TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Maj 2025, 15:10

Më i votuari, Agron Malaj; simboli tragjik i mjerimit politik shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
Më i votuari, Agron Malaj; simboli tragjik i mjerimit politik shqiptar
Agron Malaj /

A ka më kuptim të jetosh në këtë vend, ku viktima i jep votën vrasësit?


Në çfarë mjerimi është katandisur Shqipëria, kur kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit është Agron Malaj? Kur partia që derdhi gjak në bulevard, sot i jep duartrokitje atij që shtiu mbi protestuesit e saj?

Në 21 janar 2011, Agron Malaj ishte një punonjës i Gardës së Republikës, që veproi nën urdhrat e Sali Berishës. U tha se mbrojti institucionet, por në fakt ai dhe të tjerë si ai, qëlluan drejt trupave të qytetarëve që protestonin kundër korrupsionit, kundër varfërisë, kundër pushtetit arrogant.

Sot, 14 vjet më vonë, i njëjti njeri, është jo vetëm i lirë, por edhe i nderuar. Jo vetëm i nderuar, por edhe i votuar. Jo vetëm i votuar, por më i votuari nga vetë socialistët.

Kjo është Shqipëria që ka ndërtuar Edi Rama.

Një Shqipëri ku nuk ka as drejtësi, as turp, as memorie.

Një Shqipëri që i dhuron pushtet krimit, që i jep pasuri ish-policëve të dhunës, që shpërblen me mandate ata që duhej të ishin para drejtësisë.

Sot, Agron Malaj është njeriu më i pasur në Burrel, një përfaqësues i një klase të re politike që ka dalë nga rrënjët e krimit, nga zinxhirët e korrupsionit dhe nga heshtja e shtetit.

Ai është mishërimi i modelit të Rilindjes, një model ku shteti mbahet me njerëz të hurit e të litarit, ku pushteti ruhet përmes falangave, dhe ku krimi ka bërë paqe me politikën për të ndarë së bashku plaçkën dhe kontrollin e territorit

Nëse Edi Rama kërkon të na bindë se ky është socializmi i së ardhmes, atëherë më mirë të mos ketë fare të ardhme. Sepse kur vrasësi bëhet përfaqësues i viktimës, kur dora që të qëllon merr edhe votën tënde, nuk jemi më në një shoqëri të lirë, jemi në një regjim të heshtur, ku drejtësia është varrosur dhe e keqja është bërë flamur./Pamfleti

agron malaj më i votuari simboli tragjik i mjerimit politik shqiptar

Lini një Përgjigje