënuar operacionet ushtarake në Liban dhe atë që përshkruhet si politikë ekspansioniste në rajon.
"I bëjmë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë sulmet dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke u përmbajtur nga masa apo kërcënime që synojnë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Dënojmë gjithashtu “agresionin” e Izraelit ndaj Libanit dhe “politikë ekspansioniste në rajon”, thuhet në deklaratë.
Po për agresionin e SHBA kundër Iranit ka ndonjë fjalë?