Pas përplasjes mes Flamur Nokës dhe militantëve të PS-së në Vorë, policia nisi procedim penal ndaj deputetit demokrat. Por nëse SPAK heton ngjarjen siç duhet, do zbulojë se incidenti ishte vetëm maja e një piramide kriminale zgjedhore, të organizuar nga kryetari i Bashkisë, Blerim Shera, me ndihmën e drejtorëve bashkiakë dhe grupeve të strukturuara kriminale.
Pazari elektoral në Vorë më 11 maj nuk ishte kaos i rastësishëm. Sipas dokumenteve dhe burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, Blerim Shera ka përdorur zyrtarisht strukturat e bashkisë për të infiltruar njerëz me precedent penal në qendrat e votimit, nën petkun e “vëzhguesve të pavarur”.
Si u “certifikuan” banditët si vëzhgues të KQZ-së
Me marrëveshje të heshtur me përfaqësues të PS-së në KQZ, Drejtori i Shërbimeve të Bashkisë Vorë, Arlind Papa, është regjistruar si drejtues i një grupi fiktiv vëzhguesish. Në fakt, ky “grup” u përbë nga individë me të kaluar të rëndë kriminale, si Albert Xhabafti, nipi i tij Xhoni Asllanaj, dhe anëtarë të tjerë të të njëjtit rreth.
Këta individë, të pajisur me dokumente zyrtare nga KQZ për të hyrë në qendrat e votimit dhe numërimit, kanë vepruar si kontrollorë të votës për llogari të PS-së, duke ushtruar presion, shpërndarë para dhe ndikuar mbi zgjedhës të targetuar.
Operacioni zgjedhor i bashkisë: “Blendi Gonxhe duhet të dalë deputet”
E gjithë skema ishte e orientuar nga Blerim Shera me një mision të qartë: të garantonte fitoren e ministrit Blendi Gonxhe në qarkun Tiranë. Rezultati: Gonxhe mori 4,759 vota vetëm në Vorë, shumë më tepër se emra me peshë në PS si Etilda Gjonaj, Ervin Hoxha, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj apo edhe djemtë e “dyshes” Rakipi–Braçe.
Banditët “vëzhgues” kanë qenë të drejtuar në terren nga Arlind Papa, ndërsa financimi i tyre është bërë me para të përfituara nga tenderë, leje ndërtimi dhe bonuset e rindërtimit që Shera ka ndarë në mënyrë klienteliste gjatë mandatit të tij.
SPAK, nëse do të guxojë, do gjejë shumë më tepër se një sherr zgjedhor
Ngjarja e Vorës nuk është thjesht incident mes një deputeti dhe militantësh. Është një shembull i qartë i përfshirjes së pushtetit vendor në deformimin e vullnetit të votuesit, përmes grupeve kriminale të strukturuara si “vëzhgues”.
Nëse SPAK do të zgjeronte hetimin jashtë “krimit zgjedhor”, do zbulonte se gjatë 4 viteve të drejtimit të Bashkisë Vorë, Blerim Shera ka ndërtuar një sistem korrupsioni me ndihmën e Arlind Papës, të dy të lidhur drejtpërdrejt me emra të njohur të klientelës ndërtimore.
Për më tepër, Arlind Papa është lidhje familjare me ndërtuesin Hekuran Brahimaj, ish-nënkryetar dhe më pas kryetar i përkohshëm i Bashkisë, që ka përfituar leje ndërtimi dhe lejen “Investitor Strategjik” për një resort në Lukovë, një projekt i sponsorizuar nga vetë Rama, ku shfaqet edhe emri i moderatorit Tyrjan Hysko./Pamfleti
Lini një Përgjigje