TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Maj 2025, 17:49

“Pyjet e Drilonit” të Fatmir Bektashit si produkt i marrëveshjes okulte Rama- Berisha

Shkruar nga Pamfleti
“Pyjet e Drilonit” të Fatmir Bektashit si produkt i
Projekti pa leje "Pyjet e Drilonit"

Nëse ka një provë konkrete se si ndërtimi i paligjshëm, krimi financiar dhe mbështetja politike krijojnë bashkë një korporatë të pandëshkueshme në Shqipëri, ajo është projekti “Pyjet e Drilonit” në buzë të liqenit të Pogradecit. Në krye të skemës është ndërtuesi me dy dosje penale në SPAK, Fatmir Bektashi, ortak i heshtur i familjes Berisha, i mbështetur nga Edi Rama...

Në zonën turistike të Drilonit, aty ku liqeni ka qenë gjithmonë kufiri natyror i çdo ndërhyrjeje ndërtimore, Fatmir Bektashi ka nisur ndërtimin e një kompleksi me pallate shumëkatëshe, duke e paraqitur si një projekt të miratuar me emrin e bukur mashtrues “Pyjet e Drilonit”.
Një banner gjigant me pamje 3D dhe thirrje për blerje apartamentesh është vendosur mbi tokën e rrafshuar të parkut natyror. Dhe shitjet kanë nisur: kaparët mblidhen, leje nuk ka akoma.

Sipas një deklarate zyrtare të Këshillit Kombëtar të Territorit, kompania "Kontakt sh.p.k", që menaxhon projektin, nuk ka marrë leje ndërtimi. Aplikimi është depozituar më 8 shkurt 2025, por procedura nuk ka përfunduar. Në përkthim të drejtpërdrejtë: ndërtimi është ilegal.

Megjithatë, ndërtuesi e ka bërë fakt të kryer. Ka rrafshuar një sipërfaqe të gjelbër publike dhe po shet apartamente që nuk ekzistojnë as në dokumente, as në realitet.

Por ajo që trondit më shumë është heshtja totale e institucioneve shtetërore. Bashkia e Pogradecit, Inspektorati i Territorit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, madje edhe vetë SPAK, nuk kanë lëvizur asnjë gur. Nuk ka as ndërprerje punimesh, as kallëzim penal, as hetim administrativ. Askush nuk ndërhyn, sikur ndërtimi ndodhet në ndonjë galaktikë tjetër.

Ndërkohë, banorët që riparojnë një çati apo shtojnë një dritare pa leje ndëshkohen me gjoba dhe burg. Por ndërtuesi që shet pallate në ajër, në zonë të mbrojtur, nuk shqetësohet nga askush.

Fatmir Bektashi nuk është rast i veçuar. Ai është i njohur për projekte të tjera të ngjashme, të ndërtuara pa leje dhe përtej parametrave të miratuar, në periferi të Tiranës. Por në Drilon, ai ka marrë edhe një dhuratë shtesë nga qeveria: një shëtitore publike, e ndërtuar përballë pallateve të tij pa leje.

Projekti “Transformimi urban i shëtitores Tushemisht dhe segmentit rrugor Tushemisht-Dogana-Shën Naum” ka marrë financim prej 2.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Dhe mes nyjeve të reja të aksesit rrugor është shtuar edhe një lidhje direkte me kompleksin pa leje të “Pyjeve të Drilonit”.

Kjo nuk është më thjesht lejim. Është favorizim i drejtpërdrejtë financiar nga qeveria për një projekt të paligjshëm. Me taksat e qytetarëve po shtrohet rruga për një ndërtim që nuk ka leje dhe që po shkatërron një zonë të mbrojtur.

Edi Rama, i cili dikur sulmonte ndërtimet pa leje me gjuhë publike të ashpër, tani është garantuesi i heshtur dhe sponsori real i projekteve si ky i Bektashit. Madje jo vetëm që nuk e ndalon ndërtuesin, por e përkrah indirekt përmes ndërhyrjeve shtetërore që e rrisin vlerën e kompleksit të tij fantazmë.

Kjo është Shqipëria e ndërtimit të paligjshëm me mbështetje qeveritare. Kjo është qeverisja që bie në gjunjë për një kullë më shumë, për një ortak politik, për një oligark që rrit pasurinë duke shkatërruar pasurinë publike.

Për çdo metër katror që shitet në ajër, po zhduket një metër park natyror. Për çdo euro që jepet në kapar, po zhbëhet një pjesë e ligjit. Dhe për çdo leje që nuk ekziston, po ndërtohet një sistem ku pushteti, krimi ndërtimor dhe abuzimi institucional janë bërë një./Pamfleti

pyjet e drilonit fatmir bektashi marrëveshja okulte rama berisha

Lini një Përgjigje