
Komisioni “Xhafaj” ka votat e nevojshme për të ndryshuar çdo ligj që kërkon shumicë të cilësuar...
Supermazhoranca e Edi Ramës duket se do të jetë një kërcënim real për drejtësinë. Pas sigurimit të 83 mandateve nga PS dhe tre të tjerave nga PSD e Tom Doshit – një parti që ka votuar vazhdimisht në linjë me qeverinë – mazhoranca e re zotëron 86 vota në Kuvend.
Ky është një numër që kalon pragun e shumicës së cilësuar dhe i jep pushtetit politik një kontroll të plotë mbi legjislacionin dhe strukturën institucionale.
Këto vota nuk janë vetëm një statistikë, ato janë një çelës për të zhbërë ose riformatuar çdo arritje të reformës në drejtësi. Dhe ky rrezik nuk është teorik. Paralajmërimet kanë ardhur që më parë. Që kur u arrestua Erion Veliaj, kryeministri shpërtheu në kritika të ashpra ndaj SPAK dhe drejtësisë së re. Ai deklaroi publikisht se “SPAK nuk mund të veprojë pa u kontrolluar” dhe sinjalizoi për një rishikim të kompetencave të saj.
Një vit më parë u ngrit komisioni “Xhafaj”, një komision i cili ka si synim luftën ndaj korrupsionit dhe rishikimin e strukturës së institucioneve. Jo pa qëllim puna e këtij komisioni u zvarrit dhe konkulzionet u lanë pas zgjedhjeve.
Ndonëse PD e braktisi komisionin dhe ndërkombëtarët e kanë kritikuar, PS vijoi punën. Xhafaj ka siguruar mandat deputeti dhe do të jetë në krye të tij edhe këtë mandat. Por këtë herë ndihet shumë komod, pasi PS ka votat e nevojshme për të ndërhyrë te çdo ligj dhe Kod.
Sot, me një Parlament nën kontroll total, me opozitën të fragmentuar dhe me institucionet e pavarura të dobësuara, PS ka gjithçka që i nevojitet për të ndërhyrë në thelb të sistemit. Nuk do të ishte çudi që nën pretekstin e “efikasitetit” të propozohet shkrirja e institucioneve si KLSH apo ILDKP, apo kufizimi i kompetencave të SPAK.
86 votat në Kuvend janë mjeti më i fortë që ka pasur ndonjëherë një qeveri shqiptare në duar që nga koha e ndryshimeve të mëdha politike. Pyetja që ngrihet sot është: a do të përdoren për ta ndërtuar më tej reformën, apo për ta shkatërruar atë përfundimisht? Reforma në drejtësi është përballë një prove jetike, atë të mbijetesës përballë një pushteti që nuk e duron më kontrollin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje