Në vend që të japë llogari për aferat e vjetra me sistemin elektronik të votimit, kreu i KQZ-së vijon pazaret me kompaninë holandeze “Smartmatic”, duke çelur tenderë të rinj pas përfundimit të zgjedhjeve, për sisteme që janë paguar më parë.
Fanfarat e përfundimit të votimeve janë shuar, por Ilirjan Celibashi nuk ka mbaruar punë me tenderët. Në buletinin e Prokurimeve Publike të datës 12 maj 2025, është shpallur një procedurë me fond limit 430 mijë euro me TVSH, për një sistem që supozohet të mbikëqyrë pamjet filmike të qendrave të votimit dhe numërimit elektronik.

Tenderi që lindi pas vdekjes së procesit zgjedhor
Çuditërisht, kjo procedurë është përgatitur që më 2 maj, ndërkohë që procesi elektronik është mbyllur zyrtarisht që më 25 prill.
Me fjalë të tjera, tenderi nuk i shërben më asnjë nevoje reale – është një sajesë pas votimeve, që i ngjan më shumë një fature të vonuar për ndonjë favor të dakorduar më herët.
Objekti i tenderit është “shtimi i kapaciteteve për ruajtjen e pamjeve filmike dhe krijimi i një sistemi kërkimi”. Por këto janë funksione që duhet të ishin të përfshira që në projektin fillestar të sistemit elektronik, për të cilin janë harxhuar 26 milionë euro.
“Smartmatic” – kompania e tenderëve pa garë
Në këtë histori rikthehet sërish emri i kompanisë “Smartmatic International Holding B.V”, e cila ka marrë pa garë tenderin 1.3 milionë euro për “përditësimin e të dhënave” në Vorë dhe Njësinë nr. 11 Tiranë, zona ku u testua sistemi i ri elektronik. Për ironi, Celibashi as nuk publikoi rezultatin përfundimtar të votimeve në këto zona – për të cilat u paguan miliona.
SPAK hesht, Celibashi sfidon
Duhet kujtuar se që në shtator 2024, SPAK deklaroi nisjen e një hetimi për dy tenderë me vlerë 21 milionë euro të vitit 2021, të zhvilluar po nga Celibashi me të njëjtën kompani holandeze.
Me urdhër të Altin Dumanit, BKH mori dokumentet përkatëse. Por që prej atëherë, asnjë njoftim zyrtar, asnjë marrje në pyetje, asnjë transparencë.
Burime nga brenda institucionit konfirmojnë se prokurorët e dosjes kanë bllokuar hetimin – duke i dhënë Ilirjan Celibashit mundësinë që ta trajtojë këtë dosje si të varrosur përfundimisht.
Dhe për ta vulosur këtë karshillëk institucional ndaj drejtësisë, ai nuk ndalet: pasi u hetua për 21 milionë euro, sot shpall një tjetër tender pas mbarimit të zgjedhjeve, për 430 mijë euro të tjera – gjithmonë me të njëjtin model: pa garë, me fond të plotë, me të njëjtin klient të preferuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje