TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia17 Maj 2025, 17:29

Zhbëhet tregu i Medresesë: kullat legalizohen me vendim qeverie pas denoncimit të Pamfletit

Shkruar nga Pamfleti
Zhbëhet tregu i Medresesë: kullat legalizohen me vendim qeverie pas
Medreseja e Tiranës /

Ky nuk është më rindërtim. Është kolonizim urban. Është model i kthyer në standard, ku çdo shesh, treg, lagje apo truall që nuk është shitur ende, do të vishet me një letër qeveritare dhe do të kthehet në kullë…


Katër ditë pas denoncimit nga Pamfleti për planin e fshehtë për ndërtimin e kullave në zonën e tregut të Medresesë në Tiranë, qeveria ka vendosur t’ia heqë maskën këtij projekti dhe ta bëjë zyrtar përmes një vendimi të stilit “shpronësim për interes publik”.

Vendimi nr. 268, datë 9 maj 2025, i miratuar vetëm pak ditë pas publikimit të skandalit, është një shtesë e qartë dhe e qëllimshme mbi vendimin nr. 533, datë 22 shtator 2021, i cili fillimisht kishte për objekt rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, vetëm në zonën “5 Maji”.
Tani, në të njëjtën bazë ligjore, është përfshirë edhe hapësira e tregut të Medresesë, e cila do të shpronësohet, zhbëhet, rrafshohet dhe më pas ndërtohet nga klientët e zakonshëm të Ramës, nën flamurin e zhvillimit urban.

Zhbëhet tregu i Medresesë: kullat legalizohen me vendim qeverie pas

Në vendimin e ri, tregu i Medresesë është quajtur “zonë e re zhvillimi”, dhe pasuritë private – përfshirë ato me certifikata pronësie dhe ato në proces legalizimi – janë përfshirë në listën e shpronësimeve. Ndërkohë, disa pasuri të dyshuara si të lidhura me pushtetin, janë përjashtuar nga procesi, në një akt të qartë favorizimi selektiv.

Ky vendim është një manovër e pastër për t’i hapur rrugë kullave, të projektuara shumë më herët, në bashkëpunim me ndërtuesit e zakonshëm të “elitës së betonit” që qarkullon përreth Rilindjes dhe Bashkisë së Tiranës.

Tregu i Medresesë, një hapësirë e rrallë për banorët e Tiranës Lindore dhe zonë me rëndësi ekonomike për mijëra familje, tani do të zhbëhet në emër të një “interesi publik” që nuk ekziston.
Rindërtimi i pasojave të tërmetit ka përfunduar prej dhjetorit 2023 në atë zonë, dhe çdo justifikim tjetër pas kësaj date është thjesht skenografi për të mbuluar projektin e vërtetë: privatizimin e territorit publik në interes të grupeve ndërtuese të lidhura me pushtetin.

Ky është i njëjti skenar që ndodhi në Kombinat, ku dhjetëra godina u shembën edhe pse nuk kishin asnjë dëm nga tërmeti. Aty u ndërtuan pallate të reja me parametra dhe pronësi që sot mbulohen me mjegull – një model që tani po eksportohet edhe në Medresenë e vjetër të Tiranës.

Vendimi nr. 268 është një legalizim politik i një marrëveshjeje paraprake, përmes së cilës Edi Rama u ka garantuar ndërtuesve të tij një territor të artë në zemër të Tiranës, nën justifikimin e zhvillimit të zonave të prekura nga tërmeti.
Por nuk ka më as tërmet, as emergjencë – ka vetëm etje për fitim dhe kontroll mbi truallin.

Procedurat për zbatimin e këtij vendimi i janë ngarkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Bashkisë së Tiranës. Një zinxhir i plotë kontrolli për të mbyllur gojën e çdo prone private që ndodhet në shënjestër.

Ky nuk është më rindërtim. Është kolonizim urban. Është model i kthyer në standard, ku çdo shesh, treg, lagje apo truall që nuk është ende shitur – do të vishet me një letër qeveritare dhe do të kthehet në kullë.
Dhe banorët, pronarët e ligjshëm, ata që jetojnë e punojnë aty prej dekadash, do të përzihen si pengesë për zhvillimin./Pamfleti

medreseja e tiranës kulla vendimi i qeverisë

Lini një Përgjigje