Në bashkinë Vorë, zgjedhjet janë kthyer në një operacion të pastër kriminal, ku kryetari Blerim Shera po përdor para të pista, kriminelë të rikthyer nga Gonxhe dhe strukturat e bashkisë për të blerë vota në funksion të fushatës së ministrit..

Në Bashkinë Vorë, nuk po zhvillohen zgjedhje, por një farsë e pastër që ngjan më shumë me një skemë mafioze se me një proces demokratik. Në qendër të kësaj maskarade është Blerim Shera, kryebashkiaku që ka kthyer institucionin publik në një bazë operacionale për blerjen e votave; me para në dorë dhe me ndihmën e njerëzve të botës së errët.
Shera nuk përfaqëson më qytetarët. Ai është kthyer në zbatuesin e një rrjeti të organizuar kriminal zgjedhor, ku çdo votë ka çmimin e vet, çdo lagje kontrollohet nga njerëzit e tij, dhe zyra e bashkisë është shndërruar në kasafortë ku ruhen paratë e fushatës.
Përveç kësaj, Shera e ka zhytur Bashkinë e Vorës në gjendjen më të rëndë ekonomike që ajo ka njohur ndonjëherë. Borxhe, mungesë shërbimesh, dhe menaxhim i dështuar; ky është një tjetër zullum që pritet të shpërthejë së shpejti.
Deputetja Albana Vokshi ka denoncuar publikisht një strukturë të mirëorganizuar, ku Shera bashkëpunon me emra konkretë:
Flore Zela, e ngarkuar me shpërndarjen e parave në terren;
Arlin Papa, drejtor i shërbimeve publike që mbulon gjashtë qendra votimi;
Julian Kasa, inspektor i KMT-së që kujdeset për logjistikën e skemës;
Ermal Dedej që operon në Picarë; Mond Sula në Vërdull; dhe Vladimir Disha bashkë me Agron Morën në zonën Kuq e Picarë.
Edhe më shqetësuese është përbërja e kësaj strukture, individë me të kaluar kriminale, të dënuar për vrasje dhe trafik droge, sot të rikthyer në lojë me bekimin e ministrit Blendi Gonxhe dhe me mbrojtjen e policisë lokale, nën drejtimin e Elton Shahinajt. Me pak fjalë: krimi jo vetëm është aktiv, por edhe i garantuar nga shteti.
Kjo nuk bëhet për Vorën dhe as për Sherën. E gjitha bëhet për interesin e Blendi Gonxhes; ai është arsyeja pse rrjedhin paratë, pse hesht policia dhe pse shfaqen bandat. Shera është thjesht një vegël. Fituesi i vërtetë është Gonxhe. Blerja e votave nuk ka të bëjë me demokracinë, por me pushtetin me çdo mjet: me para, me frikë dhe me krim. Ai nuk del përballë qytetarëve, i blen.
Nëse drejtësia hesht, zgjedhjet janë të manipuluara që në nisje. Dhe nëse Gonxhe arrin të marrë mandat me këtë metodë, Shqipëria do ketë një tjetër deputet që nuk u zgjodh nga populli por nga krimi.
Lini një Përgjigje